Proceset demokratike nisën me 2001-shin

Dukuria e ekonomisë informale ose ekonomia e zezë është e lidhur ngushtë me të kaluarën. Për luftimin e kësaj dukurie fillimisht duhet punuar në vetëdijesim të qytetarëve dhe t’ju bëhet me dije atyre se një gjë e tillë nuk është në dobi afatgjate të tyren dhe të shoqërisë gjë që na bën të kuptojmë se në vendin tonë ekziston ekonomia e zezë por aparati shtetërorë dita ditës po punon që këtë aktivitet ta fus në binare dhe ta ndalojë atë duke ofruar forma të ndryshme të ndihmës...

904

Delvina KËRLUKU

Berat DEHARI, lindi më 3 Janar 1982, në Debresh të Gostivarit. Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërkohë që shkollën e mesme në SHMK “Mosha Pijadi” – Tetovë, vitet 1997-2001. Fakultetin në drejtimin E Drejta Penale, në Universitetin e Evropës Juglindore, në Tetovë më 2001-2005, ku dhe ka kaluar provimet të Jurisprudencës dhe Noterisë. Ka marrë titullin magjistër i shkencave Kriminalistike, dhe është PhD Kandidat pranë American Colegue – Shkup. Aktualisht është zëvendësdrejtor i Policisë Financiare. Ka qenë pjesëmarrës në disa konferenca dhe trajnime ndërkombëtare (profesionale dhe politike).Njeh disa gjuhë të huaja. Është i pasionuar pas sportit me motor. Dehari është i martuar dhe ka një djalë.

KOHA: Zoti Dehari, shumica e lexuesve nuk i dinë aq me saktësi kompetencat e policisë financiare. Mund të na thoni ku fillojnë dhe ku mbarojnë ato?

DEHARI: Fillimisht ju faleminderit për hapësirën, ju uroj për këtë rubrikë të qëlluar. Ne si organ e kemi ligjin material, i cili është ligji mbi policinë financiare dhe disa ligje që ne i shfrytëzojmë në përditshmëri, kompetencat e veprimit tekstualisht janë shumë të zgjeruara, do mundohem ti përmendi disa nga ata:

– Të zbulojë dhe kryejë hetim kriminal të veprave penale që mund të ndiqen sipas detyrës zyrtare siç janë: larja e parave dhe të hyra tjera nga vepër e ndëshkueshme, tregti e palejuar, kontrabandim, fshehje tatimi dhe vepra tjera penale me dobi pronësore të kundërligjshme me vlerë të konsiderueshme, si dhe kapja dhe paraqitje të kryerësve të tyre, sigurimi i provave, masa tjera dhe aktivitete që mund të shfrytëzohen për mbajtjen e papenguar të procedurës penale me detyrë zyrtare ose me urdhër të prokurorit publik nëpërmjet realizimit të kompetencave në policinë e jurisprudencës në pajtim me ligjin;

– Mbledhë dhe analizojë të dhëna për transaksione në para të gatshme, të ndërmarrë masa para hetuese dhe masa tjera kur ekzistojnë bazë të dyshimit për vepra penale të

kryera, e ndjek gjurmën e parave me qëllim të zbulimit të veprave të ndëshkueshme të përcaktuara me ligj, kryen hetim dhe kontroll të të dhënave të kontabilitetit dhe

evidencave në sistemet kompjuterike në prani të personit përgjegjës ose personit të autorizuar nga ai dhe kryen punë tjera në pajtim me ligj;

– Kryejë analizë kompjuterike forenzike të sistemeve kompjuterike të marra përkohësisht, dhe aparateve tjera elektronike;

– Paraqesë kallëzime penale te prokurori publik kompetent për vepra penale nga kompetenca e vet, të cilat ndiqen sipas detyrës zyrtare;

– Paraqesë iniciativë për ngritjen e procedurës tatimore dhe procedurës tjetër për përcaktimin dhe arkëtimin e taksave publike para organit kompetent;

– Koordinojë, japë iniciativë, paraqesë kallëzime penale, kryejë këmbim të informatave dhe organizojë trajnime për personat e përfshirë në si sistemin e parregullsive me qëllim të mbrojtjes së interesave financiare të Republikës së Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian;

– Kryejë punë tjera të përcaktuara me ligj.

KOHA: Ju më tepër ndiqni evazionin fiskal të kompanive të mëdha, apo atyre të voglave dhe pse? Ose, kush është më i prirur t’i shkelë ligjet dhe rregullat e lojës?

DEHARI: Zakonisht policia financiare nuk bën dallime në mes kategorisë së bizneseve se a janë kompani të mëdha apo biznese të vogla por, ajo që i intereson Policisë Financiare është se sa këto kompani i kryejnë detyrimet ligjore dhe a ka shkelje të tyre. Nga përvoja jonë kemi pasur raste nga më te ndryshmet qofshin ato të mikro apo makro bizneseve, por përsëri nuk mund të tërhiqet një vijë e kuqe apo një kufij ndarës, i cili do të përcaktonte se cilët nga kategoritë e lartë përmendura janë më tepër shkelës të ligjit.

Që të jetë më e qartë për opinionin “Ne jemi ruajtës të arkës shtetërore” apo ndryshe nëse bëhet komparacion me organ tjetër të ngjashëm, organi ynë konsideron të jetë i përafërt me “Guardia di Financa”, të Italisë.

KOHA: A ka ndodhur të kontrolloni ndonjë kompani që është e lidhur në mënyrë direkte ose indirekte me “bosat” e pushtetit?

DEHARI: Përgjigjen e kësaj pyetje do ta jap duke i qartësuar katër zerot (numrat) që janë pjesë përbërëse e logos se Policisë Financiare që nënkupton: Zero Tolerancë, Zero Korrupsion, Zero fshehje tatimi dhe Zero keqpërdorim, andaj kjo nënkupton atë se nga llupa jonë nuk mund të fshihen kryerësit të cilët mendojnë se kanë të veshur jakën e pushtetit ose siç ju i quajtët “Bossat e pushtetit”. Ndërsa kategorizimin e kryerësve e ndajmë në: Persona Fizik dhe Persona Juridik dhe aspak ndryshe. Në opinion kanë qenë të njohura disa raste në të kaluarën e afërt që përmes konferencave për media i kemi publikuar, qofshin ato individ apo subjekte të ndryshme.

 

KOHA: A mund të na thoni si lulëzoi gjithë ky korrupsion (e zbardhur nga përgjimet e famshme) para hundës së policisë financiare?

DEHARI: Për një lufte efikase kundër kriminalitetit duhet pasur parasysh se nevojitet një bashkëpunim i rregullt në mes shumë organeve shtetërore siç janë: MPB-ja, DAP-i , Komisioni për antikorupsion, dhe të tjera si këto, duhet që mes veti të jenë në koordinim të vazhdueshëm, andaj faji nuk mund të adresohet vetëm te një organ ose te një grup i caktuar njerëzish, andaj Policia financiare nuk mund drejtpërdrejt të akuzohet pasi kompetencat e saja janë të qarta në Ligj dhe njëkohësisht edhe mundësitë e saj operative-teknike në krahasim me disa institucione tjera kanë qenë shumë më të kufizuara, duke marrë parasysh edhe veprimin politik, menaxhimin qeverisës në vitet e fundit do të kemi më qartë këtë që pyetni, mirëpo vlen të thuhet se procedurat para hetimore dhe disa nga procedurat që janë në zhvillim të sipërm janë kryesisht të iniciuara dhe të hetuara po nga ky organ edhe pse publikisht nuk parapëlqejmë që të “marrim bajrakun”.

KOHA: Ç’përqindje zë ekonomia informale (allëshverishi i zi) në vendin tonë?

DEHARI: Dukuria e ekonomisë informale ose ekonomia e zezë është e lidhur ngushtë me të kaluarën. Për luftimin e kësaj dukurie fillimisht duhet punuar në vetëdijesim të qytetarëve dhe t’ju bëhet me dije atyre se një gjë e tillë nuk është në dobi afatgjate të tyren dhe të shoqërisë gjë që na bën të kuptojmë se në vendin tonë ekziston ekonomia e zezë por aparati shtetërorë dita ditës po punon që këtë aktivitet ta fus në binare dhe ta ndalojë atë duke ofruar forma të ndryshme të ndihmës si psh: Subvencionet e ndryshme, ndihmë juridike dhe të tjera si këto që lehtësojnë punën e themelimit, duhet të kemi konsideratë se shteti ynë ka qenë në tranzicion vite me radhë dhe kjo dukuri është pak vështirë që të mënjanohet aq lehtë, duke marrë parasysh edhe llojin e tregtisë që bëhet, konsiderata e tregtarëve të vegjël, qofshin ata rural që e kanë të hyrë primare ekzistencën e tyre.

KOHA: Cili është fillimi i vështirësisë dhe i lehtësisë në karrierën tuaj profesionale?

DEHARI: Si çdo punë dhe profesion tjetër, edhe kjo lloj pune ka karakteristikat e saja të cilat e bëjnë të dallueshme nga të tjerat. Ndërsa vështirësitë janë të zakonshmet që mund ti ketë një fillim karriere duke u nisur që nga ndryshimi i ambientit, përkushtimi dhe dedikimi i kohës më shumtë ndaj punës dhe aktiviteteve tjera që janë drejtpërdrejt të lidhura me to, do të kisha thënë se nuk mund të ketë ndonjë limit i të qenurit profesionist dhe të thuhet se tani është kulminacioni i dijes, njeriu sa jeton aq edhe mëson kështu që çdokush ka nevojë për përmbushje dhe dije.

Fillimi im ka qenë punësimi i parë në vitin 2006 i punësuar në konkursin e Qeverisë të asaj kohe “100 studentët më të mirë në RM” dhe atëkohë ishin edhe zgjedhjet parlamentare dhe ndërrimi i pushtetit, ku gjatë dy viteve në vazhdim në pushtet ishte VMRO-PDSH. Unë isha i punësuar në Inspektoratin shtetërorë të administratës që atëherë ishte në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, mbi të gjitha përvojë e mirë!

KOHA: Të rinjtë duhet të jenë motor i ndryshimeve në jetën politike? Çfarë ju lidh me politikën?

DEHARI: Politika duhet parë dhe funksionon tamam si një motor, i cili bën ndryshime në aspektin pozitiv, ndërsa e dimë që një motor për të lëvizur i nevojitet një force shtytëse ose burim energjie nga ku do të furnizohet dhe do të lëviz, pikërisht të rinjtë duhet të jenë ajo forca shtytëse ku edhe unë e kam gjetur veten dhe politikën vazhdimisht e kam parë si një fushëveprim ku mund të kontribuohet në të mire të shoqërisë andaj që në moshë të re kam filluar aktivitetet e mija politike përmes të cilave kam shprehur botëkuptimin tim.

Që nga themelimi i Bashkimit Demokratik për Integrim kam qenë i kyçur në strukturat e Forumit Rinor dhe më vonë edhe në strukturat tjera, nga këtu edhe hapërimet në vazhdim i kam bërë në mënyrë paralele në ngritjen e aspektit profesional dhe atë politik.

KOHA: Mendoj se ndonjëherë, në Maqedoni harrohet se vendi ka dalë nga një luftë. Pas çdo lufte, ka më pak demokraci për të shpëtuar?

DEHARI: Falë shoqërisë tonë që në masë të madhe kemi vepruar dhe veprojmë në shtetet e zhvilluara me demokraci dhe është e natyrshme që atë nivel ta bartim edhe në Maqedoni. Shqiptarët e kanë njohur demokracinë edhe para pluralizmit në Maqedoni, mendoj që një pjesë e madhe e kemi gjetur veten më të përgatitur në sfidat që kanë pasuar. Nëse e keni për konfliktin e 2001-shit, unë do të kisha thënë se nga aty fillojnë të frymojnë proceset demokratike.

KOHA: Një nga forcat që shtynë individin drejt formimit intelektual, kulturor dhe social është edukatori. Mësuesi është forca shtytëse në shkollë, prindërit janë forca në familje, shokët dhe shoqet apo miqtë janë forca në shoqëri. Sa kanë luajtur rol këto, në jetën tuaj?

DEHARI: Familja si njësia themelore e formimit të shoqërisë dhe dedikimi i saj janë faktor kyç për ndërtimin e një individi, dhe kur kjo bazë kulturore e fituar në familje arrin të kombinohet me elementin e edukimit të cilin mësuesit tanë kanë bartur nëpër gjenerata me gjithë pengesat e shumta padyshim që kanë luajtur rol të rëndësishëm duke e dekoruar me motivimin, përkrahjen dhe shtytjen e shoqërisë të cilët sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë përkrahësit e mi dhe të më japin forcë për të vazhduar më tutje.

KOHA: Sa e menaxhoni kohën, e cila është e rëndësishme për ata që dëshirojnë që të kenë një jetë të ekuilibruar profesionale dhe personale?

DEHARI: Padyshim koha është shumë e vlefshme. Nga faktori kohë mëson atë që nuk mund ta mësosh edhe sikur të shfletosh literatura të shumta, pikërisht kjo vjen si rezultat i menaxhimit të kohës në mënyrën sa më të mirë të mundshme. Gjithmonë ekziston hapësirë për të ndarë momente apo çaste edhe për ata që të japin stimul apo që i mbush bateritë për atë që nesër do ta shfrytëzosh në aspektin profesional, nga 24 orë gjendet hapësirë për gjithçka, mjafton të kesh vullnet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.