“Në kohën kur politika globale është duke u transformuar në ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe humbjeve të mëdha të biodiverzsitetit, theksojmë se parqet nacionale kanë pasuri të përgjithshme, respektivisht ofrojnë shërbime për të gjithë komunitetin dhe jo vetëm të mira për sektorët të cilët eksploatojnë këto resurse”, thonë nga Platforma “Miqtë e Sharrit”
Urim HASIPI
Tetovë, 10 shkurt – Platforma “Miqtë e Sharrit” përmes një njoftimi ka theksuar se mos marrja e masave konkrete për të shpallur Malin Sharr park kombëtar është në kundërshtim me politikat për mbrojtjen e ambientit jetësor. Sipas tyre, në ligjin për mbrojtje të ambientit jetësor që ka të bëjë me ndalesën e aktiviteteve në parqet kombëtare, qëndron se në këto parqe mund të shfrytëzohen resurset natyrore dhe nuk është i ndaluar shfrytëzimi i kullosave. “Me rëndësi është që të thuhet se sipas ligjit për mjedis jetësor vetëm në zonat rreptësishtë të ndaluara, ndalohet shfrytëzimi i kullosave, për të cilën në të ardhmen do të angazhohemi që të ndryshohet kjo, me qëllim që të mirëmbahen kullosat në viset malore”, thonë nga kjo platformë.
Nga atje rikujtojnë se procesi i shpalljes së një pjese të Malit Sharr për Park Nacional përkrahet nga 83 për qind e popullatës lokale në bazë të një ankete “Miqtë e Sharrit” të publikuar në vitin 2016 ku kanë qenë të përfshirë gjashtë Komuna të Pollogut. Sipas tyre, stërzgjatja e procesit të mbrojtjes është në favor të disa individëve, të cilët interesat e tyre personale i vendosin para interesave të përgjithshme. “Jemi të informuar se në fillim të dhjetorit të vitit 2019 në Ministrin e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor është dorëzuar valorizimi për Malin Sharr, në të cilën janë propozuar kufijtë e jashtëm dhe të brendshëm të parkut nacional, por deri tash ky dokument nuk është i njohur për opinionin”, theksojnë nga kjo platformë.
Nga platforma “Miqtë e Sharrit” potencojnë se Maqedonia e Veriut e ka ratifikuar “Konventën e Bernës” për mbrojtje të kafshëve të egra dhe të mirave tjera natyrore. “Në këtë korniza është identifikuar lista e zonave të veçanta, në të cilën është kyçur edhe Mali Sharr, në ndërkohë duam të theksojmë se dëmtimi i disa pjesëve nuk shkon në favor të afirmimit të turizmit. Në kohën kur politika globale është duke u transformuar në ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe humbjeve të mëdha të biodiverzsitetit, theksojmë se parqet nacionale kanë pasuri të përgjithshme, respektivisht ofrojnë shërbime për të gjithë komunitetin dhe jo vetëm të mira për sektorët të cilët eksploatojnë këto resurse” thonë nga kjo platformë.
Sipas tyre, mos mbrojtja e Malit Sharr nuk shkon në favor të qëllimeve të strategjive nacionale për mbrojtje të natyrës dhe llojllojshmërive biologjike, kurse në planin ndërkombëtar nuk shkon në favor të ndërtimit të rrjetit të rajoneve mbrojtëse në Unionin Evropian, si obligim i patjetërsueshëm i vendit në rrugën e inkuadrimit në BE, shtojnë nga kjo platformë e cila nga viti 2015 është me mision për lobim dhe përkrahje të procesit për shpallje të Malit Sharr për Park Nacional. Ndryshe, këto komente vijnë pas deklaratës së kreut të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili ka thënë se shpallja e Malit Sharr për Park Nacional kërkon shumë procedura të cilët janë në kundërshtim me ligjin për mbrojtje të ambientit. Sipas tij, ende nuk dihet nëse me shpalljen do të ketë probleme nga ana tjetër. “Ekzistojnë procedura në përputhje me standardet ndërkombëtare për shpalljen e parqeve kombëtare, ne duam t’i plotësojmë ato, kur jemi të shtyrë nga kërkesa për të bërë diçka të mirë, si parku kombëtar duhet të dimë se cilat të drejta i mohojmë, si e drejta për të kullotur bagëtitë, siç është e drejta për të përdorur burime natyrore. Në fund, me konsensus të marrim vendim, këto janë gjëra të bukura, aq më shumë i promovojmë dhe mbrojmë ato dhe aq më shumë kujdesemi për pasojat. Le të shohim nëse kjo do të thotë mundësi për zhvillim të Kodrës së Diellit, nëse kufizohet diçka, cilat janë perspektivat dhe më në fund do të ketë një vendim”, ka thënë Zaev gjatë vizitës në Tetovë ditë më parë.
Nga Ministria e Ambientit Jetësor kanë theksuar se në vazhdë e sipër janë aktivitetet për përpunimin e versionit përfundimtar të Studimit për valorizimin e Malit Sharr dhe harmonizimin me sektorë tjerë të ekonomisë, pylltarisë, energjetikës, turizmit, pas çka do të fillojë procedura e shpalljes. Kohë më parë ministri për ambient jetësor ka deklaruar se Parku i ardhshëm Nacional do të shpallet në tetor të këtij viti, por për momentin kontestuese janë vetëm 10 për qind e rajonit të mbrojtur. (koha.mk)