Pothuajse të gjitha faqet e internetit të përkushtuara ndaj teknologjisë konsiderojnë se modeli i ardhshëm iPhone do të ketë me siguri edhe opsionin e mbushjes pa tela. Ky do të ishte një lajm i mirë, por duket se prodhimi nuk po shkon sipas dëshirës. John Gruber, gazetar i njohur i faqes Daring Fireball, thotë se do të ketë probleme me mbushësin pa tela, pasi që vetë prodhimi i këtyre mbushësve do të shtyhet. Ai thotë se pjesa e harduerit është e gatshme, por duhet pritur prezantimin e vetë funksionit dhe po ashtu duhet pritur deri në ardhjen e përditësimit të ri iOS 11.1. Në Apple nuk dëshirojnë të dëshpërojnë përdoruesit me shtimin e funksionit, të cilin ende nuk mund ta përdorin, transmeton KosovaPress. Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit dhe nuk është e sigurt nëse parashikimet e Gruber do të realizohen. Por, dëshpëruese është se Apple, sipas tij, do të shesë mbushësit pa tela ndaras nga telefoni dhe se pritet që edhe çmimi tyre të jetë i lartë.