Shpatulla vijon të shqetësojë Maria Sharapova, duke e detyruar të heqë dorë nga turneu Masters i Indian Wells (Amerikë), që nis në javën e parë të marsit. Lajmin e kanë zyrtarizuar organizatorët e turneut amerikan, që thanë se tenistja ruse u ka konfirmuar mungesën e saj, turne të cilin e ka fituar dy herë në karrierën e saj (2006 dhe 2013).
Ky dëmtim dhe tërheqje e radhës e bukuroshes ruse tregon se problemet fizike nuk po e lënë rehat tenisten 31-vjeçare. Ajo rrezikon të tërhiqet edhe nga turneu Masters i Majemit, që nis pas atij të Indian Wells. Nga rikthimi i saj në fushë pas dopingut, në prill të 2017-ës, ajo ka pësuar një seri dëmtimesh dhe shpatulla ka qenë shpesh pengesë që ajo të luajë rregullisht.