Po intensifikohet fushata për zgjedhjet parlamentare të 15 korrikut. Bartësit e listave të kandidatëve për deputetë vijojnë takimet e tyre me qytetarë, prezantimet në rrjetet sociale dhe mediat elektronike e tradicionale
Destan JONUZI
Shkup, 4 korrik – Lideri i partisë në pushtet LSDM-së, Zoran Zaev dhe i asaj opozitare VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski vazhdojnë të kërkojnë mbështetje më të madhe nga qytetarët maqedonas me qëllim që të mos kushtëzohen nga partneri i ardhshëm qeveritar, në këtë rast BDI-ja me postin e kryeministrit shqiptar. Zaevi përveç kësaj, kërkon mbështetje më të madhe me qëllim që të vazhdojë, siç shprehet ai, në rrugën e drejtë, ndërsa Mickoski që të ripërtëri Maqedoninë. “Mund ti zgjedhim çështjet e mëdha historike për vendin tonë që të mund ajo të ec përpara, të integrohet, të filloi bisedimet me BE-në etj.”, ka deklaruar Zaev. Kemi treguar, ka theksuar Zaev se dimë të zgjidhim çështje të mëdha, e kemi ngritur ekonomin etj. “Kemi treguar se mundemi. Në periudhën në vijim do të kemi edhe rroga më të mëdha, pensione, vende të mjaftueshme pune, që të mund ti bindim të rinjtë të punojnë dhe veprojnë këtu, për arsye se kjo është Maqedonia jonë dhe duhet që në vendin tonë të jemi produktiv”, ka deklaruar Zaev.
Sipas liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski zgjedhjet e 15 korrikut do ta përcaktojnë të ardhmen e Maqedonisë. “Këto janë zgjedhje në të cilat duhet të flasim me zë për gjithë padrejtësinë, gënjeshtrën, kriminalitetin, korrupsionin, ‘lui viton’ çantat, vendimet gjyqësore etj., dhe të zgjedhim të vërtetën dhe ripërtrirjen. Këto janë zgjedhje në të cilat qytetarët duhet të vendosin se në çfarë Maqedonie duan të jetojnë”, ka deklaruar Mickoski. Ai madje ka dhënë garanci se gjithçka që shkruan në programin e tyre elektoral do të realizohet. Në anën tjetër, kandidati për kryeministrin e parë shqiptar, Naser Zyberi ka theksuar se ai angazhohet për reforma përmbajtësore në më shumë fusha, politik, ekonomi, çështje sociale nga të cilat dobi do të kenë vetëm se qytetarët e Maqedonisë. “Reforma të vërteta që ti tejkalojmë problemet. Reformat nuk do të jenë vetëm se në letër, por të nënkuptojnë edhe jetë më të mirë për të gjithë”, ka theksuar Zyberi.
Deputetit bullgar dhe raportuesit për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Ilhan Kyçyk vlerëson se në Maqedoni, zhvillohen dy fushata parazgjedhore të ndryshme në koncept – për kthimin e vendit ku ishte tre vjet më parë ose të vazhdohet në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në një deklaratë për radion bullgare “Fokus” thotë se ekziston një debat i vështirë dhe kompleks për vlerat thelbësore dhe për atë se ku politikanët maqedonas duan ta shohin vendin e tyre. “Disa angazhohen që vendi të kthehet në vendin ku ishte tre vjet më parë, ndërsa të tjerët e mbështesin idenë se ajo duhet të vazhdojë të zhvillohet në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së. Ka edhe disa ide të tjera, që vijnë kryesisht nga partitë që synojnë të tërheqin votues nga pakica shqiptare”, tha Kyçyk. Sipas tij, nuk ka rreziqe të veçanta për fushatën zgjedhore në Republikën e Maqedonisë e Veriut, nuk ka bojkot, të gjitha forcat politike u bëjnë thirrje qytetarëve që të votojnë më 15 korrik.
Gazetari Berat Azizi vlerëson se java e parë e fushatës e gjitha ka kaluar me një retorike akuzash nacionaliste sidomos nga ana e partive politike maqedonase, kurse partitë shqiptare në opozitë më shumë kanë akuzuar BDI- për punët gjatë 18 viteve sa ka qenë në pushtet kurse kjo e fundit ka promovuar idenë e një kryeministri shqiptar. “Fushata në javën e parë ka qenë e nxehtë por partitë politike nuk janë fokusuar sa duhet në programin e tyre, në platformën politike dhe të bindin votuesin se sa janë reale ato dhe si mund të realizohen pas 15 korrikut. Në javën e fundit të fushatës elektorale unë pres se do të jetë më e nxehtë, më aktive me një retorike më të ashpër dhe më konfliktuoze për të krijuar zgjuar interesi në opinion sepse si duket partitë e kanë kuptuar se votuesit më shumë zgjohen kur kemi një fushatë të ashpër, me akuza dhe retorike nacionaliste se sa një fushatë me premtime konkrete”, shprehet Azizi. Sipas tij, edhe në ditët në vijmë fushata do të koncentrohet në retorikën boshe, në premtime të cilat vështirë se do mund të realizohen në një vend si Maqedonia ku GDP është në nivelin më të ulët dhe në kohën kur ne po renditemi në vendin e fundit në Evropë në të gjitha aspektet. “Ajo që është pozitive në këtë fushatë ka të bëjë me faktin se nuk do dëgjojmë sloganin euro-integrime, por vetëm akuza pa ndonjë propozim konkret. Në javën e dytë partitë do të synojnë të vizitojnë të gjitha rajonet madje edhe fshatrat në kërkim të votës gjithnjë duke u premtuar mirëqenie ekonomike dhe sociale, dhe duke akuzuar kundërshtarin për mungesë kapaciteti dhe mungesë programi real”, nënvizon Azizi.
Në anën tjetër, opinionistja Aleksandra Mitevska thotë se premtimin e vetëm që e kanë mbajtur politikanët është se për shkak të krizës shëndetësore me koronavirusin, do ti kufizojnë takimet me qytetarë dhe se pjesën më të madhe të fushatës do ta bëjnë në rrjetet sociale dhe media. “Në dhjetë ditët e fundit të fushatës, do të ketë edhe më shumë akuza e kundër akuza të tipit se kush ka bërë më shumë e kush më pak për Maqedoninë. Pres fushatë edhe më të zezë nga kjo që është duke u zhvilluar, për arsye se investimi në këto zgjedhje është i madh. Këto zgjedhje të cilat po zhvillohen në një situatë specifike, për LSDM-në, por edhe për BDI-në janë luftë për të mbajtur pushtetin, ndërsa për udhëheqësin e re të VMRO-DPMNE-së këto janë zgjedhje test për fuqinë e tyre reale në teren”, theksoi Mitevska.
Ndryshe nga dhjetë ciklet e kaluara zgjedhore që kur Maqedonia është e pavarur, për herë të parë në zgjedhjet e 15 korrikut për shkak të krizës shëndetësore me koronavirusin, qytetarët do të votojnë tre ditë, 13,14 dhe 15 korrik dhe me kohëzgjatje ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, nga ora 7 deri në ora 21, e jo deri në ora 19 siç është praktik e proceseve zgjedhore në vend. (koha.mk)