Urim HASIPI
Tetovë, 25 tetor – Analizat e Qendrës për Shëndet Publik në Tetovë, kanë treguar se uji është i sigurt për pije. Kështu ka thënë Ratko Davidovski, mjek në Shtëpinë e Shëndetit në Tetovë, duke shtuar se këto analiza janë bërë ditën e hënë dhe të martë, pas denoncimeve të qytetarëve se uji mban erë pesticidesh. Davidovski tha se gjendja e uji në aspektin teknik dhe mikrobiologjik i plotëson të gjitha kushtet, shkruan gazeta KOHA.
“Kemi bërë analiza edhe në qytet brenda, personalisht kam qenë edhe në Kodrën e Diellit dhe në një rezervuar. Po ashtu analiza kam bërë edhe para hyrjes së ujit në rezervuar dhe pas daljes. Edhe në vendet tjera gjithnjë del se uji është i pastër dhe i plotëson kriteret kryesore për t’u konsumuar”, tha mjeku Davidovski.
Më tej ai ka shtuar se për të qenë të sigurt në analizat e ujit, ato janë dërguar në Shkup. “Neve nuk na kanë mjaftuar analizat tona që janë bërë. Ne i kemi dërguar në Shkup dhe presim përgjigje prej atje. Nuk dyshoj se do të ketë ndryshime apo dallime nga analizat tona, por do të presim përgjigjen prej tyre që të jemi më të saktë”, tha ai.
Në ndërkohë, nuk ka asnjë sqarim se pse ndodhi kjo me ujin e pijshëm në qytetin e Tetovës. Davidovski thotë se në bazë të analizave uji është i pastër, por ajo se çfarë erë përmban ende nuk është zbuluar, sepse është vështirë që të zbulohet se për çka bëhet fjalë. Ndërkaq, ka reaguar sërish Lëvijza Eco Guerilla, e cila i ka quajtur joserioze deklarata e Shërbimit për informim të Komunës së Tetovës. Në këtë drejtim, Lëvizja Eco Guerilla dënon ashpër deklaratën joserioze dhe nënçmuese të zëdhënësit të Komunës së Tetovës, ndaj qytetarëve të cilët janë të shqetësuar seriozisht për shkak të cilësisë së ujit të pijshëm, që ditët e fundit mban erë apo shije të çuditshme, si ajo e gazit apo kimikateve.
“Edhe pse nuk është kompetent, zëdhënësi i Komunës së Tetovës, të martën i ka demantuar si të pavërteta këto ankesa të qytetarëve, duke thënë se nuk ka asnjë problem me ujin, edhe pse ankesat e qytetarëve i ka vërtetuar edhe Instituti për Shëndetësi Publike, si institucion i vetëm kompetent. Këtë deklaratë e vlerësojmë si skandaloze, arrogante dhe si tallje me dinjitetin e qytetarëve, për të fshehur faktin se në Tetovë qytetarëve po u mohohet e drejta kushtetuese për ujë të pijshëm. Ndërkaq Instituti për Shëndet Publik vlerëson që uji për pije në Tetovë “ka shije të re, por nuk ka erë”. Sipas tyre, uji nuk ndalohet për përdorim, por nuk rekomandohet të pihet”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Eco Guerilla.
Më tej nga kjo Lëvizje kanë theksuar se presin që të vërtetohen shkaqet për këtë cilësi të ujit në Tetovë. “Këto deklarata kundërthënëse nga Komuna e Tetovës dhe nga Instituti për Shëndet Publik, edhe më shumë hutojnë qytetarët e Tetovës. Kërkojmë edhe një herë nga Komuna e Tetovës, në vend të fushatës parazgjedhore, prioritet të ketë shëndetin e qytetarëve. Ajo që pritet urgjentisht, janë sqarimet e verifikuara shkencërisht, për cilësinë e ujit dhe veprimet që duhet të ndjekin qytetarët e Tetovës”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Eco Guerilla.
Ditët e fundit uji në Tetovë mban erë të pazakontë si ajo e pesticideve kimike. Kjo dukuri ka ndodhur në shumë lagje të Tetovës, prej nga kanë raportuar se uji mban një erë të rëndë, me ç`rast krahas raportimit në rrjetet sociale, po ashtu ata këtë e kanë raportuar edhe në qendrën për shëndet publik. Përndryshe, ende nuk ka ndonjë qëndrim nga ana e Ndërmarrjes Publike Komunale-Tetova-Tetovë lidhur me këtë situatë në rrjetin e ujësjellësit të Tetovës. Por, nga Qendra për Shëndet Publik thonë se ata qytetarë që hezitojnë të konsumojnë ujin, mund të shfrytëzojnë ujë të ambalazhuar.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.