Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht ato opozitare, nuk i besojnë KSHZ-së dhe zakonisht ato dërgojnë qindra ankesa në drejtim të këtij institucioni. Nga ky institucion thonë se ankesat e parashtruara nga partitë politike kanë mangësi dhe mungojnë provat për parregullsi gjatë procesit zgjedhor
Zenel MIFTARI
Shkup, 23 korrik – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut kaluan kryesisht të qeta dhe pa incidente të mëdha. Por disa partive politike nuk iu doli rezultati i njëjtë ashtu siç kishin kalkuluar apo në bazë të informacioneve që i kanë marrë nga vëzhguesit në vendvotime. Për këtë arsyeje partitë politike parashtruan 2.142 për procedurën e votimit dhe përcaktimin e rezultateve nga votimi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por KSHZ-ja i hodhi poshtë të gjitha ankesat e parashtruara nga partitë politike, me arsyetimin se nuk përmbanin prova të mjaftueshme dhe disa nga ankesat e partisë Levica nuk kishin as vulë dhe as nënshkrim nga kryetari i partisë, ndërkohë që partitë politike dërguan padi në Gjykatën Administrative për vendimet e KSHZ-së.
Nga Gjykata Administrative njoftojnë se në adresën e tyre kanë arritur gjithsej 76 padi të parashtruara nga partitë politike. Anëtari i KSHZ-së Enver Salihi, për gazetën KOHA, është shprehur se sa u përket kontestimeve që bëhen nga disa parti politike për procese të manipuluara zgjedhore, siç tha ai, mund të thuhet se gjitha këto janë vetëm agjenda të partive politike për të mbajtur elektoratin e tyre dhe shfrytëzohen për politika ditore.
“Unë jam anëtarë i propozuar nga opozita dhe thellësisht jam i bindur se nuk ka proces të manipuluar zgjedhor por kemi palë të cilat nuk kanë vendosur asnjë vërejtje në procesverbalet e vendvotimeve dhe as që kanë dhënë vërejtje në komisionin komunal edhe pse kanë pasur persona të autorizuar si vëzhgues në çdo vendvotim”, shprehet Salihi. Sipas tij, e gjithë kjo tregon për mosnjohje të legjislatives zgjedhore nga partitë politike, pasi KSHZ vepron ne bazë të ligjit dhe rregullave të përcaktuara me ligj e jo me statuse nga Facebooku apo deklarata tjera nga partitë politike.
Ndërkohë, zëdhënësi i Aleancës për Shqiptarët, Flakron Bexheti, për gazetën KOHA, ka thënë se dyshimet e tyre për parregullsi dhe mos besim në KSHZ kanë filluar që kur nga ky institucion u refuzua kërkesa e ASH-së për ti marrë komisionerët të cilët i takojnë si opozitë më e madhe shqiptare, pasi që Lëvizja Besa, sipas tij, kishte shkuar në koalicion me LSDM-në dhe mund ti ndanin komisionerët. Gjithashtu ai konsideron se refuzimi i ankesave të koalicionit ASH-AAA nga KSHZ është vendim politik për ta dëmtuar koalicionin. “Ankesat i kemi dërguar edhe në Gjykatën Administrative dhe planifikojmë që të dërgojmë padi penale edhe në Gjykatat Themelore, në qytetet ku dyshojmë se ka parregullsi të procesit zgjedhor”, sqaron Bexheti. Ai në fund shtoi se nuk i besojnë institucioneve shtetërore aspak, por për hir të procedurës e kanë për obligim të dërgojnë ankesa dhe të ngritin padi penale.Për këtë arsyeje edhe janë paralajmëruar protesta.
Ndërkohë njohësit e çështjeve politike thonë mos pranimi i rezultatit të zgjedhjeve nga partitë politike vjen si rezultati i nivelit të ulët të kulturës politike dhe zakonisht pas çdo cikli zgjedhore kemi me mija ankesa nga partitë politike. Por sipas tyre, pasi monitoruesit ndërkombëtar i kanë vlerësuar si të rregullta zgjedhjet, kjo tregon se nuk kemi pasur ndonjë parregullsi të madhe nga procesi zgjedhore. (koha.mk)