Romët presin të jenë më së paku 4 për qind e popullsisë, turqit minimumi 7 për qind, derisa për numrin e shqiptarëve dhe maqedonasve flitet që para se të nis regjistrimi. Të drejtat kolektive të bashkësive etnike varen nga numri i tyre, dhe është normale që duan të jenë më shumë, thonë njohësit e proceseve politike
Xhenur ISENI
Shkup, 23 shtator – Turqit nuk do ta pranojnë Regjistrimin nëse dalin nën 7 për qind e popullsisë, romët presin që Regjistrimi të tregojë se janë 100 mijë në Maqedoninë e Veriut, përkatësisht 4 për qind e popullsisë, BDI nuk do ta pranojë nëse shqiptarët dalin nën 20 për qind, ndërsa ASH-AAA pret që numërimi të tregojë se shqiptarët janë 29 për qind në Maqedoninë e Veriut. Politikanët bullgarë thonë se 130 mijë qytetarë maqedonas kanë pasaporta bullgare, dhe presin që kjo të reflektohet edhe në rezultatet e regjistrimit. Partia “E Majta” veçmë udhëheqë fushatë për bojkotimin e Regjistrimit, ndërsa ankohen se metodologjia është e dëmshme për maqedonasit. Lideri i kësaj partie, Dimitar Apasiev, thotë se 200 mijë maqedonas kanë refuzuar të regjistrohen. Megjithatë, autoritetet vërtetojnë se Regjistrimi që po zbatohet këtë muaj, po rrjedh në mënyrën më të mirë dhe se deri më tani janë regjistruar mbi 1 milion e 200 mijë qytetarë.
Regjistrimi si operacion statistikor nuk guxon të vendoset në kontekst të politikës dhe qëllimeve parazgjedhore, thotë politologu Marjan Vuçkoviq. “Më të prekurit nga Regjistrimi i popullsisë duhet të jenë të papunët, njerëzit që kanë emigruar jashtë në kërkim të një jete më të mirë, njerëzit pa shtetësi që nuk mund të ushtrojnë të drejtat e tyre themelore dhe njerëzit e varfër që mezi mbijetojnë. Çdo shantazh etnik dhe numërim vetëm përkeqëson krizën ekzistuese politike dhe largon nga fokusi çështjet sociale dhe të jetës së qytetarëve”, ka deklaruar për KOHA, Vuçkoviq.
Sipas Kushtetutës, nga numri i grupeve të caktuar etnike varen edhe të drejtat kolektive të asaj etnie. Sipas parimit të përfaqësimit të barabartë, numri i të punësuarve në sektorin publik duhet të përshtatet me strukturën etnike të popullsisë, dhe nëse në një komunë ka 20 për qind banorë të një bashkësie të caktuar etnike, ajo gjuhë përdoret zyrtarisht në atë komunë. Denis Selmani nga shoqata “Avaja”, ditë më parë në një pres konferencë u ankua se po bëhet presion ndaj romëve që të mos regjistrohen si romë. Ai apelon që presionet të ndalen, në të kundërtën – mund që mos t’i pranojnë rezultatet nga Regjistrimi. Ai pret që numërimi të tregojë se në Maqedoninë e Veriut jetojnë 100 mijë romë, përkatësisht rreth 4 për qind e popullsisë. Nga ana tjetër, Emin Husrev nga trupi koordinues për regjistrimin e turqve, tha se bashkësia turke nuk do të njeh numër nën 7 për qind pas përfundimit të Regjistrimit dhe publikimit të rezultateve.
Licitimi për numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut filloi menjëherë pas shpalljes së regjistrimit të popullsisë. Arbër Ademi nga BDI në janar të këtij viti tha se nëse shqiptarët janë nën 20 për qind, ata nuk do ta njohin regjistrimin. Sipas deputetit të koalicionit ASH-AAA, Halil Snopçe, shqiptarët në vend janë mbi 29%. Ndërsa ish konsulli i Bullgarisë në Çikago, Ivan Ançev, para disa ditëve reagoi se në regjistrimin në Maqedoninë e Veriut deri më tani si bullgarë janë deklaruar vetëm 72 qytetarë, ndërsa 130 mijë qytetarë maqedonas kanë marrë pasaporta bullgare dhe më pas kanë pranuar se kanë rrënjë bullgare. (koha.mk)