Për shkak të problemeve me aplikacionin, regjistrimi u pezullua për disa ditë. Në zgjedhjet e kaluara kishte sulm kibernetik ndaj aplikacionit të KSHZ-së, kështu që qytetarët nuk mund t’i ndiqnin rezultatet drejtpërdrejt. Dukuritë e tilla rrisin mosbesimin e opinionit në ato procese
Xhenur ISENI
Shkup, 15 shtator – Problemet me teknologjinë janë të mundshme dhe ndodhin vazhdimisht, por ajo që është e rëndësishme është të kesh një plan dhe njerëz që do t’i eliminojnë ato probleme sa më shpejt të jetë e mundur, thotë politologu Sinisha Pekevski, pas problemeve me aplikacionin e Entit Shtetërorë për Statistika për shkak të së cilës regjistrimi u ndërpre për disa ditë. Për shkak të një sulmi kibernetik ndaj aplikacionit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në zgjedhjet e vitit të kaluar, qytetarët nuk mund të ndiqnin rezultatet e zgjedhjeve natën e zgjedhjeve. Rastet e tilla, nga ana tjetër, rrisin mosbesimin e opinionit ndaj procesit, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale të muajit të ardhshëm.
Pekevski thotë se është shumë e rëndësishme të investohet vazhdimisht në digjitalizimin e shoqërisë për ta bërë më të lehtë kapërcimin e problemeve të tilla me futjen e teknologjive të reja, por që sipas tij kjo qeveri nuk është e aftë për një gjë të tillë. “Sigurisht që nuk ka besim tek institucionet, me të gjitha lëvizjet që bëjnë ata e zgjerojnë atë hendek. Nuk ka pasur proces këtë qeveri që nuk ka shkuar mirë dhe pa komplikime. Kjo për shkak të paaftësisë së qeverisë dhe instalimit të politikanëve që nuk kanë aftësinë dhe kapacitetin, dëshmitë janë zjarret në pyje, furnizimin e vaksinave, spitalin modular, etj”, ka deklaruar për KOHA, Sinisha Pekevski, politolog.
BIE APLIKACIONI, BIE BESIMI
Sociologu Ali Pajaziti thotë se problemet e tilla rrisin mosbesimin në procese. “Kur e marrim parasysh ndjenjën e lartë të mosbesimit të qytetarëve ndaj institucioneve të shtetit, ndaj politikës dhe lidershipit konstatohet se ndërprerjet e tilla sado që të jenë objektive mund të shkaktojë defetizëm edhe më të madh te popullata e cila është kyç në realizimin e këtij projekti tepër relevant për ardhmërinë dhe për projeksionet e kësaj shoqërie dhe të këtij shteti. Në kohën kur interneti në ambientin familjar është bërë si buka e uji, kur alarmohemi edhe për gjysëm ore të offline statusit, mosfunksionimi i tij në rrafshin e një projekti kaq madhor duket me shumë pikëpyetje”, ka deklaruar për KOHA, Ali Pajaziti, sociolog.
Menjëherë pasi filloi regjistrimi i popullsisë më 5 shtator, u shfaqën probleme. Enti Shtetërorë i Statistikave së pari tha se kishte një problem me internetin, kështu që pasi Telekomi reagoi se nuk kishte problem me lidhjen në internet, ata thanë se kishte probleme me aplikacionin. Regjistruesit thanë se javën e kaluar kishte një problem me aplikacionin për katër ditë dhe regjistrimi u ndërpre. Enti Shtetërorë i Statistikave, nga ana tjetër, çdo ditë lëshon kumtesa ku thonë se “regjistrimi i popullsisë vazhdon me intensitetin dhe ritmin e dëshiruar”. “Kur kryeni veprime të llojit të regjistrimit në shkallë të gjerë, duke përdorur teknologji shumë të sofistikuar, është krejt normale të paraqiten problemet teknike por që tejkalohen në kohën më të shkurtër të mundshme”, thuhet në një kumtesë të Entit Shtetërorë për Statistika. Regjistrimi do të zgjasë deri në fund të këtij muaji, kështu që ka kohë për të eleminuar dobësitë e sistemit dhe për ta vazhduar atë, por shtrohet pyetja se çfarë nëse problemet lindin në ditën e zgjedhjeve kur votimi zgjat vetëm 12 orë.
KSHZ SIGURON SE NUK DO TË KETË PROBLEME SI VITIN E KALUAR
Këto janë zgjedhjet e para në të cilat qytetarët do të votojnë me fingerprint. Kryetari i KSHZ -së, Aleksandar Dashtevski, thotë se pajisjet për gjurmë, si dhe serveri në të cilin janë të dhënat e qytetarëve, nuk do të jenë të lidhura me internetin dhe për këtë arsye nuk do të jenë në gjendje të hakohen dhe se të dhënat personale e qytetarëve janë të sigurta. Të gjitha pajisjet në vendvotimet janë të pavarura nga njëra-tjetra, kështu që edhe nëse lind ndonjë problem, ajo do të jetë e pranishme vetëm në atë vendvotim, dhe jo në të gjithë vendin, thotë Dashtevski. “Në çdo vendvotim ka një person teknik i cili është i detyruar të kontrollojë menjëherë pajisjen dhe nëse duhet të zëvendësohet. Në fund të fundit, ekziston një mënyrë tjetër, me një llambë UV dhe llak në rast se pajisja nuk mund të lidhet fare atje. Pra, gjithçka sigurohet. Ekziston edhe një plan B. Në rast se pajisja nuk mund të pranojë printimin, lihet në letër për t’u kontrolluar më vonë. Pra nuk ka asnjë problem”, thotë ai. Për shkak të një sulmi kibernetik ndaj aplikacionit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor në zgjedhjet e vitit të kaluar, opinioni atë natë nuk mundi të ndiqte drejtpërdrejtë rezultatet e zgjedhjeve. (koha.mk)