Dragolub Stavrev, më 3 prill i raportonte Kryesisë së RSFJ-së se gjatë aksionit të zhvilluar midis 1-3 prillit, forcat ushtarako-policore jugosllave vranë 8 demonstrues, plagosën 75 të tjerë, arrestuan 807 vetë, ndaj 28 prej tyre u zhvillua procedurë e shpejtë hetimore, ndërsa ndaj 698 personave tjerë është ndërmarrë masa disiplinore…
Nga Qerim LITA
Nëse demonstratat shqiptare të vitit 1968 në Kosovë e në Tetovë, ndikuan pozitivisht në ngritjen dhe zhvillimin e gjithanshëm të shqiptarëve nën Jugosllavi, demonstratat studentore të organizuara gjatë muajve mars-prill 1981 në Prishtinë dhe nëpër qytete tjera të Kosovës, do të jenë si pretekst që autoritetet komuniste jugosllave të ndërmarrin masa të dhunshme, për, siç thuhej, “shuarjen e kundërrevolucionit në Kosovë”. Rol të rëndësishëm për tërë këtë, gjithsesi se pati edhe udhëheqja e atëhershme e Kosovës, e cila siç dihet menjëherë pas demonstratave doli me dy qëndrime kundërthënëse njëra me tjetrën. Përderisa Mahmut Bakalli dhe përkrahësit e tij mbronin idenë se “pakënaqësia sociale e studentëve” përbënte thelbin kryesorë të demonstratave, në anën tjetër, Fadil Hoxha, Ali Shukriu, Xhavit Nimani, Azem Vllasi etj., dolën me qëndrim se ato janë vepër “e elementeve armiqësore”, të cilat vijnë nga “pozita e nacionalizmit e irredentizmit shqiptar”.
Ndërkohë, Këshilli Federativ për mbrojtjen e rregullimit kushtetues të RSFJ-së, me të cilin udhëhiqte shovinisti i mirënjohur maqedonas, Llazar Kolishevski, në mbledhjen e mbajtur në Zagreb, vlerësonte se “standarti studentor” nuk ishte shkaku kryesor i demonstratave, por se bëhet fjalë “për një aksion armiqësor”, i cili qëndrim u mbështet edhe nga Kryesia e RSFJ-së, dhe në marrëveshje me udhëheqjen e Kosovës, më 12 mars 1981 nëpërmjet TANJUG-ut, u shpall si “qëndrim zyrtar i udhëheqjes jugosllave”.
Për rrjedhojë, policia e Kosovës në bashkëveprim me njësitë speciale të Federatës, ndërmorën masa të rrepta si ndaj studentëve ashtu edhe ndaj inteligjencës shqiptare. Në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së LKJ-së, e cila u mbajt më 2 prill 1981 në Beograd, u soll vendimi për “shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e komunës së Prishtinës”. Mbështetur në këtë, brenda natës së 2-3 prillit në Kosovë u stacionuan njësi të shumta policore-ushtarake. Qeveria jugosllave, përmes nënkryetarit, Dragolub Stavrev, më 3 prill i raportonte Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së LKJ-së, se “në kuadër të masave të ndërmarra, me kërkesë të udhëheqjes krahinore, janë dërguar përforcime organeve të punëve të brendshme të KSA të Kosovës nga efektivi i Federatës dhe të gjitha republikat socialiste e të KSA të Vojvodinës”. Në një dokument i cili konsiderohej si “sekret shtetëror”, thuhej se vetëm në Prishtinë ishin stacionuar mbi 3500 forca policore dhe dy divizione të APJ-së. Në vazhdim, dokumenti vinte në pah se “gjatë aksionit të zhvilluar midis 1-3 prillit, forcat ushtarako-policore jugosllave vranë 8 demonstrues, plagosën 75 të tjerë, arrestuan 807 vetë, ndaj 28 prej tyre u zhvillua procedurë e shpejtë hetimore, ndërsa ndaj 698 personave tjerë është ndërmarrë masa disiplinore”.
Përderisa në Prishtinë e nëpër qendra tjera të Kosovës, zbatohej një terror dhe krim i paparë ndaj shqiptarëve të pambrojtur, në anën tjetër udhëheqja politike kukull e Kosovës, vazhdonte ta propagandoj politikën mashtruese të “vëllazërim bashkimit”, që sipas tyre “armiqtë e jashtëm e të brendshëm dëshirojnë ta përmbysin atë”. Ndër ta duhet veçuar Fadil Hoxhën, i cili në fjalimin e mbajtur më 3 prill 1981 para aktivit politik të LK të Prishtinës, veç tjerash përdori një fjalorë tepër brutal e ofendues kundër demonstruesve dhe mbështetësve të tyre, duke i quajtur ata si “plehu i Kosovës”, “hajna të Kosovës”, “fëlliqësira të Kosovës”, “Bira e minit 300 grosh” etj. Fjalimi i tij u transmetua drejtpërsëdrejti nga të gjitha stacionet e RTV të Jugosllavisë, për çka pasuan reagime të shumta ane mbanë hapësirën shqiptare.
Masat e dhunshme të vendosura në Kosovë, si dhe proceset e shumta gjyqësore të zhvilluara kah mesi i vitit 1981 kundër inteligjencës dhe rinisë studentore shqiptare, alarmoi opinionin e gjerë ndërkombëtarë. Shumë mediume Perëndimore kritikonin regjimin komunist të Beogradit për shkeljen drastike të të drejtave njerëzore në Kosovë, ndërsa disa prej tyre Jugosllavinë e konsideronin si shtet totalitar, e cila në këtë pikëpamje fare nuk dallonte nga vendet tjera socialiste. Proceset gjyqësore të zhvilluara në Kosovë, i vlerësonin si procese të montuara nga ana e regjimit, e në të cilat siç bëhej me dije “ishin dhënë dënime drastike”. Madje disa mediume si në Belgjikë, Gjermani, Zvicër e Turqi, akuzonin udhëheqjen komuniste jugosllave, përkatësisht shërbimin e saj sekret UDB-në për siç thuhej “kryerje të terrorizmit shtetëror në vendet e huaja”. Ndërkohë, Kryesia e LKJ-së, në mbledhjen e mbajtur më 17 nëntor 1981, miratoi dokumentin me titull “Platforma politike për aksionin e LKJ-së në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim bashkimin dhe bashkëjetesën në Kosovë”. Është me rëndësi të vihet në dukje fakti se kundër këtij dokumenti doli politikani i atëhershëm kroat Vlladimir Bakariq, i cili madje në shenjë pakënaqësie nuk mori pjesë në mbledhjen që u soll i njëjti. Kundërshtimin e tij ai e shpalosë përmes një letre dërguar më 29 shtator 1981, Llazar Mojsovit, asaj kohe kryetar i LKJ-së, ku në të veç tjerash shkruante:
“…Në sipërfaqe është paraqitur irredentizmi i fuqishëm. Përse? Situata shoqërore në Kosovë largoi nga fshati turma njerëzish… ata janë të pakënaqur, ndërsa për atë shtresë karakteristikë është përpjekja për barazi… E dyta, dhe më e rëndësishmja. Nëse ne nuk arrijmë që Prishtina në pikëpamje politike, kulturore e shoqërore të jetë më e fuqishme se Tirana – asnjëherë nuk do ta dëbojmë irredentizmin. Politika e dërgimit të Prishtinës në provincë është më e rrezikshmja…Shoh se shumica vlerësojnë se dhënia e më shumë të drejtave se sa u takojnë sipas Kushtetutës nxiti nacionalizmin dhe këto incidente. Jo. E kundërta, nacionalizmi çoi në dhënien e më shumë të drejtave. Kjo nuk është njëlloj…”.
Me ardhjen e Millosheviqit në krye të KQ të Lidhjes komuniste të Serbisë (1986), situata politike dhe e sigurisë në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare jashtë sajë skajshmërisht u përkeqësua. Nën pretekstin se në Kosovë: “po bëhet pastrimi etnik”, ai i përkrahur edhe nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, si dhe nga qarqet e ndryshme serbomadhe, mbajti disa takime me elementet serbe e malazeze në Kosovë, në të cilat u theksua se gjoja “shpërngulja e tyre” është rezultat i “politikës oportuniste” të drejtuesve politik kosovarë, të cilët, “një periudhë të gjatë” nuk na paskan ndërmarrë asnjë aksion konkret për “përmbysjen e nacionalizmit e separatizmit shqiptar”, i cili sipas tyre”viteve të fundit po merr një agresivitet të skajshëm armiqësorë.”. Për rrjedhojë, në maj të vitit 1987, Kryesia e LKJ-së, miratoi Konkluzionet për siç thuhej “realizimin e qëndrimeve të LKJ-së për zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim bashkimin dhe bashkëjetesën në Kosovë”. Dy muaj më pas, përkatësisht në muajin korrik, Kuvendi federativ aprovoi “Programin jugosllav” në të cilin detajisht u përpiluan masat dhe aktivitetet që duhej të ndërmerreshin në Kosovë, për siç thuhej: “ndërprerjen e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve”, pastaj për: “kthimin sa më të shpejtë të atyre që e kanë lëshuar” Kosovën, si dhe “ardhjen e të gjithë atyre të cilët dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Kosovë”.
Mbështetur në këto vendime, në Kosovë gjatë viteve 1988-1990 qenë stacionuar qindra agjent të shërbimit sekret nga Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Vojvodina, të cilët në mënyrë të paskrupullt e torturuan popullsinë e pafajshme shqiptare. Burimet e shërbimit sekret të Armatës jugosllave KOS, njoftonin se midis periudhës 1981-1988, në APJ ishin “zbuluar 243 grupe të organizuara ilegale” në të cilat ishin “përfshi 1627 përfaqësues të kombësisë shqiptare në APJ”. Një luftë e ashpër gjatë kësaj periudhe kohore u zhvillua edhe kundër mërgatës shqiptare në përgjithësi, e të organizatave të tyre politike në veçanti. Kjo luftë mund të shihet në dokumentin me titull “Programi i veprimtarisë së Sigurimit Shtetëror të SFPB-së” për vitin 1989, ku në pjesën ku bën fjalë për emigracionin politik shqiptar veç tjerash thuhet: “ShSSh-ë (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror-Q.L) gjatë veprimtarisë do ta harmonizoj punën e ShSSh-së të SRPB-së dhe të SKPB-së (Sekretariatit Republikan për Punë të Brendshme dhe Sekretariatit Krahinor për Punë të Brendshme-Q.L) në zbulimin, përcjelljen, dokumentimin dhe pamundësimin e veprimtarisë së emigracionit armiqësor shqiptar, do t’i koordinojë masat ndaj organizatave kryesore të emigracionit – Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, Organizatën Nacional Demokratike Shqiptare dhe Lidhjen Kosovare, përmes përpunimeve me prioritet, aksioneve dhe kombinimeve operative, hulumtimeve operative, rrjetit të bashkëpunëtorëve, aksioneve propagandistiko-psikologjike etj…”.
Duke u ndal në përndjekjen dhe përcjelljen e aktivitetit e të veprimtarisë së LPRK-së, në program shprehimisht thuhej: “Do të harmonizohen masat dhe veprimtaritë e ShSSh-së të SRPB-së dhe të SKPB-së përmes përpunimeve prioritare, aksioneve e kombinimeve. Veçmas ndaj udhëheqjeve të fraksioneve të LPRK-së në Zvicër, RF të Gjermanisë, Suedi dhe ShBA, si dhe futjen dhe përforcimin e pozitave të bashkëpunëtorëve kualitativ (‘Trigllav’, ‘Arton’, ‘Laborant’, ‘Riki’, ‘Adet’, ‘Hetam’, ‘Svera’, ‘Askona’, ‘Flaka’)…”.
Në këto rrethana, me nismën e 215 intelektualëve shqiptarë, në dhjetor të vitit 1989, në Kosovë u formua Lidhja Demokratike e Kosovës – LDK, e cila në atë kohë në opinionin e gjerë të brendshëm e të jashtëm njihej si “alternativa kosovare”. Menjëherë pas themelimit, LDK-ja zhvilloi një aktivitet të dendur, i cili u fokusua në dy drejtime: strukturimin e brendshëm të sajë dhe në afirmimin ndërkombëtar të çështjes së Kosovës. Rreth këtyre aktiviteteve, Sekretariati Federativ për Punë të Brendshme, vlerësonte se në: “KSA të Kosovës situata e përkeqësuar politike dhe e sigurisë edhe më tej po mbahet në rrjedhat e përgjithshme të sigurisë në vend”, dhe se: “krahas grupeve dhe organizatave ilegale, nga janari i këtij viti në rritje të dukshme është aktiviteti i alternativës kosovare, veçmas i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, në krye të së cilës “gjenden kryesisht separatistë shqiptarë nga mjediset intelektuale, si dhe një numër i madh i ish të dënuarve politik”. Në një dokument tjetër të po këtij sekretariati, përshkruhej aktiviteti i bujshëm i mërgatës shqiptare në SHBA, e cila siç thuhej mbështetet fuqishëm: “nga disa anëtarë të trupave përfaqësuese amerikane (grupi i kongresistëve dhe të senatorëve: Diogardi, Krejn, Brumfild, Sajmon, Doll, Rigell, Lentosh), të cilët janë shumë të angazhuar në luftë për të drejtat e Shqiptarëve në RSFJ.”. Krahas ndihmës për organizimin e demonstratave antijugosllave, thuhej më tej në dokument “emigracioni shqiptar ka marrë ndihmë të dukshme financiare për hapjen e zyrës në Washington (Albanian American Edukation Fondation), e cila është në funksion të përfaqësimit zyrtar të Shqiptarëve në SHBA”.
Në kushte të tilla, me 2 korrik të vitit 1990, në Kaçanik, u thirr mbledhja e Kuvendit të Kosovës, në të cilën siç dihet u miratua Deklarata e Kushtetutës së parë të Republikës së Kosovës, si dhe u vendos të formohet Qeveria e përkohshme e Kosovës, e cila për shkaqe objektive një kohë të caktuar do të vepronte jashtë territorit të Kosovës. Lidhur me këtë, kryesia kukull e RSFJ-së, që udhëhiqej nga bashkëpunëtori më i ngushtë i Millosheviqit, Borisllav Joviq, në mbledhjen e mbajtur më 3 korrik, konstatonte se Deklarata e Kaçanikut “ishte rezultat i veprimtarisë së organizuar shumëvjeçare të nacionalistëve e separatistëve shqiptar të orientuar kah cenimi i integritetit territorial të Republikës së Serbisë dhe RSFJ-së dhe pjesë përfundimtare e aktiviteteve për shkëputjen e Kosovës”. “Kryesia e RSFJ-së – thuhej më tej në dokument – është e vendosur se në mënyrë energjike duhet të ndërpriten të gjitha veprimtaritë antikushtetuese e antiligjore që mund të krijohen me rastin e shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës”. Për rrjedhojë, më 5 korrik 1990, organet policore e ushtarake serbe, brutalisht ndërhynë në institucionet e pavarura kosovare, ku u vendosën masa të dhunshme. Nga këto masa më së shumti pësuan institucionet informative siç ishin: RTV i Prishtinës, Rilindja, etj, ku u dëbuan nga vendi i punës mijëra shqiptarë dhe në vend të tyre u vendosën serbomëdhenjtë të ardhur nga vendet e ndryshme të Serbisë, Malit të Zi, Bosnjës e Hercegovinës etj. (koha.mk)