Shkup, 4 dhjetor – Edhe në 100 ditët e para të këtij mandati, pushteti nuk arriti të zgjidhë tërësisht problemin disavjeçar me përfaqësimin diplomatik. Vendi nuk ka akoma ambasadorë në SHBA, Rusi, në Kombet e Bashkuara dhe të tjerë. Së fundi është ndjerë mungesa e ambasadorit në Sofje. Para disa ditëve 8 ambasadorë janë dërguar nëpër përfaqësitë konsullore dhe diplomatike, për 12 të tjerë pritet intervistimi në Kuvend. Ministri i Jashtëm Bujar Osmani arsyetohet me faktin që ky është një problem i trashëguar.
Ne në ministri jemi të gatshëm që të dërgojmë dhjetëra ambasadorë që në dhjetor mirëpo presim që të kalojë kjo procedurë në Kuvend. Mbesin edhe diku 6 ambasada për të cilat akoma nuk kemi caktuar askënd’ deklaroi Bujar Osmani, ministër i Jashtëm.
Këshilli i ambasadorëve kishte vërejtje serioze për përzgjedhjen e kuadrove të zgjedhur për ambasadorë, të cilët i kishte quajtur “nën mesataren” dhe të afërt me partitë politike.
Problemi i stërzgjatur në diplomacinë vendase nuk u zgjidh as në mandatin e kaluar, edhe pse ishte premtuar. Ministria e Jashtme gjithashtu gjatë këtij mandati ka marrë përsipër krijimin e forumit të Prespës, forum për zgjidhjen e çështjeve bilaterale me shembullin e Marrëveshjes së Ohrit, të Prespës dhe Marrëveshjes me Bullgarinë. Publiku s’ka parë asgjë konkrete por Osmani thotë se janë në proces përgatitje.
Ne kemi formuar një grup pune dhe kam caktuar edhe koordinator i cili veçmë ka përgatitur draftin e parë të konceptit kështu që jemi në përgatitje. Unë besoj se nga fundi i janarit do të dërgojmë ftesat e para kryeministrave dhe ministrave të cilët do të ftohen në këtë forum të parë- pohoi Bujar Osmani.
Dhe ndërkohë që ngritën forume mbi shembullin e Prespës, Marrëveshja në fjalë ngec dukshëm në disa sfera të zbatimit, kjo kryesisht në sferën e energjetikës dhe rishikimin e teksteve shkollore. Greqia madje ka paralajmëruar pengimin e fillimit të negociatave të Shkupit me BE-në, në rast se marrëveshja nuk zbatohet.