Prodhimtaria e grurit mezi mbijeton për shkak të mungesës së sistemit të blerjes së garantuar dhe pagesës me kohë, si dhe mosekzistimit të korrjes me plan apo prodhimtarisë kontraktuese, thonë nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 7 korrik – Korrja e sivjetshme e grurit sërish ka aktualizuar problemin e vjetër të grumbullimit të sigurt të grurit vendor. Nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë kërkojnë që çmimi grumbullues të jetë së paku 12 denarë për kilogram grurë, që sipas tyre do të mbrojë 104.853 bujq që prodhojnë grurë në një deri tre hektarë. “Në rast se çmimi prodhues është më i lartë se çmimi grumbullues duhet të veprohet sipas Ligjit për bujqësi dhe zhvillim rural, apo të intervenon shteti në blerjen e grurit. Për shkak të situatës me krizën e Kovid-19, nuk guxon të vijmë në situatë që shteti të mos ketë rezerva të grurit. Andaj nevojitet që Agjencia e Rezervave Shtetërore të dalë me informatë se sa rezerva kemi të grurit dhe të realizojë procedurën e grumbullimit të grurit qysh gjatë korrjes“, thonë nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë.
Edhe pse gruri është ndër kultura kryesore që në mesatare zë mbi 80 mijë hektarë të tokës bujqësore në vend, megjithatë asnjëherë deri tani nuk është arritur që ajo të plotësojë nevojat e popullatës me këtë kulturë, duke marrë parasysh rëndësinë që ka për prodhimin e miellit.
Nga Federata e Fermerëve që si shoqatë mbron interesat e numrit më të madh të bujqve në shtet thonë se prodhimtaria vendore prej 240 mijë tonë grurë në vit nuk kënaq nevojat e vendit të këtij prodhimi strategjik për shtetin. Për çdo vit për bujqit në vend një problem i madh është edhe çmimi më lartë i prodhimit si i shitblerjes, ku sivjet pritet grurë cilësor me çmim mesatar prodhues prej 9-12 denarë në varësi prej rajoneve prodhuese bujqësore.
“Prodhimtaria e Maqedonisë e grurit mezi mbijeton, për shkak të mungesës së sistemit të blerjes së garantuar dhe pagesës me kohë, si mos ekzistimit të korrjes me plan apo prodhimtarisë kontraktuese. Rrallë po realizohet edhe blerja intervenuese, edhe pse ekziston mundësi ligjore për diçka të tillë. Të gjithë këto sjellin edhe përdorimin më të vogël të teknologjisë moderne dhe investime më të ulëta si dhe e bëjnë këtë sektor ndër më të goditurit në prodhimtarinë bujqësore”, thotë Stevançe Jordanovski nga Federata e Fermerëve të Maqedonisë. Sipas tij, edhe treguesit statistikorë tregojnë se po shënon ulje prodhimtaria e grurit nga viti në vit edhe si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike dhe faktorëve të tjerë. Në 19 vitet e fundit prodhimtaria po shënon ulje në mesatare për 20 për qind, ku rritje më të madhe kishte në vitin 2004 me 356.825 tonë grurë të prodhuara dhe deri në 200.112 tonë të prodhuara në vitin 2015ku kemi një dallim prej 44 për qind.
“Kjo rënie madhe përkundër kushteve klimatike tregon se bujqit nuk tregojnë interesim dhe nuk kanë mundësi për investime më të mëdha, ku çmimet edhe më tej janë shumë të ulëta” thekson më tej Jordanovski. Njohësit e bujqësisë thonë se ikja e të rinjve nga vendbanimet rurale, leverdia e ulët për tu marrë me bujqësi, por edhe tkurrja e tokës bujqësore, për shkak të përdorimit të saj për ndërtim kanë ulur prodhimtarinë bujqësore si dhe të drithërave në Maqedoninë e Veriut. Ekspertët e bujqësisë vlerësojnë vendi po vazhdon të jetë i varur nga importi i grurit, si rrjedhojë e mos punimit të tokës dhe rendimenteve të ulëta, ndërsa shtojnë se rritja e prodhimtarisë së grurit në vend mund të arrihet me modernizimin e procesit prodhues.
“Rritja e rendimenteve të grurit, elbit, tërshërës, misrit etj, mund të arrihet me zgjerimin e prodhimtarisë në tokat bujqësore të përshtatshme për këto kultura bujqësore që tani nuk punohen, me vendosjen e teknologjive dhe sortave të reja”, thonë agronomët. Në ndërkohë në vitin e kaluar Agjencia për rezerva të shteti ka blerë 7.165 tonë grurë merkantil për nevojat e rezervave të shtetit në favor të rritjes së çmimit grumbullues të grurit vendor dhe stabilizimit të tregut. (koha.mk)