Numri i të shpërngulurve gjatë vitit 1955 do t’i tejkaloj edhe parashikimet e komisionit të UDB-së dhe atij të Këshillit Ekzekutiv. E tërë kjo erdhi pas shumë lehtësimeve dhe privilegjeve që do t’ua mundësoj udhëheqja komuniste jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase, palëve të interesuara, menjëherë pas kësaj mbledhje, si në pikëpamjen e procedurës së dokumentacionit, po ashtu edhe rreth problemit të përkatësisë nacionale, madje edhe problemet e pronës
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Sipas raportit të mësipërm të UDB-së, gjatë vitit 1953, lutje për shpërngulje kishin dorëzuan 887 familje me 2242 anëtarë, dhe se të gjitha ato lutje ishin miratuar. Raporti bënte me dije se numri më i madh i të shpërngulurve ishin nga qyteti dhe rrethina e Shkupit edhe atë 1156 anëtarë, pastaj rrethi i T.Velesit me 259 anëtarë, Kumanovës me 177 anëtarë, Prilepit me 123 anëtarë, Manastirit me 68 anëtarë, Tetovës me 51 anëtarë, Kërçovës me 34 anëtarë, Dibrës me 31 anëtarë, Gostivarit me 18 anëtarë etj.
Të pakënaqur nga dinamika e procesit të shpërnguljes, aparati shtetëror jugosllav, përkatësisht ai maqedonas, në pranverë të vitit 1954, ndërmori një sërë masash me qëllim të thjeshtësimit të procedurës, që sipas tyre pikërisht kjo ishte pengesa kryesore që në vitin 1953 nuk ishin arritur rezultatet e parapara. Në fillim të muajit mars të atij viti, Byroja Politike e KQ të PKM-së, mbajti mbledhje të zgjeruar, ku do të shqyrtohet çështja e shpërnguljes dhe problemet që hasen rreth saj në teren. Në mbledhje u vendosë të formohet një komision i cili për një periudhë të shkurtë duhej t’i raportonte Byrosë Politike, me të dhëna konkrete se cilët janë shkaqet që ky proces nuk po zhvillohej sipas dinamikës së paraparë. Rrjedhimisht, Komisioni më 28 mars 1954, i raportonte Byrosë Politike për numrin e përgjithshëm e të shpërngulurve deri në atë periudhë kohore, për procedurën ligjore që pala e interesuar duhej patjetër ta respektonte si edhe për problemet më të mëdha që haseshinn në të. Sipas raportit, shpërngulja e popullatës për Turqi, kishte filluar nga viti 1951, ku nga ana e Sekretariatit për Punë të Brendshme lirim nga shtetësia ju ishte dhënë 10 familjeve prej gjithsej 30 anëtarësh, në vitin 1952, gjithsej ishin shpërngulur 34 familje prej 153 anëtarë, ndërsa në vitin 1953 gjithsej ishin shpërngulur 887 familje me gjithsej 2218 anëtarë. Sipas komisionit, rritja e numrit të të shpërngulurve gjatë vitit 1953, vinte për shkak përshpejtimit të “miratimit të lëndëve”, e që ishte rrjedhoj: “e marrëdhënieve të përmirësuara” ndërmjet RPF të Jugosllavisë dhe Republikës së Turqisë, përkatësisht udhëzimeve të dhëna nga ana e SFPB (Sekretariati Federativ i Punëve të Brendshme) të RFPJ dhe Këshillit Ekzekutiv të RPM-së, me të cilat ishin zbutur dukshëm kriteret sa i përket miratimit të lëndëve.
Më pas, raporti e përshkruante tërë procedurën e nevojshme, që pala e interesuar detyrimisht duhej ta zbatonte, ku decidivisht thuhej:
Ligji për Shtetësi i RFPJ-së dhe Rregullorja për zbatimin e Ligjit për shtetësi të RFPJ-së kërkon nga secili lutës, që për të marrë lirim, t’i paraqes këto dokumente: 1/ lutje për lirim nga shtetësia; 2/ certifikatë e lindjes nga libri amzë; 3/ certifikatë e lindjes për fëmijët nga libri amzë; 4/ pëlqim nga fëmijët më të moshuar se 14 vjeç; 5/ vërtetim për shtetësi; 6/ vërtetim nga konsulli turk se do të jetë i pranuar në shtetin e tyre; 7/ deklaratë se për sa kohë do të shpërngulet nga RFPJ-ë; 8/ vërtetim nga dhoma ushtarake; 9/ vërtetim për larjen e tatimit; 10/ vërtetim se nuk është i dënuar; 11/ vërtetim se nuk është nën hetime; 12/ vërtetim se nuk i ka të paplotësuara obligimet shoqërore; 13/ vërtetim për pasuri të patundshme; 14/ certifikatë kurorëzimi nga libri amzë, përkatësisht nga libri amzë për të vdekur kur bëhet fjalë për familjarë; 15/ taksë prej 12.000 dinarëve për të gjithë të moshuarit për vendimin nr. tarifor 9 nga Ligji për taksa. Të gjitha ato dokumente duhej t’i dorëzonin në pajtim me nenin 1 nga Ligji për shtetësi të RFPJ-së dhe neni 47 dhe 48 nga Rregullorja për zbatimin e Ligjit për shtetësi të RFPJ-së, si dhe neni 3 i Ligjit për nacionalizim.
Ndërkohë, Komisioni pranë Këshillit Ekzekutiv të RP të Maqedonisë, raportonte se në vitin 1954 shpërngulja ishte rritur dukshëm në krahasim me vitet e mëparshme, mirëpo, numri i familjeve të shpërngulura ende nuk ishte në ato përmasa që dëshirohej. Duhet potencuar, se terminologjia e përdorur në raport sa i përket çështjes nacionale ishte e turbullt dhe kontradiktore në vetvete. Përderisa hartuesit e atij raporti theksonin se në Maqedoninë Jugperëndimore dhe atë Qendrore, interesi i “turqve” për t’u shpërngulur ishte mbi 90%, në anën tjetër ata në mënyrë indirekte e pranoin se shumica e asaj popullate në fakt ishte shqiptare, dhe se vetëm për shkak formalitetit ajo ishte deklaruar si turke:
“…Në rrethet e T. Velesit, Prilepit dhe Manastirit, janë disa fshatra ku ndjenjat nacionale nuk janë të kristalizuara, flasin shqip ndërsa ndihen turq. Te ata po ashtu ekziston vullneti për t’u shpërngulur. Me lejimin, se mund t’i ndërrojnë legjitimacionet e tyre, ata menjëherë e kanë bërë këtë dhe u lajmëruan për turq, dhe nxjerrin dokumentet për shpërngulje. Në rrethin e Manastirit, një fshat i tillë nëpërmjet delegacionit, kërkon që t’u dërgohet mësues turk, ndërsa të tërhiqet shqiptari, edhe pse asnjëri prej tyre nuk din turqisht…”.
Më 15 nëntor të vitit 1954, Kryesia, përkatësisht Komiteti Ekzekutiv i KQ PKM-së, mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën Kërste Cërvenkovski referoi për jehonën e shpërnguljes së popullsisë për në R. Turqisë. Nga të dhënat që i paraqiti ai, shohim se deri në atë moment, lirim nga shtetësia kishin marrë 11.600 banorë, ndërsa prej tyre 8500 tashmë ishin shpërngulur. Më pas Cërvenkovski bënë të ditur se shpërngulja haste në probleme të shumta ekonomike, kjo veçanërisht në qytetin e Shkupit i cili ishte rritur për 15.000 banorë, dhe krejt kjo e zmadhonte edhe ashtu gjendjen shumë të rëndë banesor por edhe shërbimin komunal, sepse siç shprehet “ thuajse të gjitha shtëpitë ose janë pranë rrënimit ose duhet të rrënohen për shkak hapjes së rrugëve të reja.”. Në fund të mbledhjes me propozim të Cërvenkovskit u miratua vendimi për sa më poshtë vijon:
“Për t’iu shmangur dorëzimit secilës lëndë veç e veç, për miratim deri te SShPB të RFPJ-së, në Beograd, në të ardhmen mos i dërgojmë të gjitha lëndët, por vetëm një listë prej 100-200 personave, ngjashëm si ato lista të cilat i dërgojmë për pranim në shtetësinë tonë për maqedonasit e Egjeut; Gjithashtu deri te SShPB të RFPJ-së, kemi dërguar tjetër propozim për ta marrë pëlqimin e tyre dokumentet e mëposhtëm radhitura, të cilat janë të tepërta, prandaj të mos i kërkojmë nga lutësit, të cilët kërkojnë lirim shtetësia e RFPJ-së edhe atë pika: 4, 7, 8, 9, 11.”.
Numri i të shpërngulurve gjatë vitit 1955 do t’i tejkaloj edhe parashikimet e komisionit të UDB-së dhe atij të Këshillit Ekzekutiv. E tërë kjo erdhi pas shumë lehtësimeve dhe privilegjeve që do t’ua mundësoj udhëheqja komuniste jugosllave, përkatësisht ajo maqedonase, palëve të interesuara, menjëherë pas kësaj mbledhje, si në pikëpamjen e procedurës së dokumentacionit, po ashtu edhe rreth problemit të përkatësisë nacionale, madje edhe problemet e pronës. Sa i përket çështjes së parë në mbledhje u aprovuan propozimet e komisionit, me çka pala e interesuar tashti brenda 20 ditësh e kryente e tërë procedurën ligjore, përkatësisht brenda atij afati kohor ai e merrte vërtetimin se lirohet nga shtetësia e RFPJ-së. Lidhur me problemin e shpërnguljes së popullatës e cila gjatë regjistrimit nuk ishte deklaruar si turke, autoritetet e Shkupit, krahas lejimit të ndërrimit të identitetit, për të mos humbur shumë kohë ata tash do t’i drejtohen SShPB në Beograd, që t’u lejohet edhe atyre që ishin deklaruar si shqiptarë apo pomak, pa pasur nevojë të rideklarohen. Kërkesës së parashtruar, policia federative e Beogradit, i përgjigjet me 28 qershor 1955, ku thuhet:“Lirim nga shtetësia për t’u shpërngulur në Turqi, ju mundësohet vetëm personave të përkatësisë nacionale turke.”. Përkundër kësaj, nga Maqedonia do të shpërngulen për Turqi edhe ato qytetarë (shqiptarë dhe pomak) pa pasur nevojë që formalisht të rideklarohen si turq. E tërë kjo sipas UDB-ës maqedonase, ka ardhur: “në konsultim me Beogradin, ku është kristalizuar një kriter më i butë për shqiptarët dhe pomakët, të cilët dëshirojnë të shpërngulen në bazë të këtyre kritereve – se për shkak çështjes humane nuk duhet të pengohet tendenca për bashkim madje edhe të familjes më të gjerë, nëse anëtarët e saj që janë të shpërndarë vetë e kërkojnë…”.
Të gjitha këto lehtësime dhe privilegje që i mundësuan zyrtarët e Shkupit, ndikuan që numri i të shpërngulurve të merr përmasa të një pastrimi etnikë. Në disa vise si: qyteti i Shkupit, Pellagonia, Karshiaka, Karadaku, Dërveni, Velesi, Tetova, Dibra etj., gjatë viteve 1954-1956 me mira shqiptarë i lanë vatrat e tyre shekullore për t’u vendosur në shkretëtirat e Anadollit. Deri në vitin 1956, të shpërngulur nga Jugosllavia për në Turqi arriti shifrën 86.380 banorë.
(vijon në numrin e ardhshëm)