Zgjidhja e problemit me deponitë është një çështje e ndërlikuar që kërkon një angazhim të më shumë faktorëve, që nënkupton bashkëpunimin me komunat për vendosjen e sistemit të integruar rajonal të vetë qëndrueshëm për menaxhimin me mbeturinat në çdo rajon në shtet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 23 janar – Me qindra deponi në Maqedoni akoma janë të stërmbushura me mbeturina , në vend se me qindra e qindra tonë të mbeturinave të vendosen në deponitë rajonale. Plainifikohet që deri më vitin 2022 në shtet të krijohen disa deponi rajonale që do të ndihmojnë seleksionimin dhe riciklimin e mbeturinave. Pushteti nevojitet të angazhohet më shumë për ndërtimin e deponive rajonale në tërë vendin, duke ofruar sipas nevojave edhe mbështetje më të madhe dhe përfitime për komunat ku do të ndërtohen ato thonë nga shoqatat ekologjike . Nga Organizata “Ajde Maqedoni”, thonë se nevojitet një angazhim më i madh i shtetit për të vendosur sistemin për menaxhimin me mbeturina me qëllim që të tejkalohet çështja e vendosjes së sistemit për menaxhim me mbeturinat dhe problem me bllokimin e deponive rajonale në disa komuna .
“Popullata lokale shpesh nuk pajtohet me ndërtimin e deponive lokale edhe si rrjedhojë e mungesës së një fushate që do të shpjegojë rëndësinë e tyre për ambientin, por edhe së mungesës së një oferte konkrete për komunat ku do të ndërtohen deponitë duke filluar nga punësimet investimet në shkolla, spitale ngjashëm me shembujt në rajon”, thotë Bllazhe Josifovski nga “Ajde Maqedoni”. Në ndërkohë, nga Ministria e Ambientit thonë se zgjidhja e problemit me deponitë është një çështje e ndërlikuar që kërkon një angazhim të më shumë faktorëve, ndërsa një nga angazhimet e tyre kryesore është bashkëpunimi me komunat për vendosjen e sistemit të integruar rajonal të vetë qëndrueshëm për menaxhimin me mbeturinat në çdo rajon në shtet. Pritet që fillimisht që katër rajonet ai Juglindor, i Pellagonisë, Jugperëndimor dhe ai i Vardarit të përfshihen në projektin që do të zgjasë deri në muajin shkurt apo mars, së bashku me grupin e ekspertëve në bashkëpunim me Ministritë e Financave dhe të Ambientit së bashku me Bankën Evropiane për zhvillim dhe rindërtim. “Në rrjedhë e sipër është skriningu për rajonet dhe po bisedohet për vendosjen e konceptit modern për menaxhimin me mbeturinat. Pritet që përmes grantit të përcaktohen modelet përkatëse për menaxhimin me mbeturinat në këto rajone. Do të ofrohen modele të ndryshme për rajone të ndryshme në varësi prej numrit të popullatës, sasive të mbeturinave etj”, thonë nga Ministria e Ambientit.
Duke marrë parasysh kapacitetet e vogla financiare dhe teknike të komunave, si dhe vonesat që ato vetë të plotësojnë obligimet që dalin nga Ligji për menaxhimin me mbeturinat si dhe të themelojnë deponi për mbeturina komunale, Qeveria vendosi vitin e kaluar që të merr kompetencat nga komunat dhe filloi të realizoi procesin e themelimit të deponive rajonale në përputhje me Planin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për menaxhimin me mbeturinat. Në këtë drejtim me mjete të BE-së në periudhën e kaluar është përgatitur dokumentacioni projektues dhe i tenderit për vendosjen e sistemit rajonal për menaxhimin me mbeturinat në gjashtë rajone dhe atë në rajonin Jugperëndimor, të Shkupit, Pellagonisë, Lindor, Verilindor dhe të Vardarit.
Për rajonin Lindor, Verilindor janë siguruar mjete në vlerë prej 43 milion euro dhe intensivisht punohej në 18 komuna që duhet bashkërisht të formojnë ndërmarrje ndër rajonale për menaxhimin me mbeturinat që do të ekonomizojë me deponinë e ardhshme rajonale. Parashikohet që të mbyllen edhe deponitë e egra dhe të blihet pajisje dhe mjete për transportin e mbeturinave në këto dy rajone. Sa i përket rajonin të Pollogut është nënshkruar marrëveshje bilaterale ndërmjet qeverive të Zvicrës dhe Maqedonisë e vlefshme 9 milionë franga zvicerane, me çka duhet të fillojë realizimi i projektit gjashtëvjeçar që ka për qëllim përpunimin e dokumentacionit planifikues për vendosjen e sistemit rajonal për menaxhimin me mbeturinat, rehabilitimin e deponisë jostandarde, Rusino, dhe përforcimin e kapaciteteve teknike të komunave në këtë rajon. Në ndërkohë, statistika zbardh se Maqedonia përpunon vetëm 10 për të mbeturinave të përgjithshme që krijohet brenda një viti në shtet. Sipas të dhënave statistikore, në vitin 2014, nga 1.8 milion tonë të mbeturinave janë ricikluar vetëm 197.505 tonë mbeturina. Më së shumti mbeturina apo 88 për qind shkaktohet në industrinë përpunuese ku ekziston edhe më së shumti përpunim me 10.8 për qind, apo 178 mijë tonë mbeturina të ricikluara. Sipas njohësve të ekologjisë niveli kaq i ulët i përpunimit të mbeturinave që nuk përpunohen e ka burimin tek kapacitetet shumë të dobëta për ruajtjen dhe klasifikimin si duhet të llojeve të ndryshme të mbeturinave, vetëdijen e ulët për ruajtjen e ambientit jetësor , por edhe te vonesat në ndërtimin e impianteve moderne për përpunimin e mbeturinave komunale për prodhimin e energjisë për ngrohje. Sfidë do të mbetet edhe ndarja e llojeve të ndryshme të mbeturinave duke filluar nga metalet, plastika, mbeturinat organike, prej të cilave më vonë do të prodhohet bio-gaz dhe energji elektrike. (koha.mk)