Probleme me kumarin, patologjia e kumarit apo varësia ndaj kumarit, të gjitha përshkruajnë një sjellje shkatërruese ku njerëzit shpenzojnë kaq shumë kohë dhe para në vendosjen e basteve që po shkaktojnë dëm në aspektet e tjera të jetës si psh familja dhe puna. Ata bëhen të varur nga sjellja e tyre, të paaftë për të ndaluar dhe të tërhequr vazhdimisht nga kumari, ndërkohë që bien në një borxh, duke dëmtuar marrëdhënie të rëndësishme dhe duke shkaktuar probleme në punë. Është e lehte të mendosh për kumarin si një shans për të bërë para lehtë. Por shumë njerëz me varësi ndaj kumarit nuk ndalojnë kur fitojnë një shumë të madhe – ata thjesht i shpenzojnë paratë për të vendosur edhe më shumë baste deri sa paratë mbarojnë. Një studim amerikan tregon se 6 % e të rriturve kanë probleme serioze me kumarin në një pikë të jetës së tyre.
Varësia dhe problemi
Varësia ndaj kumarit është një lloj çrregullimi i kontrollit të impulseve. Këta njerëz nuk mund ta kontrollojnë impulsin kur vjen puna për të luajtur kumar, edhe nëse ai po i dëmton ata dhe të dashurit e tyre. Njerëzit e varur nga kumari mendojnë vetëm për të dhe dëshirojnë vetëm të luajnë, pavarësisht pasojave. Ata vazhdojnë të luajnë kumar në çdo situatë dhe në çdo gjendje shpirtërore. Edhe kur ata e dinë se shansi është kundër tyre, ata s’mund ta pranojnë humbjen dhe nuk mund t’u rrinë larg kazinove ose qendrave të basteve. Megjithatë ekziston edhe një shkallë më e ulët e atyre që luajnë kumar. Këta janë njerëz që kanë një problem me bastet dhe lojërat e fatit, por nuk kanë dalë tërësisht jashtë kontrollit. Problemet e kumarit janë çdo lloj sjelljeje që lidhet me kumarin dhe që shkaktojnë dëme në jetën e atyre që luajnë. Nëse ju jeni të dhënë pas kumarit, shpenzoni gjithnjë e më shumë kohë dhe para pas tij dhe nuk hiqni dorë pavarësisht pasojave, atëherë keni problemin e të luajturit kumar.
Simptomat e varësisë ndaj kumarit përfshijnë:
– Shpenzojnë sasi të vazhdueshme kohe duke luajtur kumar
– Duke vendosur sasi të mëdha parash vazhdimisht sepse mundohen të rekuperojnë humbje apo thjesht për të patur të njëjtën ndjesi
– Kumari fillon të ketë prioritet mbi marrëdhëniet personale dhe të punës duke Gënjyer familjen dhe kolegët.
– Duke i fshehur familjes sasinë e shpenzuar apo humbjet në bixho
– Duke vjedhur vetëm për të luajtur (apo merr borxh përkohësisht, por pa patur në plan për t’a kthyer mbrapsht)
– Mungesë të kuptuari që ka një problem (ose mohim të problemeve) edhe pse ka prova për të kundërtën
– Humbje e interesit për hobi të tjera apo për jetën sociale
– Simptoma fizike në pamundësi për të luajtur për ndonjë arsye, si ankthi, irritimi apo dhimbja e kokës, probleme stomaku, rrahje të forta zemre dhe frikë.
– Simptoma të lidhura me stresin, veçanërisht depresionin, i cili mund të jetë i madh.
Trajtimi për problemin e kumarit
Çdo kumarxhi është unik dhe kërkon një program përmirësimi të veçantë për të. Çfarë funksionon për njërin, nuk është e thënë të funksionojë për të gjithë. Hapi më i mirë për trajtimin është të kuptosh se ke një problem me kumarin. Kjo kërkon fuqi të madhe dhe tepër kurajë, sidomos nëse keni humbur shumë para dhe ju është shkatërruar jeta. Shumë të tjerë kanë qenë në gjendjen tuaj dhe ia kanë hedhur. Të kalosh varësinë ndaj kumarit nuk është kurrë e lehtë, por shërimi është i mundshëm nëse i përmbaheni trajtimit dhe kërkoni ndihmë tek psikologët të cilët në varësi të personit, zgjedhin dhe terapinë e përshtatshme.