Sipas statistikave jo-zyrtare, afër 40.000 nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme kanë mungesë të mjeteve teknike në të gjithë vendin. Ka ekzistuar mundësua që në këto gjashtë muaj, Ministria e Arsimit t’i bëjë librat në formën pdf, por nuk ka pasur asnjë lëvizje në këtë çështje. Një numër i konsiderueshëm i nxënëseve kanë mungesë të pajisjeve personale e cila do ta vështirësoj edhe më shumë mbarëvajtjen e procesit mësimor nga distanca
Zenel MIFTARI
Shkup, 25 shtator – Tani më është e ditur se procesi mësimor për vitin akademik 2020/2021 do të filloj përmes platformës nacionale për mësim online, me përjashtim të fëmijëve nga klasa e parë deri në klasën e tret. Mësimdhënësit në të gjithë vendin veç më kanë filluar që të ndjekin trajnime në shkolla se si ta përdorin platformën nacionale të përgatitur nga Ministria e Arsimit.
Por problemi dhe pengesa që u paraqitën vitin e kaluar për të zbatuar me sukses mësimin nga distanca, ishte mungesa e nxënësve me pajisje teknike. Sipas statistikave jozyrtare, afër 40.000 nxënës nga shkollat fillore dhe të mesme kanë mungesë të mjeteve teknike në të gjithë vendin. Ndërkohë edhe pengesa tjetër që has platforma nacionale deri në implementim e plot të saj është dhe lidhja e dobët e internetit në disa zona rurale të vendit. Sipas trajnueseve, platforma të cilën e kanë përgatitur nuk do të ketë problem që të përballoj deri në 300.000 përdorues, por nëse shkollat apo një zonë e caktuar nuk ka internet të fort atëherë do të paraqitet problem në përdorimin efikas të saj.
MATERIALE MËSIMORE TË SHTYPURA SI ALTERNATIVË E INTERNETIT
Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, për gazetën KOHA, kanë deklaruar se sipas pikës shtatë të Plani për mbajtjen e mësimit në shkolla fillore dhe të mesme për nxënësit që nuk kanë qasje në pajisje teknike ose në internet, shkolla organizon orë me prani fizike në shkollë, me pëlqimin e prindërve apo kujdestarëve dhe me pëlqimin ekskluziv të Qeverisë në procedurën e përcaktuar nga pika gjashtë e këtij Plani.
“Nëse prindërit nuk pajtohen që procesi mësimor të mbahet me prani fizike, atëherë shkolla përgatit materiale mësimore të shtypura, të cilët do t’i marrin prindërit në bashkëpunim me kujdestarin e klasës. Përveç kësaj në interes të fëmijëve, shkollat në bashkëpunim me prindërit do të sigurojnë shkëmbimin e sigurt të materialeve shkollore për nxënësit, detyrat e shtëpisë dhe materialet tjera mësimore të nxënëseve”, sqarojnë nga Ministria e Arsimit. Nga atje njoftojnë se Platforma funksionon vetëm me një shfletues uebi (Chrome, Microsoft Edge, Safari) dhe nuk ka nevojë për instalim të asnjë programi shtesë. Karakteristikat minimale të një kompjuteri që do të përdoret nga mësimdhënësit për të hyrë në platformë janë minimumi katër GB memorie dhe një procesor me dy procesora. “Në mënyrë që të merrni të gjitha funksionet e platformës mësimore në internet, nevojitet një minimum prej sistemit operativ Windows 8.1 – thonë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës”, përfunduan nga MASH.
NXËNËSIT NUK KANË PAJISJE PERSONALE
Arsimtari Faton Curri, nga Shkolla fillore “Imri Elezi” për gazetën KOHA është shprehur se ka ekzistuar mundësua që në këto gjashtë muaj, Ministria e Arsimit t’i bëjë librat në formën pdf, por nuk ka pasur asnjë lëvizje në këtë çështje. Sipas tij, shkollat kanë mungesë të librave fizik dhe me bërjen e librave në formën pdf, do t’ishin zgjidhur dy probleme të nxënëseve dhe arsimtareve. “Nxënësit ende se kanë idenë se cila është adresa e Platformës, e mos të flasim për njohur rreth veglave të Platformës ku do të mbahet mësimi. Më shumë se gjysma e nxënëseve kanë mungesë të pajisjeve personale të tyre e cila do ta vështirësoj edhe më shumë mbarëvajtjen e procesit mësimor nga distanca”, shprehet ai. Fatoni, ka shtuar se vitin e kaluar pajisjet e vetme që janë sjell në shkollë kanë qenë nga kompania “Ecolog”për 10 nxënës, që siç tha ai, janë munduar t’i ndajnë tek fëmijët e familjeve me rast social, por edhe pse janë ndarë tabletat tek ata familje disa nga ata nuk kanë qenë të lidhur me internet në shtëpi.
“Shteti patjetër duhet t’i dalë në ndihmë nxënëseve për sigurimin e kushteve elementare për realizimin e procesit arsimor falas, i cili është i përcaktuar edhe në ligjin për arsimin fillor dhe të mesëm”, nënvizoi Curri. Ndryshe, Qeveria ka miratuar raportin për punën e Komisionit për shqyrtimin e kërkesave të paraqitura nga shkollat për organizimin e orëve me prani fizike. Nga të gjitha kërkesat, gjithsej janë lejuar 169 shkolla të mbajnë mësim me prani fizike. (koha.mk)