Urim HASIPI
Tetovë, 30 qershor – Në seancën e 50 të Këshillit të Komunës së Tetovës, është kërkuar nga ana e VMRO-DPMNE-së që të jepet sqarim se kur qytetarët e Tetovës do të kenë ujë të pijshëm, shkruan gazeta KOHA. Këshilltarët e VMRO-së këtë e kanë kërkuar nga kryetarja e komunës, Teuta Arifi dhe deri ku janë punët për ndërtimin e stacionit të filtrimit. Në ndërkohë, kryetarja Arifi tha se punët për ndërtimin e stacionit të filtrimit janë në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të lëshohet edhe rryma elektrike në këtë stacion dhe më pas sistemi i ujësjellësit të vendoset në stacionin për filtrim. Nga ana tjetër, mungesa e ujit për pije dhe për nevoja të tjera, tashmë është kthyer në një shqetësim të vazhdueshëm për qytetarët e Tetovës. Më problematike janë lagjet Teqe, Cetinska, Reçicë e Vogël e kështu me radhë. Disa banorë të këtyre lagjeve, të revoltuar kanë ngritur shqetësimin e mungesës së ujit të pijshëm në këtë lagje, që tani në muajt e verës është më i theksuar. Ata kërkuan nga ndërmarrja publike komunale Tetova-Tetovë që përfundimisht të gjejë një zgjidhje afatgjate për këtë problem, pasi që për çdo muaj këta banorë kësaj ndërmarrje i paguajnë faturat e ujit, të cilin nuk e shfrytëzojnë. Ata thonë se për shkak të mungesës së ujit, shumica janë të detyruar që uji të mbushin në disa lagje tjera të qytetit apo edhe në fshatrat përreth Komunës së Tetovës. Në ndërkohë, disa të tjerë ujin e sigurojnë përmes hidroforëve të ndryshëm, mirëpo sipas tyre, kjo nuk është zgjidhje pasi përveç faturave të ujit, detyrohen të paguajnë fatura më të larta të energjisë elektrike nga përdorimi i hidroforëve. Nga Ndërmarrja Publike Komunale Tetova-Tetovë, thonë se mungesa e ujit ka qenë për shkak të harxhimit enorm gjatë ditëve të festës së Fitër Bajramit. “Sa i takon mungesës së ujit të pijshëm në lagjen Teqe, janë bërë kontrolle në sistemin e ujësjellësit dhe nuk ka pasur asnjë defekt. Ujë ka pasur mjaftueshëm në ujësjellës dhe deri te mungesa ka ardhur si pasojë e harxhimit të madh dhe shfrytëzimit joracional, për shkak të festës dhe temperaturave të larta në këtë periudhë”, tha Samedin Abedini, udhëheqës i njësisë së ujësjellësit dhe kanalizimit. Në ndërkohë, nga NPK-ja kanë ftuar qytetarët që kur ka mungesë të ujit apo defekte të njoftojnë menjëherë autoritetet përgjegjëse. Edhe banorët e kësaj e lagje, edhe nga ndërmarrja publike apelojnë te bashkëvendësit e tyre që të mos keqpërdorin ujin, sidomos tani në muajt e nxehtë të verës kur nevoja për ujë është më e madhe dhe kushtëzon përditshmërinë e tyre. Nga NPK-ja theksuan se ujë ka mjaftueshëm në rezervuare, por ka harxhime të mëdha në këtë periudhë. (koha.mk)