Të dhënat e Agjencisë të Statistikave të Kosovës tregojnë se Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë. Kjo agjenci ka publikuar statistikat e tregtisë së jashtme për muajin mars të këtij viti, ku del se përqindja më e madhe e importit në Kosovë është nga Serbia, me 14 për qind, Gjermania 12 për qind, Italia 7.2 për qind, Maqedonia 6 për qind, Shqipëria 4.3 për qind nga vendet e tjera. Shuma totale e importit gjatë muajit mars të këtij viti ishte 241.3 milionë euro, derisa eksporti i mallrave kishte vlerën 27.1 milionë euro.