Nga Qerim LITA
Rezoluta e Informbyrosë, dhe ndërprerja e marrëdhënieve deri atëherë “vëllazërore”, midis qeverisë së RP të Shqipërisë dhe RFP të Jugosllavisë, gjithsesi se ishte në dëm të interesit të shqiptarëve si tërësi, veçmas të shqiptarëve nën Jugosllavi. Tito dhe bashkëpunëtorët e tij, duke e shfrytëzuar këtë situatë, në fillim të viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar, ripërtërinë procesin e shpërnguljes së shqiptarëve për në Republikën e Turqisë, proces i cili qe ndërprerë me kapitullimin, përkatësisht shpërbërjen e Mbretërisë Jugosllave, nga ushtria e shteteve të Boshtit (prill 1941). Kjo ide antishqiptare, rezultoi menjëherë pas përmirësimit të marrëdhënieve Turko-Jugosllave (1951), përkatësisht nënshkrimit të Paktit nga tre shtetet ballkanike: Jugosllavi, Turqi e Greqi. Për zbatimin sa më parë të kësaj politike, Josip Broz – Tito dhe kabineti i tij gjatë viteve 1951-1953, organizuan disa takime sekrete me ambasadorin turk në Beograd, Fuad Kyprili. Diplomati turk pajtohet që të ripërtërihet Konventa e para Luftës së Dytë Botërore e arritur midis Republikës së Turqisë dhe Mbretërisë jugosllave, e cila parashihte shpërnguljen e 40.000 familjeve shqiptare nga këto treva për në Turqi.
Me rishfaqjen e idesë së shpërnguljes, te opinioni i gjerë shqiptar dolën në pah dy rryma kundërthënëse njëra ndaj tjetrës. Krahu intelektual shprehte mendimin se me përmirësimin e marrëdhënieve jugosllav-turke “turqit do të gëzojnë më shumë të drejta dhe privilegje”, ndërsa shqiptarët nëse dëshironin ta ruajnë ekzistencën e tyre të vobektë do të duhej patjetër të “tregoheshin si turq dhe të turqizoheshin…”. Për dallim nga inteligjenca, një grup elementesh të kyçur nëpër organizata të ndryshme shoqërore, dhe brenda Bashkësisë Fetare Islame, e shfrytëzuan këtë për ta manipuluar masën e gjerë të pavetëdijshme shqiptare, duke zhvilluar propagandë se kjo ishte: “në të mirën e myslimanëve” dhe se “një ditë pushteti turk do ta shtrojë çështjen e shpërnguljes së tyre”. Madje, ata mbronin qëndrimin se “kjo çështje është dashur të lejohet shumë më herët nga ana e pushtetarëve jugosllav…”.
Si rrjedhojë e një politike të tillë, në regjistrimin e popullsisë që u mbajt në vitin 1953 në RP të Maqedonisë, numri i popullsisë turke, krahasuar me regjistrimin e vitit 1948, u rrit për 107.998 banorë, ndërsa ai shqiptar ra për 34.865 banorë. Të shohim në vazhdim një pasqyrë, e cila i paraqet lëvizjet e mëdha që ndodhën në përcaktimin e përkatësisë nacionale ndërmjet regjistrimit të vitit 1948 dhe atij të vitit 1953:
E ashtuquajtura “Marrëveshja Xhentlemene” e arritur në Split në fillim të vitit 1953 midis Titos dhe Fuad Kyprilit, parashihte: “shpërngulje vullnetare vetëm të nacionalitetit turk”, e jo edhe të nacionaliteteve tjera. Mirëpo, dokumentet partiake e policore të asaj kohe, nxjerrin në pah një realitet krejtësisht tjetër, përkatësisht, se pushteti komunist maqedonas, krahas rritjes artificiale të elementit turk në regjistrimin e vitit 1953, përdori edhe një sërë metodash tjera, kuptohet në dëm të shqiptarëve, si: ndërrimi i identitetit nacional të atyre qytetarëve shqiptarë të cilët shprehnin “dëshirën” të shpërngulen në Turqi; shpërngulje të drejtpërdrejtë të qytetarëve shqiptar pa pas nevojë të bëjnë ndërrimin e identitetit të tyre nacional etj.. Si rrjedhojë e një politike të tillë, numri i shqiptarëve në këtë republikë gjatë periudhës kohore 1953-1957 u dëmtuan si vijon: në regjistrimin e vitit 1953 së paku 58.270 shqiptarë autokton u regjistruan si turq, 4.725 shqiptarë u shpërngulën për në Turqi pa pasur nevojë të ndërrojnë identitetin e tyre nacional, 9.494 banorë shqiptarë për shkak shpërnguljes më vonë u rideklaruan si turq, pra, gjithsej 72.489 banorë.
Keqpërdorimet e shumta të zbatuara nga shërbimet e ndryshme shtetërore gjatë periudhës 1953-1959, sa i përket procedurës së shpërnguljes së shqiptarëve për Turqi, shkaktoi reagime dhe polemika të shumta si në opinionin e brendshëm po ashtu edhe te faktori ndërkombëtarë. Inteligjenca shqiptare, e tërë këtë e konsideronte si një masë e marr nga qeveria komuniste që: “njëherë e mirë të lirohen nga shqiptarët në Jugosllavi”. Shkuarja e shqiptarëve për Turqi, për ta nuk ishte asgjë tjetër vetëm si: “rezultat i qëndrimit jo të drejtë të qeverisë” ndaj shqiptarëve, “mungesë e të drejtave elementare për ta, mos-përfaqësimi i tyre në organet qeveritare, mospasja e të drejtave elementare për jetë të qetë në Jugosllavi etj.”.
Burimet e proveniencës policore jugosllave, përkatësisht asaj maqedonase ofrojnë të dhëna se në periudhën kohore 1951-1959, në RP të Maqedonisë u zbuluan katër organizata të mëdha shqiptare, ndërsa u arrestuan mbi 150 intelektual shqiptarë (mësues, prijës fetarë mysliman, student etj.), nën pretekstin se kanë zhvilluar “veprimtari armiqësore kundër popullit e shtetit”. Të njëjtat burime theksojnë se brenda kësaj periudhe kohore nga RP e Maqedonisë ishin shpërngulur për në Republikën e Turqisë gjithsej 143.800 banorë mysliman (shumica dërmuese shqiptarë), ose 11% nga popullsia e përgjithshme e asaj republike jugosllave. Kjo shpërngulje sipas viteve ishte si vijon:
Ndaj tërë asaj politikë diskriminuese e shfaruese që udhëheqja jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase zbatonte kundër shqiptarëve, deri në vitin 1957 nga Tirana zyrtare nuk pati asnjë reagim. Këtë heshtje e theu Enver Hoxha në Plenumin e KQ të PKSH-së, të mbajtur kah mesi i shkurtit 1957, duke e sulmuar udhëheqjen jugosllave për “politikën diskriminuese e asimiluese ndaj shqiptarëve” dhe si rrjedhojë “dhjetëra mira shqiptarë janë detyruar t’i lënë vatrat e tyre për t’u shpërngulur në Turqi”. Kjo deklaratë e diktatortit komunist shqiptar erdhi gjatë vizitës së parë zyrtare të Hrushçovit në Shqipëri, që gjithsesi se alarmoi edhe më shumë udhëheqjen jugosllave, e cila për t’iu kundërpërgjigjur akuzave të Hoxhës, më 20 mars 1957 në Prishtinë, thirri Plenumin e Lidhjes Socialiste të Serbisë për Qarkun e Kosovës e Metohisë. Ndër oratorët e parë ishte Fadil Hoxha, i cili ndër të tjerave u shpreh se: “tërë ajo për çka flet Enver Hoxha” ishte një shpifje e kulluar, sepse “nga çlirimi e këndej nga territori i Kosovës e Metohisë prej shtetësisë jugosllave janë tërhequr 3.208 turq dhe 291 shqiptarë”. Sipas tij shifrat e mësipërme flisnin qartë se “argumentet” e Enver Hoxhës se dhjetëra mira shqiptarë nga Kosova e Metohia i lëshojnë vatrat e tyre “nuk përbën asgjë tjetër vetëm se një gënjeshtër me bisht…”. Me fjalorë të njëjtë folën edhe udhëheqësit tjerë kosovar, Xhavit Nimani, Veli Deva, Sinan Hasani etj.
Në mbledhje u miratua një rezolutë, në të cilën ndër të tjerave thuhej se “fushata anti-jugosllave nga ana e udhëheqjes shqiptare përbën një manovrim të menduar mirë për cenimin e vëllazërim bashkimit të popujve jugosllav” dhe se “udhëheqja shqiptare spekulon me ndjenjat e popullit në Shqipëri” dhe përpiqet “ta largojnë vëmendjen e masave popullore nga vështirësitë e shtetit të tyre”, e të njëjtën ta përqendroj në territorin e “Kosovës e Metohisë” me motivacion “se në këtë qark shqiptarët na qenkan të shtypur..”. Një qëndrim i tillë i kreut politik të Kosovës, në kohën kur strukturat policore jugosllave në krye me Aleksandër Rankoviq, nën pretekstin e “kërkimit të armëve” zbatonin krime të papara ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë, nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, përveç se e njëjta të ishte e “imponuar” nga udhëheqja jugosllave, përkatësisht nga vetë Rankoviqi, i cili asaj kohe konsiderohej si figura kryesore politike jugosllave menjëherë pas Titos.
Burimet sekrete partiake e policore jugosllave hedhin dritë mbi një aktivitet të shtuar të diplomacisë shqiptare, sidomos kjo erdhi në shprehje pas vitit 1958, ku siç thuhet në një dokument të shërbimit sekret jugosllav UDB-ë: “udhëheqja shqiptare në mënyrë të hapur shprehu pretendime territoriale ndaj RFPJ-së”. Qëndrimet “irredentiste” të udhëheqjes shqiptare, thuhet më tej në dokument “inkurajoi elementet nacionaliste e irredentiste” shqiptare në Jugosllavi, dhe për rrjedhojë u vërejtën “veprimtari armiqësore” më intensive të manifestuar nëpërmjet formave të ndryshme. Në ballë të kësaj lëvizjeje ishte inteligjenca shqiptare e cila më herët mbante orientim pro-perëndimore, tashti “në tërësi e kishte pranuar politikën e udhëheqjes shqiptare” duke zhvilluar propagandë se “kërkesat territoriale” të shfaqura nga Qeveria Shqiptare ishin të drejta e të realizueshme, dhe se “RP e Shqipërisë si anëtare e bllokut lindor me ndihmën e BRSS-së do t’i bashkoj Kosovën dhe pjesët e Maqedonisë Perëndimore….etj”.
Lëvizjet e para “marksiste leniniste” shqiptare në Kosovë e në trevat lindore shqiptare, janë të lidhura ngushtë me figurën e Adem Demaçit, i cili në një takim të mbajtur në vitin 1958 në Prishtinës me shoqatën letrare të studentëve shqiptar në Universitetin e Beogradit, ndër të tjerash shprehet, se “nga ana e pushtetit jugosllav bëhen padrejtësi të shumta ndaj kombit shqiptar”, se “shqiptarët po shpërngulen për Turqi, sepse pushtetarët përmes kësaj shpërngulje dëshirojnë ta përvetësojnë Kosovën dhe viset tjera shqiptare nën Jugosllavi. Në rast se shqiptarët ngelin në Kosovë, atëherë pushtetarët e kanë të qartë se Kosovën e kanë të humbur”. “Me qëllim të përvetësimit të Kosovës”, vazhdon Demaçi, “pushtetarët jugosllav zbatuan aksionin për grumbullimin e armatimit dhe përmes dhunës dhe terrorit t’i detyrojnë shqiptarët të shpërngulen për Turqi, me çka përfundimisht shqiptarët do ta humbnin Kosovën…etj”.
Së shpejti, organet e sigurimit shtetëror zbuluan grupin në fjalë dhe arrestuan Adem Demaçin, i cili në vitin 1959 u dënua me tre vjet burg të rëndë. Me zbulimi e grupit dhe burgosjen e Adem Demaçit, zyrtarët e Beogradit, Prishtinës e të Shkupit, nuk arritën ta shuajnë atë lëvizje, përkundrazi, burimet partiake maqedonase njoftonin për një aktivitet bukur të madh “mbi baza nacionaliste e irredentiste” të studentëve shqiptarë në Universitetin e Shkupit, dhe se bartës të aktiviteteve të tilla ishin studentët nga Kosova, të cilët njëkohësisht ishin edhe “pjesëtarë të organizatave dhe grupeve ilegale irredentiste”. “Përbërja e këtillë dhe aktiviteti i studentëve nga Kosova”, thuhet më tej në dokument, “pati ndikimin e vet edhe ndaj disponimit te një pjese e studentëve nga kombësia shqiptare nga viset RSM-së” dhe për rrjedhojë, vetëm gjatë periudhës 1960-1963 “qenë zbuluar 5 grupe ilegale irredentiste, në të cilat, krahas studentëve, qenë përfshirë edhe disa nxënës të shkollave të mesme.”.
Po të njëjtat burime njoftonin se krahas grupeve ilegale “marksiste-leniniste”,në trevat Lindore (Maqedoninë Perëndimore) dhe në Kosovë, vepronin edhe grupe ilegale shqiptare pro-perëndimore, kryesisht ish të burgosurit politik, atdhetarët dhe veprimtarët e mëhershëm të organizatës Nacional Demokratike Shqiptare, si Gajur bej Deralla, mulla Garipi nga Tetova, Imer Strazha, Rustem e Adem Tërnava nga Prishtina, Ismail Ajeti nga Podujeva, Shaban Efendiu dhe mulla Hajdari nga Kumanova etj.
KONFLIKTI BRSS-SHQIPËRI
Në vitin 1960, organet e UDB-së, arrestuan Gajur bej Derallën, dhe pas një procesi të montuar politik, u dënua me tre vjet burg të rëndë. Në aktakuzën e prokurorisë publike për qarkun e Shkupit, veç tjerash thuhej se i njëjti: “gjatë viteve 1957, 1958 e 1959, në vende të ndryshme dhe para më shumë njerëzve në Shkup, ka zgjeruar propagandë duke i ftuar për angazhimin e tyre në ndryshimin e rregullimit shoqëror e shtetëror në RFPJ-së dhe në cenimin e vëllazërim bashkimit të popujve të Jugosllavisë dhe shtrembërimin e qëllimtë të gjendjes shoqëroro-politike në vend, duke theksuar: se së shpejti Shqipëria nën udhëheqjen e Ahmet Zogut dhe me ndihmën e Amerikës dhe Anglisë do ta merr Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë Perëndimore dhe të gjitha viset tjera ku jeton kombi shqiptar; se shqiptarët në Jugosllavi nuk kanë liri dhe të drejtat e njëjta si kombet tjera. Për këtë shkak është i mendimit dhe zhvillon fushatë në mesin e popullsisë shqiptare që të mos shpërngulet për Turqi, por se duhet të përgatitet për realizimin e kësaj detyre..”.
Ndërkohë, me kërkesë të udhëheqësit të njohur slloven, Edvard Kardel, në mars të vitit 1959, Këshillit Ekzekutiv i KQ të LKJ-së, solli konkluzione, të cilat për arsye të panjohura nuk u publikuan. Pas tri vjetësh, në gazetën “Komunist”, doli një shkëputje prej tyre, por ato në tërësi do të bëhen të njohura pas pesë vjetësh, në Kongresin e VIII-të të LKJ-së, në dhjetor 1964, kur pastaj do të botohen në tërësi me materialet e tjera të Kongresit…. Në to ndër të tjerave u rekomandohej organeve partiake e shtetërore jugosllave, të ndërmarrin masa urgjente për përmirësimin e pozitës së rëndë të popujve jo sllav, përkatësisht të shqiptarëve e hungarezëve, në të gjitha fushat, në radhë të parë në ngritjen e statusit të tyre nga “pakicë nacionale” siç njiheshin asaj kohe në “kombësi”, në përfshirjen e tyre si në administratën komunale e republikane po ashtu edhe në sipërmarrjet ekonomike shtetërore, në zhvillimin e menjëhershëm kulturore e arsimor të tyre, në lejimin e përdorimit të gjuhës së tyre në komunat ku ata përbënin shumicën e popullsisë etj.. Lidhur me këtë, ambasada bullgare në Beograd, më 1 dhjetor 1959, informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, se në pjesën e dytë të muajit tetor 1959, KE i KQ të LKJ-së, komiteteve partiake republikane e krahinore u kishte lëshuar një qarkore tepër sekrete përmes së cilës nga ata kërkohej urgjentisht të ndërmerren “iniciativa për përmirësimin e punës në linjën e pakicave nacionale”, dhe se “marrëdhëniet ndaj pakicave të caktuara nacionale nuk duhet të ndikoj marrëdhënia e Jugosllavisë ndaj vendit përkatës që i takon pakica”, përkatësisht “nëse Jugosllavia është në marrëdhënie të këqija me Shqipërinë, kjo nuk duhet të ndikoj negativisht në politikën e saj ndaj pakicës shqiptare…”.
Kjo nismë e udhëheqjes partiake jugosllave, gjithsesi se pati për qëllim neutralizimin e popullsisë shqiptare, veçmas të pjesës intelektuale, e cila asaj kohe shprehte pakënaqësi të shumta për pozitën diskriminuese të popullit shqiptar. Udhëheqja jugosllave e përcolli me një interes të shtuar konfliktin midis BRSS-së e RP të Shqipërisë, përkatësisht Hrushçov –Hoxha, ngjarje e cila ndodhi në fillim të viteve gjashtëdhjeta. Ata druanin se këtë konflikt mund ta shfrytëzonin shtetet e Evropës Perëndimore dhe ShBA-të, për rrënimin e sistemit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e një shoqërie demokratike pro-perëndimore. UDB-ja jugosllave ishte mirë e informuar për aktivitetin e disa veprimtarëve shqiptar në vendet evropiane, në radhë të parë të Mentor Çokut i cili qëndronte e vepronte në Itali. Në vështrimin e hartuar me 10 prill 1961 nga shërbimi në fjalë, ndër të tjerave thuhej: “Mentor Çoku edhe tashti lufton që këto treva t’i bashkohen Shqipërisë”, përkatësisht, se “Komiteti Shqipëria e Lirë, me ndihmën e vendeve evropiane do të arrij t’i realizoj idealet e tyre…”. Për të pasur një qasje sa më të afërt, UDB-ja jugosllave dërgoi një bashkëpunëtor të vetin, i cili rridhte nga një familje e njohur strugave, me detyrë të takohet me Çokun dhe brenda mundësive të zbuloj qëllimin final të tij dhe të Komitetit Shqipëria e Lirë. Si përfundim, udhëtimi i bashkëpunëtorit nuk solli rezultatin e dëshiruar nga UDB-ja, për shkak se në atë kohë Mentor Çoku nuk ndodhej në Romë.
Në shkurt të vitit 1962, Kryesia e KQ të LKM-së përmes një analize të detajuar vlerësonte se konflikti në fjalë vinte si “refleks dhe shprehje e luftës tash më të filluar në lëvizjen punëtore-komuniste ndërkombëtare”, kundër stalinizmit dhe rezistencës e cila asaj kohe lajmërohej “kundër atyre proceseve në disa parti të caktuara komuniste”, parasëgjithash te Partia Komuniste e Kinës, dhe për rrjedhojë të merrte “manifestimin e tij më konkret” dhe në sipërfaqe të dalin reagimet e para si në botë po ashtu edhe në federatën jugosllave. Kjo ngjarje thuhet më tej në Analizë, shqiptarët në Jugosllavi i ka ndarë në dy grupe të ndryshme. Të parëve u prinë një pjesë e inteligjencës, e cila tërësisht e mbështet qëndrimin e PPSh-së e të Enver Hoxhës. Kritikën e Hrushçovit ndaj Stalinit ata e konsideronin si “të pa denjë”, ndërsa kritikës së tij ndaj grupit Mollotov-Malenkov-Keganoviq, për pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë “në veprat e shëmtuara e të terrorit” ndaj popullit sovjetik, i kundërviheshin me pyetjen “përse Hrushçovi nuk flet për përgjegjësinë e tij në atë periudhë, kur dihet se edhe ai ishte njëri ndër kuadrot udhëheqës në BRSS-ë”. Ata realitetin e konfliktit BRSS-Shqipëri e përfshinin në dy çështje: e para “BRSS-ë edhe deri më tash nuk e ka ndihmuar Shqipërinë, porse është përpjekur të tërheq nga ajo sa më shumë dobi për vete” dhe çështja e dytë: “ BRSS-ë përkatësisht Hrushçovi është shkaku që Kosova e Metohia dhe pjesë të Maqedonisë Perëndimore nuk u janë bashkangjitur Shqipërisë”.
Të dytëve u prinin, siç thuhet në të “elementet klasike armiqësore e nacionaliste” si dhe kundërshtar të shoqërisë socialiste si të RFPJ-së po ashtu edhe të asaj në RP të Shqipërisë. Te ta ekziston botëkuptimi, se “tash është momenti në Shqipëri të rivendoset kapitalizmi” dhe njëherë kjo do të përbënte garancën më të mirë për “realizimin e aspiratave territoriale ndaj Jugosllavisë”. Në këtë linjë vazhdon Analiza, “vërehen aktivitete më të gjalla të këtyre elementeve si dhe përpjekjet të lidhen me të tillët në Shqipëri e në mënyrë të veçantë me emigracionin shqiptar në Perëndim”. Sipas disa të dhënave që i posedonte udhëheqja partiake maqedonase përgjatë bregdetit Adriatik jo vetëm se ishin aktivizuar qendrat ekzistuese të emigracionit shqiptar, porse kah ta dhe kah kufiri në përgjithësi gjithnjë e më shumë po orientoheshin “qarqet e qendrat e emigracionit” të cilat më parë kishin qëndruar në brendi të Italisë ose në vende tjera evropiane. Nisur nga kjo analiza vlerësonte se “rreziku nga veprimi i këtyre elementeve” ishte real, aq më tepër se “midis tyre dhe qarqeve të caktuara në Perëndim tash më ekziston zgjedha e përbashkët dhe interesi që ngjarjet në Shqipëri të zhvillohen në favorin e tyre”.
Lidhur me konfliktin BRSS-Shqipëri, Kryesia e Lidhjes Socialiste të RP të Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur më 4 prill 1962, solli konkluzione me përmbajtje si më poshtë:
– organizatat e LSPPM-së, në suazat e aktiviteteve të tyre, t’i përcjellin rregullisht zërat e reagimet te pakica nacionale shqiptare në lidhje me konfliktin BRSS-Shqipëri, të kryejnë inspektim e të udhëheqin luftë konkrete për zbatimin konsekuent të politikës sonë për pakicat nacionale.
– në bashkëpunim me Këshillin Republikan të sindikatës të punëtorëve shkencor e punëtorëve arsimor, Faktorët e Universitetit në Shkup, Shkollës Normale, përkatësisht paraleleve normale me mësim në gjuhën shqipe të shqyrtohen në një mënyrë më të drejtpërdrejtë e më konkret problemet rreth situatës së inteligjencës shqiptare e të ndërmarrin masa përkatëse si në fushën e veprimtarisë edukativo-arsimore, po ashtu edhe në zhvillimin e jetës ideopolitike të organizatave shoqëroro-politike te kuadri arsimor, studentëve e nxënësve.
– me pjesëtarët e shtypit e të radios të mbahet mbledhje në të cilën do të bëhej vështrim për aktivitetin e tyre të deritanishëm në lidhje me konfliktin BRSS-Shqipëri e do të përcaktoheshin detyra për periudhën e ardhshme.
Mbështetur në konkluzionet e mësipërme, shërbimi sekret maqedonas, UDB, hartoi tezat për përndjekjen e inteligjencës shqiptare, të cilat përmbanin këto pika: numri i përgjithshëm i inteligjencës shqiptare në RP të Maqedonisë; në cilën periudhë inteligjenca shqiptare e ka kryer shkollimin e vetë ( gjysmë të mesëm, të mesëm, të lartë dhe fakultet); numri i përgjithshëm i anëtarëve të LK-së në mesin e inteligjencës shqiptare; anëtarë komunal, të rretheve dhe udhëheqës shtetëror të organizatave masive shoqërore-politike; bashkëpunëtor të okupatorit nga radhët e inteligjencës shqiptare; intelektual shqiptarë të cilët pas çlirimit kanë pas dukuri armiqësore ose në mënyrë aktive kanë punuar kundër rregullimit shoqëror socialistë në shtetin tonë; masa të marra për përndjekjen e elementeve armiqësore nga radhët e inteligjencës shqiptare; kuadri arsimor në institucionet arsimore; kuadri arsimor në shkollat tetëvjeçare; bashkëpunëtor të okupatorit nga radhët e kuadrit arsimor; mësues të cilët pas çlirimit kanë pasur dukuri armiqësore ose në mënyrë aktive kanë punuar kundër Jugosllavisë socialiste; masa të marra për përndjekje; manifestimet armiqësore momentale në mesin e mësuesve; kuadri arsimor në shkollat e mesme; kuadri arsimor në normalen “Zef Lush Marku”; profesorë të cilët pas çlirimit kanë pasur qasje armiqësore ose në mënyrë aktive kanë punuar kundër Jugosllavisë socialiste; manifestime armiqësore në mesin e profesorëve; profesorë në shkollat e larta; bashkëpunëtorë të okupatorit; profesorë të cilët pas çlirimit kanë pasur qasje armiqësore ose në mënyrë aktive kanë vepruar kundër Jugosllavisë socialiste; numri i përgjithshëm i nxënësve në shkollat e mesme në RPM-ë; numri i nxënësve nëpër shkolla të mesme për secilin rreth veç e veç; numri nxënësve nëpër shkollat e mesme të ardhur nga Kosova; dukuri dhe manifestime armiqësore në mesin e nxënësve të shkollave të mesme; masat e përndjekjes kundër bartësve të manifestimeve armiqësore në mesin nxënësve të shkollave të mesme; numri i përgjithshëm i studentëve; numri i studentëve në Universitetin e Shkupit (veçmas për secilin fakultet); numri i studentëve në Universitetin e Beogradit (veçmas për secilin fakultet); manifestime armiqësore në mesin e studentëve; masat e marra për përndjekjen e udhëheqësve të manifestimeve armiqësore në mesin e studentëve; numri i përgjithshëm i punëtorëve kulturo-artistikë në teatrin e Pakicave në Shkup, në “Flakën e Vëllazërimit” etj.; numri i intelektualëve anëtarë të SHKA “Emin Duraku” në Shkup; format dhe metodat e veprimit armiqësorë në mesin e shoqërisë; ndikimi i Shqipërisë në mesin e inteligjencës shqiptare; sa intelektual kanë komunikuar me përfaqësuesit e ambasadës shqiptare në Beograd; sa intelektual mbajnë lidhje nëpërmjet letrave me emigracionin shqiptarë në Perëndim… etj.”.
Për sa u tha më sipër, shihet qartë se në çfarë reprezalje përjetoi inteligjenca e atëhershme shqiptare nga UDB-ja jugosllave e cila udhëhiqej e kontrollohej nga dueti i mirënjohur shovinist serb Rankoviq-Stefanoviq. Gjendjen e shqiptarëve në RP të Maqedonisë, më së miri e përshkruante, korrespondenti i gazetës “Financial Time”, nga Londra, Lendvaj Peml Andor, i cili gjatë vizitës të tij në Maqedoni nga 29 maji – 1 qershor 1962, do të deklarojë: “Në Jugosllavi njerëzit mund t’i ndajmë në disa kategori edhe atë: si më të diskriminuar janë romët dhe shqiptarët, pastaj vijnë punëtorët në përgjithësi dhe pas këtyre vijnë të gjithë qytetarët tjerë”. Mirëpo, këtë mendim sa u përket shqiptarëve, korrespondentja e ndryshon pas vizitës që ia bëri Kosovës, kur thotë: “Në Kosovë ekzistojnë diferencat e njëjta, mirëpo shqiptarët këtu mund t’i ndajmë në dy kategori”. Siç shihet ajo ka vërejtur se në Kosovë, megjithatë ka ekzistuar një kategori e shqiptarëve më të privilegjuar, ndërsa në Maqedoni kjo nuk ekzistonte.
LARGIMI I RANKOVIQIT
Ngjashëm si Andor, shprehej edhe intelektuali shqiptar nga Shkupi, Sejdi Raufi, i cili në ditarin e tij të mbajtur gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Idrizovës shkruante: “Më herët shtypi jugosllav botonte artikuj për inkuizicone nëpër burgjet e vendeve Informbyroistë, mirëpo kjo sot vlen për burgjet e RFPJ-së… bini bandita! Ne jemi shqiptar dhe shqiptarë do të ngelim, nuk do të shpërngulemi në Turqi…Keni kryer tmerr ndaj shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni…Burgosen vetëm shqiptarë për shkak ballafaqimeve personale, për shkak se janë pa mbrojtje… A thua diku në botë ekzistojnë kësi poshtërsia e mjerime që njeriu të jetë i flijuar për shkak proceseve të montuara. Në kohën atomike, ku ekzistojnë dispozita për mbrojtjen e kafshëve, ka njerëz që nuk janë të mbrojtur. Që siguria ka shkuar deri në atë shkallë, saqë nuk munden pesë vetë të bisedojnë në një vend sepse janë të përcjell dyfish më shumë se ata. Kjo përbën mashtrim të lirisë njerëzore, kafshëve, ndjenjave etj.. Organet e punëve të brendshme përmes falsifikimeve i ndjekin shqiptarët, siç dikur ndiqeshin zezakët afrikan gjatë kohës së robërisë, vetëm për t’i detyruar të shpërngulen në Turqi….”.
Ndërkohë, në pjesën e parë të vitit 1964 organet e sigurimit shtetëror jugosllav, zbuluan veprimtarinë e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e themeluar në vitin 1963 nga Adem Demaçi, me ç’rast u arrestuan një numër i madh i anëtarëve, kryesisht studentë, mësues, ndërsa 79 prej tyre u dënuan me burg të rëndë, në mesin e tyre edhe Adem Demaçi, i cili u dënua me 15 vjet heqje lirie.
Lidhur me veprimtarinë e kësaj organizate, Drejtoria e Sigurimit Shtetëror Federativ –UDB-ë, më 12 nëntor 1964 shkruante: “Në kuadër të veprimtarisë armiqësore e të dëmshme në vendin tonë, viteve të fundit aktivitet më intensiv dhe më të ashpër për nga forma, kanë ndërmarrë elementet irredentiste nga radhët e kombësisë shqiptare. Midis formave të shumëllojshme të aktiviteteve armiqësore, këto elemente, veç tjera, kanë krijuar grupe dhe organizata ilegale me qëllim të kryerjes së akteve të shumëllojshme subversive, duke filluar nga propaganda armiqësore, shpërndarje të shovinizmit e të irredentizmit. Këta elemente kanë qenë nën ndikimin e fuqishëm të aktiviteteve propaganduese të emigracionit, posaçërisht nën ndikimin e aktiviteteve armiqësore propaganduese nga Shqipëria kundër RSFJ-së….”.
Vendimet e Plenumit të IV të KQ të LKJ-së (1 korrik 1966 në Brione) sollën ndryshime pozitive në skenën politike jugosllave. Ato veçmas u reflektuan në Kosovë, ku udhëheqja politike kosovare ndërmori një aksion të gjerë për zbardhjen e veprimtarisë joligjore të strukturave policore ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Kryesia e Komitetit Krahinor të LK të Kosovës (më tej KKK e LKK-së), mbështetur nga faktet dhe dëshmitë e grumbulluara nga tereni, vlerësonte se: “deformimi më i rënda” në Kosovë: “paraqitet në orientimin e shërbimit sekret në mosbesimin ndaj shqiptarëve, si element i dyshuar, si i rrezikshëm për shoqërinë socialiste…”. Një marrëdhënie të veçantë, shërbimi në fjalë kishte vendos ndaj inteligjencës shqiptare, ku vetëm gjatë periudhës 1960 e deri në Plenumin e IV, ndaj 900 intelektualëve shqiptarë kishte hapur dosje sekrete, duke i etiketuar si: “nacionalistë të rrezikshëm”, “agjentë të shërbimit sekret shqiptar apo të shërbimeve tjera”, “mbrojtës të ideve nacionaliste” etj.. Ndonëse hapat e parë që u ndërmorën nga udhëheqja politike e Kosovës dhanë njëfarë shprese se më në fund shqiptarët do t’i fitojnë të drejtat e tyre nacionale, politike, arsimore e kulturore, së shpejti ato u shuan fare. Përveç disa ndryshimeve të vogla në organet e sigurimit, nuk pati asnjë lëvizje tjetër në të mirë të shqiptarëve.
Në këto rrethana, në sipërfaqe doli inteligjenca shqiptare, e cila shtroi një sërë kërkesash të cilat kishin për qëllim përmirësimin e statusit të shqiptarëve në RSFJ-së në përgjithësi, që shqiptarët, ngjashëm si kombet tjera në Jugosllavi, të kenë një qendër të vetme politike e kulturore; popullsia të quhet shqiptare (albanci) e jo si deri atëherë “shiptari”; shqiptarëve t’ju mundësohet përdorimi i lirë i simboleve kombëtare; krijimi i institucioneve të larta arsimore e kulturore; përmirësimi i marrëdhënieve me Shqipërinë etj.. Bartës të kësaj lëvizjeje ishin atdhetarët dhe intelektualët e mirënjohur shqiptarë, si Mehmet Riza Gega, Shaban Xheladini, Latif Ibrahimi, Sali Saliu, Sali Ramadani, Xhevair Shaqiri, Faik Mustafa, Tefik Ramadani, Bardhyl Cami, Mehmedali Hoxha, Sejdi Raufi, Eshtref Hoxha, Adnan Agai e shumë të tjerë.
Burimet jugosllave, vënë në dukje se, kërkesat e shtruara nga inteligjenca shqiptare, nxitën autoritetet e atëhershme kosovare e jugosllave, që çështjes shqiptare t’i qasen me një seriozitet më të madh. Në mars të vitit 1967, një delegacion i lartë partiak kosovar në Beograd u takua me Edvard Kardelin. Me këtë rast, Veli Deva, në fjalimin e tij, veç tjerash vuri në dukje se me: “Kushtetutën e vitit 1963”, është cenuar në mënyrë drastike autonomia e Kosovës, për faktin se nga një njësi federale “siç ishte me Kushtetutën e vitit 1946”, tashti e njëjta është degraduar në “njësi republikane”, me çka “përfaqësimi i saj në organet legjislative e ekzekutive të Federatës kushtëzohet vetëm nga dëshira dhe vullneti i organeve republikane të Serbisë”. E gjithë kjo, shton Deva, “ka ndikuar që lëvizjet e deriatëhershme, të cilat mundësuan afirmimin më të madh të republikave”, të njëjtat nuk u shprehën në “mënyrë të barabartë edhe në pozitën e krahinës”, sepse “Krahina autonome si njësi vetëqeverisëse ngeli jashtë këtij procesi” dhe se “duke e pas parasysh strukturën specifike shoqëroro-politike dhe atë nacionale të Kosovës” në një farë mënyre e gjithë kjo “është paraqitë si pengesë në afirmimin shoqëror e nacional të popullit të Kosovës, a veçmas të shqiptarëve si shumicë.”.
Delegacioni i Kosovës shtroi edhe shumë çështje tjera, të cilat pengonin zhvillimin më të shpejtë të popullit shqiptar në Jugosllavi. Me këtë rast duhet veçuar fjalimin e Blazho Radonjiçit, i cili ishte i mendimit që autoritetet jugosllave duhet t’i japin një rëndësi më të madhe “marrëdhënieve me Shqipërinë”, sepse, siç do të shprehet, “në Jugosllavi jetojnë 38% e popullsisë së përgjithshme shqiptare” dhe se “për shkak marrëdhënieve të këqia me Shqipërinë si edhe për shkak kufijve tepër të mbyllura, ekzistojnë disa dukuri të caktuara që e pengojnë zhvillimin kulturor dhe afirmimin e përgjithshëm të popullit shqiptarë në Jugosllavi”. Për eliminimin e dukurive të tilla, Radonjiçi kërkoi që në të ardhmen udhëheqja jugosllave të jetë më aktive dhe të ofrojë më shumë iniciativa në përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe “shqiptarëve t’u mundësohet komunikimi i lirë në Shqipëri dhe Jugosllavi”. Gjithnjë sipas tij, “për gjendjen tejet të acaruar, krahas politikës dhe sjelljes së udhëheqjes shqiptare, dukshëm ka kontribuuar edhe sjellja e organeve tona (jugosllave –Q.L.) të sigurimit.”. Mirëpo, një konstatim i tillë u hodh poshtë nga Edvard Kardeli, i cili për tërë atë gjendje të krijuar fajësoi “strukturën e brendshme politike burokratike të Shqipërisë”, e cila nëpërmjet “qëndrimeve armiqësore ndaj Jugosllavisë mbron vetveten, përkatësisht pozicionet dhe ekzistencën e vetë.”.
Ideja për themelimin e Qendrës së vetme shqiptare në RSFJ-së u shtrua edhe në takimin e përbashkët të aktivit politik të Maqedonisë e të Kosovës, i cili takim u mbajt më 7 shtator të vitit 1967 në Ohër. Në fjalimin e tij, udhëheqësi i delegacionit kosovar, Veli Deva, vuri në dukje se kjo çështje në Kosovë nuk “ishte përpunuar”, por vetëm ishte shtruar dhe se e njëjta “nuk pati ndonjë frymë apo tendencë që dikush për këtë ta shtrojë si qendër”. Më tej Deva shtoi se “i kemi paraparë zërat eventuale /reaksioni/ në këtë linjë dhe i kemi nënvizuar të gjitha pasojat kur do të dilnin në sipërfaqe mbështetësit e një linje të tillë. Ne, për këtë shkak, si udhëheqje politike, më parë jemi distancuar nga zërat dhe komentimet e tilla eventuale, ndërsa vlerësimi dhe pikëpamja jonë ishte tërësisht e njëjtë si edhe ajo që e paraqiti shoku Kërste. Nëse vijnë deri te tendenca të tilla, do të duhej nga të gjitha anët të vihet në pah për ta..”. Ngjashëm si Deva, shprehet edhe anëtari i Kryesisë së KQ të LKM-së, Vanço Apostollski, i cili në Plenumin XII të partisë në fjalë, që u mbajt më 30-31 tetor 1967, deklaroi se dy palët në Ohër kanë diskutuar rreth “disa mendimeve që ekzistojnë te ne për krijimin e një qendre të vetme për të gjithë shqiptarët në Jugosllavi”, dhe se edhe pala kosovare është pajtuar që “ekzistimi i një qendre të tillë politike, është në kundërshtim të plotë me sistemin tonë të përgjithshëm dhe nëse qëndrime të tilla ekzistojnë, do të duhej të eliminohen nga të dy palët”, sepse, sipas tyre, “ekzistojnë shumë faktorë, kurse një ndër ta është ekzistimi i Shqipërisë si shtet; pastaj se kufijtë republikanë patjetër duhet të shihen në kontekstin e shumë aspekteve historike, lidhja me kombësitë që atje jetojnë etj.”.
Një qëndrim i tillë për inteligjencën shqiptare ishte e papranueshme, sepse, siç vinin në dukje ata, “në Maqedoni realizimi i barazisë është demagogji” dhe se “ekziston numri i madh i të burgosurve, se UDB deri në Plenumin IV i ndiqte vetëm shqiptarët, se gjuha shqipe është e nënçmuar, se punësimi i shqiptarëve nëpër institucionet dhe ndërmarrjet shtetërore është shumë i vogël…etj”. Për ta zgjidhja e vetme për shqiptarët e trevave lindore ishte “bashkimi i tërë viseve shqiptare nën Jugosllavi në një qendër të vetme”, respektivisht, “krijimi i Republikës shqiptare në Jugosllavi, qendra e së cilës do të ishte Prishtina”.
Duhet të vihet në dukje fakti se paraprakisht midis udhëheqjes kosovare dhe asaj maqedonase ishte nënshkruar marrëveshja për shënimin e dy datave me peshë historike për mbarë kombin shqiptar: 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut dhe 60 vjetori i Kongresit të Alfabetit. Për këtë qëllim, kah mesi i vitit 1967, formuan një trup të përbashkët i cili për detyrë pati koordinimin e aktiviteteve dhe harmonizimin e programeve të manifestimeve. Në mbledhjen e parë që u mbajt më 10-11 qershor 1967 në Prishtinë, Këshilli koordinues vendosi të kremtohen këto dy data jubilare. Për rrjedhojë, në janar të vitit 1968, një delegacion nga Kosova, në përbërje: Femi Agani, Dervish Rozhaja, Syria Popovci, Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Ali Hadri, Enver Xheladini dhe Anton Çeta, për herë të parë pas 20 viteve mori pjesë në manifestimin e 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Tiranë. Ndërkohë, po me këtë rast më 9-11 maj 1968, në Prishtinë u mbajt një simpozium ndërkombëtarë, në të cilin morën pjesë studiues të njohur nga Shqipëria si: Aleks Buda, Bujar Hoxha, Ndreçi Plasari etj.
Këto dy ngjarje me peshë kombëtare, në një farë mënyre sinjalizuan fillimin e realizimit të kërkesave të drejta të shtruara kohë më parë nga autoritetet kosovare. Mirëpo, së shpejti u hodhën poshtë nga klika serbomadhe që i printe Dobrica Qosiq, Marjanoviqi etj. Ambasadori bullgar në Beograd, Petkov, me 28 qershor 1968, njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme të RP të Bullgarisë, për vendimet e marra në Plenumin e KQ të LK të Serbisë, në të cilin, siç vë dukje, me insistimin e Qosiqit dhe Marjanoviqit: “u hodhën poshtë të gjitha kërkesat e popullsisë shqiptare në Kosovë”. Si rrjedhojë e politikës së tillë diskriminuese, në nëntor të vitit 1968, në disa qendra të Kosovës shpërthyen demonstrata mbarëkombëtare, ndërsa një muaj më vonë ato u shtrinë edhe në Tetovë. Në to, demonstruesit shqiptarë shtruan kërkesën për krijimin e republikës shqiptare brenda Jugosllavisë, në të cilën do të përfshiheshin të gjitha viset e banuara me shumicë shqiptare.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.