Gazetarët nuk duhet të jetojnë as me frikën nga ndikimet e pushteteve dhe as me frikën e varfërisë. Dhe ta thuash këtë s’ka asgjë korruptive
Nga Nazim RASHIDI
Më është dhënë mundësia që shpesh të mbaj trajnime për rolin e medies dhe gazetarisë para audiencave të ndryshme, qofshin studentë, përfaqësues të shoqërisë civile, politikan të rinj apo edhe vetë politikanë aktiv. Ajo që kam vënë re, dhe me gjasë lidhet me arsimin edhe edukimin është se kujdesi ndaj lirisë së shprehjes nuk kuptohet plotësisht apo edhe roli i medies interpretohet shpesh në kontekste të politikës të çastit, ndërkohë që çështja është jetike dhe shkojnë përtej situatave të përditshmërisë. Atë që e them hapur para këtyre audiencave është, se nëse nuk jetojnë këta njerëz të pushteteve dhe jo vetëm, me vlerat që përcjell demokracia, ku liria e shprehjes është thelbi i saj, atëherë çdo lloj problemi e kemi pikërisht tek moskuptimi, mos vlerësimi, por sidomos mos zbatimi i rregullave të një shoqërie që ne pretendojmë se jemi. E drejta e shprehjes së lirë por njëkohësisht e informimit të drejtë është thelbi dhe themeli i një shoqërie demokratike. Por sa e kuptojnë këtë përfaqësuesit e ndryshëm të shoqërisë dhe sidomos sa e kuptojnë këtë politikanët? Kjo pyetje është po aq thelbësore sepse kur pushtetet janë në dorë të tyre, pikërisht kuptimi ose moskuptimi i disa fjalive të thjeshta për lirinë e shprehjes e bëjnë dallimin nëse ato shoqëri janë të lira ose jo. E bëra këtë parantezë sepse në Maqedoninë e Veriut po krijohet një antagonizëm mes gazetarëve, punonjësve mediatik dhe menaxhmenteve të mediave në raport me një ligj i cili do të duhet të kthejë disi reklamimin publik tek mediat. Diskutimin për këtë çështje dua ta shoh nga disa aspekte mbase të tjera, sepse nga ajo që shfaqet në opinion del se e gjitha është çështje parash, blerjeje, shitjeje dhe frikë.
Por ky debat në këtë mënyrë mua si gazetar më ofendon. E para ne nuk mund t’i ikim “fatkeqësisë” që mediat, për veç rolit të tyre, siç edhe e përshkrova më sipër, dhe tek të cilat vlera unë realisht besoj, janë dhe biznese. Dhe ky element gjithë çështjen e lirisë së shprehjes, interesit publik, mirë informimit e komplikon. Por ky është, ka qenë dhe do jetë realiteti. Në këtë marrëdhënie specifike, më ofendon i gjithë debati, kur çështja e fondeve, shihet menjëherë si diçka e ndyrë, problematike dhe korruptive.
Këtë padyshim e ndihmon atmosfera e përgjithshme momentale, ku korrupsioni është kryefjala, por sërish debati nuk mendoj se duhet të zhvillohet me këto postulate ose nga ky këndvështrim sepse na dëmton të gjithëve.
Ne thelbin e kemi me ato konceptet për lirinë dhe lirinë e fjalës, ku të kuptuarit e demokracisë dhe të jetuarit me rregullta e saj, nuk janë bërë pjesë e jona. Frika ime është se me ose pa para në mediat nga fonde publike, nëse ke pushtet që në mendësinë e tij nuk kanë kuptuar esencën e vlerave demokratike, ndikimet, blerjet, fikjet e mediave ato do të ndodhin gjithsesi.
Ohh po a nuk jemi ne dëshmitarë të një periudhë të tillë të errët të demokracisë tonë të brishtë? Por pyetja që nuk shtrohet sot është, pse ndodhte kjo? Për mua përgjigja është e qartë, kur një pushtet dëshiron të ndikojë, blejë, shuajë fjalën e lirë, mekanizmat pastaj janë vetëm formë. Përvoja jonë tregon se kjo bëhej sigurisht me futje fondesh në media, por bëhej edhe me zhdukjen e mediave në formë arbitrare. Por a mbaronte këtu? Jo. Bëhej edhe mos futjen fare të fondeve në disa media e sidomos me përfshirjen e pronarëve të mediave në biznese përtej mediave. Por çfarë dua të them? Esenca e një qeverisja autoritare, arbitrare, arrogante është te mendësia që ka politika e politikanët ndaj lirisë, fjalës të lirë, dhe demokracisë në vetvete. Prandaj mendoj unë, se debati shtrohet në mënyrë të padrejtë me një antagonizëm sidomos brenda faktorëve mediatik, ndërkohë do duhej parë më gjerë dhe nga këndvështrimi i mundësive. Që ta mbyll këtë pjesë, nëse pushteti dëshiron për ta ndikuar apo penguar median në misionin e saj, do përdor arsenalin e tij që do shkonte përtej fondeve nga fushatat publike. Dhe ky rrezik ka ekzistuar, ekziston dhe do ekzistojë përherë. Por a do veprojmë si gazetarë me këtë frikë si konstante? Po. Gjithmonë ka qenë kjo sfida.
Ne veprojmë në një kohë, ku për shkak sidomos të rrjeteve sociale, gazetaria, ajo profesionale po lëkundet. Paralelisht me këtë atmosferë, kur vetë gazetarët flasin për korrupsion mes vete, ngjallin dyshimet dhe rrënojnë edhe më shumë atë besueshmëri të lëkundur. Ajo që dua të ve në vëmendje është pikërisht ky moment, që vigjilenca e gazetarëve ndaj dëshirës dhe apetiteve për ndikim nga pushtetet nuk mund të ndalet. Në debatet e fundit përtej qëndrimeve pro dhe kundër futjes së fondeve publike në media, trajtimi i çështjes me armiqësi mes gazetarëve, mes gazetarëve dhe menaxhmenteve, vetëm sa i bën dëm imazhit të profesionit. Prandaj thirrja ime është, që diskutimet duhej dhe duhet të jenë me gjithëpërfshirëse. Këtu pa diskutim jemi ne vetë, që duhet të kujdesemi për një gjë të tillë, por po aq këtë duhej ta bënte dhe ta bëjë vetë politika. Ndryshimi i një ligji që “tremb” gazetarët s’mund të ndodhë pa një dëgjesë më të gjerë. Pajtohem me kolegët që shprehin kujdes. Ne ende kemi në skenë protagonistë politik që abuzuan shumë me ndikimin ndaj mediave. Nuk mendoj se leksionet janë mësuar. Por janë po aq legjitime dhe frikat nga varfëria. Një media, gazetarë të varfër a nuk janë më lehtësisht të ndikuar? Mes menaxhmenteve që duan më shumë fonde, dhe pushteteve që duan më shumë ndikim, jemi ne gazetarët. Dhe këtu në diskutime të hapura duhen shtuar presionet për zhdukjen e ndikimeve politike që kryekëput ka të bëjë me mendësinë e klasës politike.
Gazetarët nuk duhet të jetojnë as me frikën nga ndikimet e pushteteve dhe as me frikën e varfërisë. Dhe ta thuash këtë s’ka asgjë korruptive. Nëse dominon narrativi se media si biznes është në vetvete diçka e keqe, atëherë ne jemi po aq të korruptuar edhe nga privatët. Ose një qeverisje dashakeqe, duke derdhur para nëpërmjet subjekteve private, mund të blejë po aq median. Nga ana tjetër a nuk duhet të ketë një balans atëherë për interesin publik? Nëse shkojmë me logjikën se ai që të jep paratë, edhe të dikton mendimin, ku është interesi publik për të hulumtuar privatët që japin fondet në media? A nuk do sillnin fondet publik një mundësi të tillë? Një siguri mbase që nëse tërheqin ato fondet, ka të tjera që mund të sigurojnë vazhdimësinë e medies. Në përvojën time si gazetar, por edhe tuajën, kemi parë të gjitha. Edhe tërheqje e mosdhënie fondesh nga privatët edhe nga mosdhënie fondesh dhe sulme nga pushtetet. Ne duhet pikërisht të shkatërrojmë këtë mentalitet.
Nuk do guxoj të jap receta se çfarë duhet bërë, sepse sugjerimi im është se vetëm nëpërmjet një diskutim gjithëpërfshirës me gjithë faktorët, do të duhet të dalin idetë që në të gjitha rastet të binden të gjithë se përfituesit e fundit të jenë gazetarët dhe liria e tyre.Heshtja dhe refuzimi, ndërkohë që jemi në proces ndryshimesh ligjore mund të jenë më të dëmshme. Nëse hynë fondet publike në media, që po duket se do të ndodhë, ato kryekëput duhet të jenë në favor të gazetarisë, produkteve mediatike inovative, mirëqenies së mbrojtësve të fjalës së lirë. Kjo duhet arritur se s’bën. Mos harrojmë beteja me pushtetet do vazhdojë në vazhdimësi dhe nuk shoh asgjë të keqe që atë shprehjen, “shtypi i keq është më i mirë se sa mungesa e shtypit” ta kthejmë në një mendësi që “shtypi i mirë, është më mirë, se sa shtypi i keq”. Ky duhet të jetë motivi, në të gjitha diskutimet, ku mundësitë e zhvillimit të jenë parësore. Sugjerimet mes gazetarëve dhe punonjësve mediatik se gjithçka që vjen e shfaqet mund të jetë korrupsion, është një dëm dhe kjo është ajo që adresoj më shumë. Jo miq, edhe në ditët më të errëta, bashkë kemi reaguar për atë periudhë ku lira e medies u cenua. Ne duhet ti premtojmë vetes, se nëse përsëritet një gjë e tillë, do jemi edhe më të zëshëm që mos lejojmë një ndikim të tillë në të gjitha rastet. Vigjilenca duhet të jetë konstante, për të shpjeguar se mungesa e lirisë së medias, është në dëm të të gjithëve, sidomos njerëzve, të cilët duhet ti mësojmë të jenë pro medias. Vetëm kjo mendësi na shpëton, pa dallim se nga vinë fondet!
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)