Privatët më në numër, por të kursyer në punësime

Barrën më të madhe të studentëve (86.6%) dhe të punësuarve (81%) e mbajnë gjashtë universitete publike. Në 21 institucionet private janë të punësuar 497 profesorë apo 17 për qind të totalit, përderisa në dy institucionet fetare ishin 26 të punësuar apo 2 për qind

12

Laura PAPRANIKU

Shkup, 30 mars – Pavarësisht ndryshimeve të shumta, shpeshherë dramatike në sferën e arsimit të lartë, nëse shihen universitete dhe fakultete nga prizmi i numrit të studentëve nuk është e vështirë të konstatohet pavarësisht të gjithave ka pasur një stabilitet të qëndrueshëm, shkruan gazeta KOHA. Ka pasur gjithashtu iniciativa dhe ndërmarrje konkrete për mbylljen e institucioneve të arsimit të lartë të cilat nuk plotësojnë standardet për kryerjen e veprimtarisë arsimore dhe shkencore e megjithatë numri i tyre jo që nuk është zvogëluar por është rritur ndër vite.

Në shënjestër të iniciativave për mbylljen e institucioneve që nuk plotësojnë kushtet ishin sidomos universitete dhe fakultete private, por prapë se prapë të njëjtat qëndrojë në listën e institucioneve të akredituar. Në këtë listë janë hiq më pak se 19 universitete, fakultete dhe institute private duke kontribuar që në total numri i institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoni të shkojë në 29 sosh.

Listën e institucioneve të akredituara të arsimit të lartë e prijnë gjashtë universitete publike në vend, të cilat kanë edhe barrën më të madhe të veprimtarisë në fjalë. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në institucionet publike të arsimit të lartë përfshihen 86.6 për qind e numrit të përgjithshëm të studentëve dhe 81 për qind e kuadrit arsimor të angazhuar në to. Me status të veçantë, të institucionit privat-publik jo fitimprurës veçohet Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë (UEJL) si dhe me statusin e institucionit të themeluar me Ligjin e Akademisë Ushtarake dallohet Akademia Ushtarake “Gjeneral Mihajllo Apstollski’ në Shkup. Sakaq, mozaikut të institucioneve në fjalë i shtohen edhe dy institucionet fetare, Universiteti Ortodoks “Klimenti i Ohrit” në Shkup (UOSH) dhe Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup (FSHI). Pra në total në Maqedoni funksionojnë 29 institucione të cilat kanë leje për ushtrimin e veprimtarisë arsimore në nivelin e shkollimit të lartë.

Nëse analizojmë numrin e studentëve nga viti shkollor 2011/2012 deri në vitin 2016/2017 për të gjitha bashkë do të vërejmë se ai numër lëvizën në kuota të njëjta me ujë të vogla në vite të caktuara. Konkretisht, para gjashtë viteve (2011/2012) numri i studentëve të regjistruar ishte 58.747 ndërsa vitin e kaluar (2016/2017) raportohej për 58.083 studentë. MASH ka bërë të ditur se vitin që shkoi numri i studentëve të regjistruar në vit të parë (të gjitha institucionet e arsimit të lartë) përfshinte gati 30 për qind të numrit të përgjithshëm të studentëve që raportohej për atë vit. Pra, në vitin e parë të studimeve (duke mos përjashtuar ata që e kanë regjistruar vitin e parë për herë të dytë apo të tretë) ishin 16.710 studentë apo 28.8 për qind e totalit.

Lidhur me numrin e të punësuarve, në të gjitha institucionet e arsimit të lartë vitin akademik 2016/2017 numëroheshin 2.854 të punësuar në procesin e mësimdhënies në të gjitha thirrjet akademike: profesor i rregullt, profesor me korrespondencë (i asocuar), docentë dhe ligjërues i lartë. Pjesa dërmuese e tyre (2.331) sipas të dhënave të ESHS-së ishin të punësuar në universitete publike, konkretisht në “Kirili dhe Metodi” në Shkup, “Klimenti i Ohrit” në Manastir, Universiteti i Tetovës, “Goce Dellçev” në Shtip, “Apostol Pavle” në Ohër dhe “Nënë Tereza” në Shkup. Institucionet private pavarësisht listës së gjatë prej 21 universitete, fakultete dhe institute, duken të kursyera sa i takon numrit të punësuarve. Të gjitha bashkë në vitin 2016/2017 kishin vetëm 497 profesorë apo 17 për qind të totalit përderisa institucionet fetare (UOSH dhe FSHI) kishin 26 profesorë të punësuar ose 2 për qind e numrit të përgjithshëm të profesorëve punësuarve në sferën e arsimit të lartë. Ligji për arsim të lartë,që është aktualisht në fuqi është miratuar në vitit 2008 dhe që atëherë është ndryshuar plot 21 herë. Vetëm në vitin 2015 kishte pesë herë ndryshime dhe plotësime, ndërsa në proces e sipër është nxjerrja e një Ligji tërësisht të ri. (koha.mk)

Comments are closed.