Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se problemi kryesor në prodhimtarinë primare të qumështit është sigurimi i ushqimit të lirë të kafshëve, kushtet moderne të kultivimit të lopëve, përmirësimit i racave dhe cilësia mikrobiologjike e qumështit
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 29 maj – Maqedonia për çdo vit importon sasi të mëdha të prodhimeve të qumështit. Njëherazi është rritur nga 22.7 milionë euro në vitin 2007 në 36.5 milionë euro në vitin 2018, importi i qumështit dhe përpunimeve të qumështit, shkruan gazeta KOHA.
Përkundër ndarjes së shumave të mëdha për subvencione në vitet e kaluara, megjithatë në shtet shënohet rritje e vogël e sasisë të qumështit të prodhuar prej 394.942 mijë litra në vitin 2009 në 404.230 mijë litra në vitin 2018. Njëherazi shënohet edhe rritje e butë e numrit të gjedhëve nga 252.521 në vitin 2009 në 256.181 në vitin 2018.
Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë thonë se problemi kryesor në prodhimtarinë primare të qumështit është sigurimi i ushqimit të lirë të kafshëve, kushtet moderne të kultivimit të lopëve, përmirësimit i racave dhe cilësisë mikrobiologjike të qumështit… Analizat e Grupacionit të prodhimit dhe grumbullimit të qumështit pranë kësaj ode tregojnë se prodhimtaria e qumështit në shtet karakterizohet me dominimin me 75 për qind të fermave të vogla tradicionale dhe pak produktive me 1-3 lopë që prodhojnë 2000 deri 3000 litër qumësht për lopë, dhe numrit të vogël të fermave të specializuara me më shumë se 20 lopë me produktivitet të lartë prej më shumë se 5000 litra për lopë. Ekspertët thonë se problem më vete është se rrallë kush nga fermerët vetë e kultivon ushqimin e kafshëve që shpesh e blejnë me çmime të larta, ku një nga zgjidhjet shikohet edhe shfrytëzimi i tokës shtetërore për prodhimin e ushqimit të kafshëve.
“Nuk ka kush të kultivojë bagëtinë, për shkak se të rinjtë e shikojnë perspektivën e tyre larg vendbanimeve rurale. Gjithashtu edhe çmimet e grumbullimit janë të ulëta, vështirë mbulohen harxhimet e prodhimit të qumështit, si dhe mishit, andaj fermerët nuk kanë ndonjë motiv të madh të rrisin bagëtitë”, thotë eksperti Petar Andonov. Në ndërkohë, statistika tregon se produksioni mesatar në i qumështit në Bashkimin Evropian është mbi 7000 litra për lopë, ndërsa në Maqedoni nuk arrin as 3000 litra. Blegtorët vendor ballafaqohen me produktivitet të ulët, që ndikon që edhe harxhimet prodhuese të jenë të larta. Ekzistojnë edhe raste të jo-higjienës gjatë mjeljes dhe ruajtjes joadekuate të qumështit te fermerët e vegjël që paraqitet si shkaktar kryesor i cilësisë më të dobët të qumështit.
Sfidë në periudhën e ardhshme për blegtorinë në shtet do të jetë rritja e produktivitetit për lopë, uljen e kostos së prodhimtarisë dhe përmirësimit serioz i cilësisë dhe sigurisë së qumështit.
Planet e zhvillimit të blegtorisë parashikojnë që në drejtim të prodhimtarisë më efikase dhe ekonomike, prodhimtaria e qumështit në periudhën e ardhshme të zhvendoset ndaj kategorisë që kultivon ndërmjet 5 dhe 10 lopë dhe minimum katër hektarë livadhe dhe arra për ekonomi , ndërsa në një periudhë afatgjate edhe ndaj ekonomive bujqësore nga kategoria e parë e politikave bujqësore me 11-20 lopë në mesatare. Ndryshe, një nga goditjet e mëdha për prodhimtarinë e qumështit në shtet ishte edhe falimentimi i qumështores Suidmmilk, e cila kur hapi fabrikën e saj e blinte qumështin bile edhe me 30 denarë, ndërsa pas mbylljes së saj shumë blegtorë mbetën edhe pa të holla edhe pa lopë. (koha.mk)