Qefsere ABDYLI
Shkup, 18 shkurt – Problemi global me zjarrvënien e veturave assesi të anashkalojë Maqedoninë, ndërsa kompetentët me muaj vazhdimisht raportojnë për disa raste të veturave të djegura, shkruan gazeta KOHA. Më këtë trend filloi edhe viti 2017. Vetëm në fillim të vitit, sipas buletineve të policisë, nga flaka janë dëmtuar shtatë vetura, ndërsa dy javët e fundit janë vërejtur edhe katër raste ku janë djegur pesë vetura. Se trendi i veturave të djegura me qëllim shënon rritje vitet e fundit, këtë e tregojnë edhe të dhënat e Ministrisë për punë të brendshme në raportin e saj vjetor për vitin 2014. Sipas të dhënave të publikuara, pas vitit 2013 policia ka regjistruar 36 raste të zjarrvënies së qëllimshme, kurse vitin tjetër statistikat kanë treguar rritje për më shumë se 16 për qind kur zjarrvënësit kanë shkaktuar 42 zjarre të veturave. Supozimet e kompetentëve janë se motivet për rastet e tilla mund të jenë shkak i problemeve të pazgjidhura, mesazh-kërcënimi, frikësim, urrejtje, si dhe për mbulimin e gjurmëve të krimeve të tjera.
Se bëhet fjalë për frikësim apo pakënaqësi nga vendimi i gjykatës, ishin arsyet më të shpeshta për zjarrvënien e veturave të gjyqtarëve nga Gjykata e Velesit në periudhën e vitit të kaluar. Kishte dhe një rast kur veturës së gjyqtarit nga Velesi ia kishin prerë gomat. Ato raste ishin regjistruar në vitin 2014 dhe fillimin e vitit të kaluar, megjithatë edhe sot nuk ka të dhëna se dikush nga këto raste ka marrë vendim penal ligjore. Dhe kështu gjatë javës së kaluar i është vënë zjarri një veture në rrugën “11 Tetori” në Prilep, pronari i së cilës ka pohuar se zjarrvënia kë qenë e qëllimshme. Siç mësohet, zjarrfikësit në Pripep kanë intervenuar menjëherë, ndërsa policia ende punon në zbulimin e shkaqeve të zjarrëvënies.
Zjarrvënie të qëllimshme të veturave
Pardje, dy vetura ishin djegur në Veles, ndërsa siç qarkullojnë informacione, njëra veturë ka qenë pronësi e drejtorit të fabrikës në Veles “Maslodajna”, ndërsa vetura tjetër ka qenë e parkuar në afërsi, duke shkaktuar kështu dëmtime serioze.
Zjarrvënie të qëllimshme të veturave janë regjistruar edhe në komunën e Aerodromit, ku një i panjohur ka hedhur një shishe me lëndë djegëse mbi veturën e cila ka qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë. Pronarja e veturës A.N, rastin e ka paraqitur në polici dhe ka thirrur zjarrfikësit, të cilët kanë arritur të shuajnë zjarrin. Para dy javëve i është vënë zjarri një veture në lagjen e Sarajit, por policia ka pohuar se është djegur vetëm pjesa e brendshme e veturës. Rastin në njësinë për informacione dhe komandë e ka paraqitur A.I nga Saraji, i cili në oborin e shtëpisë së tij ka vërejtur persona të panjohur si hedhin gjësende në veturën e tij. Vënia e zjarreve me qëllim, sipas legjislacionit të Maqedonisë, paraqet vepër penale dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, ku nuk bëjnë pjesë vetëm zjarrvëniet e veturave, shtëpive apo objekte tjera, por edhe rreziqet e shkaktuara nga përmbytjet, shpërthim, helm, gaz helmues, energji elektrike etj. Me këtë lidhen edhe sanksionet për të shkatërruar pronë të huaj, ndërsa dënimi matet edhe sipas dëmit të bërë. Situata në nivel global, sipas të dhënave të organizatës jo-fitimprurëse Shoqata nacionale për mbrojtjen nga zjarri, tregon se mesatarisht në vit nga të gjitha zjarret e raportuara në botë, rreth 20 për qind janë zjarrvënie të veturave.
Kur bëhet fjalë për motivet, ajo që flitet në përditshmëri tregon se më shpesh bëhet fjalë për hakmarrje, kërcënime apo çështje të pazgjedhura. Për vepra të tilla, sipas Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë, parashihet burgim deri në pesë vjet. Zjarrvënie e qëllimshme është mënyrë e hakmarrjes dhe mes qytetarëve në vendet e rajonit. Sipas asaj që shkruajnë mediat në Ballkan, në muaj mesatarja e veturave të djegura për shembull, në Bosnjë dhe Hercegovinë, është rreth njëzet. Kompetentët aty kanë vërejtur se rastet e tilla shpesh i kryejnë persona të tretë me urdhër të një apo dy palëve të cilët hasin në keqkuptime. Për ndezjen e veturave, siç raportojnë mediat, personat paguajnë prej 50 deri 100 euro. Përvoja e shërbimeve amerikane tregon se ata merren me rastet më të rënda, ku ka pasoja fatale. Në SHBA dhjetë për qind nga zjarret e paraqitura janë në vetura, ku kanë humbur jetën gjashtë për qind e numrit të përgjithshëm të personave të përfshirë në zjarre. Nga raporti, i cili mund të gjendet në faqet zyrtare të shërbimeve zjarrfikëse, është konstatuar se në periudhë prej katër vjet (2006-2010) ata kanë intervenuar në rreth 150 mijë raste, në të cilat jetën e kanë humbur 209 persona, ndërsa rreth 760 persona janë lënduar. Dëmi material është vlerësuar në mbi 530 dollarë.
Më shumë vetura të djegura në Shkup, Prilep dhe Tetovë
Sipas të dhënave zyrtare, në dhjetë muajt e parë të vitit të kaluar janë regjistruar 27 vepra penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm (ndaj veturave), ndërsa në vitin 2015, numri ka qenë 61. Thënë me fjalë të tjera, deri në tetor të vitit 2016 në Maqedoni janë djegur nga dy deri në tre vetura, ndërsa para dy viteve mesatarja ka qenë pesë. Shkupi është qyteti ku zjarrvënësit më shpesh kanë vënë zjarre. Siç raportojnë nga Ministria për punë të brendshme, nga 27 raste në dhjetë muajt e fundit, 11 janë regjistruar në zonën e kryeqytetit. Para dy viteve janë regjistruar 61 raste, në kryeqytet janë regjistruar 42, nga të cilët dy në automjete të rënda. Në periudhën prej janarit deri në tetor të vitit të kaluar, sipas të dhënave të policisë, i dyti në listë është Prilepi me katër raste, ndërsa pas tij me nga tre raste renditen Tetova dhe Velesi. Dy krime kanë ndodhur në Gostivar, ndërsa nga një në Manastir, Gjevgjeli, Kumanovë dhe Ohër.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.