Prodhimtaria e grurit mezi po mbijeton për vite me radhë. Në vreshtari po rritet prodhimtaria, rritet kostoja e prodhimit, ndërsa mbeten çmimet e ulëta të grumbullimit. Tek prodhimi i perimeve të hershme, grumbullimi jo i organizuar rezulton me të ardhura shumë të ulëta
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 4 gusht – Bujqësia në Maqedoni është rëndë e goditur nga kriza korona për shkak të kufizimeve të tregut, mungesës së punëtorëve sezonal, përkufizimit të lëvizjes, si dhe vështirësive në organizimin e transportit dhe logjistikës, tregojnë analizat e Federatës së Fermerëve të Maqedonisë. Edhe pse Qeveria ndërmori një numër të madh masash për përkrahje, megjithatë nuk i kushtoi kohë të mjaftueshme dhe nuk ofroi kreativitet që të dalë me modele të thjeshta për plasmanin e tepricës së prodhimit me çmime të ulëta grumbullimi dhe të mundësojë që teprica e prodhimeve bujqësore, të përfundojnë në bankën e ushqimit dhe si për përkrahje për sektorin social, në vend se të derdhen në rrugë dhe livadhe, shkruan gazeta KOHA.
Analiza më tej thekson se prodhimtaria e grurit mezi po mbijeton për vite me radhë. Ajo vuan nga mungesa e sistemit të garantuar të shitblerjes, mungesës së mbjelljes me plan dhe prodhimtarisë së kontraktuar dhe grumbullimit të rrallë intervenues nga shteti, edhe pse për diçka të tillë ekziston mundësi ligjore. Nga ana tjetër, struktura e tokës bujqësore vendore në raport me kulturat bujqësore mbetet e pandryshuar në 20 vitet e fundit, dhe nuk përkon me prodhimtarinë as në sasi, as me vlerën e prodhuar dhe as me shkallën e shfrytëzimit të resurseve natyrore.
“Këtë e dëshmon edhe hapësira e kullosave dhe numri i bagëtisë që udhëzon se kullosat tek ne, po shfrytëzohen përgjysmë në raport me shtetet e zhvilluara. Kjo tregon se ekzistojnë mundësi të mëdha për zhvillimin e blegtorisë, rritjen e kopeve dhe përmirësimin e produktivitetit të kullosave”, thotë një nga autorët e analizës, Stevan Orozoviq. Sipas tij, edhe pse kemi rritje të hapësirave nën vreshta dhe në pemëtari, shikuar sipas sortave dhe teknologjisë prodhuese, vështirë mund të vërehet rritje e konkurrencës dhe produktivitetit. Stabilitet më i madh vërehet tek kulturat industriale apo tek duhani, për shkak të mekanizmit funksional të prodhimtarisë dhe grumbullimit, si dhe zgjidhjes ligjore që ju konvenon të gjitha palëve në këtë degë.
Kurbën më të madhe të rritjes së prodhimtarisë e tregon vreshtaria, ku në 20 vitet e kaluara, po rritet kostoja e prodhimit, ndërsa mbeten çmimet e ulëta të grumbullimit. Këtë e tregojnë shembujt e dhjetëra kantinave të verës dhe grumbulluesve që ju kanë mbetur borxh fermerëve. “Në gjithë këtë tregim, më e rëndësishmja është se vreshtaria sërish është jo e organizuar dhe madje stihike. Ajo që ka ndryshuar është se janë rritur çmimet e verës së Maqedonisë, dhe është rritur cilësia nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, vreshtarët janë më të varfër”, shton Orozoviq.
Ai thotë se mund të lëvdohemi me prodhimin e perimeve, ku janë të rralla shtetet ku prodhimtaria është për tre herë më e madhe se konsumi vendor. Në 18 vitet e kaluara në këtë degë po rritet prodhimi me 22 deri 64 për qind. Me 183 mijë tonë speca dhe 161 mijë tonë domate jemi një nga shtetet më konkurruese në rajon. Edhe prodhimi i patateve dhe qepës po rritet me 2 për qind në vit. Në pjesën e prodhimit të perimeve të hershme, me vite grumbullimi jo i organizuar, prodhimtaria jo e unifikuar dhe vetëdija e ulët për bashkimin e prodhuesve të vegjël rezulton me të ardhura shumë të ulëta.
Njëherësh, në pritje të prodhimtarisë në të hapur, sezoni i vjeshtës do të sjellë edhe sfida shtesë si grumbullimin e perimeve për përpunim, gjendjen dhe situatën me fabrikat përpunuese, sfidat e eksportit në shtete të ndryshme dhe në fund – se si e tërë kjo do të pasqyrohet tek çmimet dhe fermerët. “Nëse gjatë grumbullimit të perimeve në të hapur, sërish ndeshemi me problemet e çmimeve, shitblerjes dhe pagesës, mund të pritet një hendek më i madh social, që do të dërgojë një numër më të madh të ekonomive bujqësore në varfëri”, thonë nga Federata e Fermerëve. Lidhur me blegtorinë, analizat tregojnë se kjo degë e rëndësishme bujqësore në vitet 70 dhe 80 të shekullit të kaluar, me fillimin e tranzicionit, shënoi rënie të mëdha që në mesin e viteve 90 u bë brengosëse. Shkatërrimi i fermave të mëdha, privatizimi i keq dhe mbyllja e thertoreve dhe frigoriferëve kanë sjellë import të madh të mishit. Prej vitit 1990 e këndej, kultivimi i dhenve si sektor që dalloheshim si shtet – po shënon rënie të madhe të fondit apo numrit të kafshëve. Nga 1.2 milion krerë dhen në vitin 2000, numri ka shënuar rënie në 727 mijë në vitin 2018. Edhe në kushte të krizës korona ka dalë në sipërfaqe përkrahja joadekuate për këtë sektor, jo kujdesi për një organizim më të mirë, kërkesa e ndryshueshme dhe tregjet dhe çmimet jo të sigurta.
Njëherësh, prodhimi i mishit po shënon ulje, me përjashtim të atij të derrit që shënon trend të rritjes vitet e fundit. Gjithashtu po shënon trend të rritjes së konsumit mishi më i lirë i pulës nga importi dhe mishi më i lirë i derrit. Ulje po shënon konsumi i mishit të gjedhit për shkak të çmimeve të larta, sidomos nga importi. (koha.mk)