Në zhvillimin e bletarisë një vend të veçantë ka edhe subvencionimi. Anëtarët e shoqatës të bletarëve dibran thonë se subvencionet që marrin dibranët stimulojnë rritjen e numrit të koshereve, rritjen e numrit të bletarëve të rinj dhe normalisht – rritjen e prodhimtarisë të mjaltit
Vjollca SADIKU
Dibër, 25 maj – Kjo pranverë me kushtet atmosferike ka stimuluar prodhimtarinë e mjaltit në rajonin e Dibrës. Temperaturat e larta dhe sezoni me pak të reshura shiu do të ndikoj shumë pozitivisht në rritjen e prodhimtarisë të mjaltit, thonë përfaqësuesit e shoqatave lokale të bletarëve dibran. Viteve të fundit, bletarët e rajonit të Dibrës dhe të Zhupës kanë patur probleme me prodhimtarinë e mjaltit. Të dhënat e shoqatave të bletarëve thonë se nga viti në vit ka patur një rënie të prodhimtarisë të mjaltit dhe vitin e kaluar – prodhimtaria në rajon ka qenë 14 tonë. Kultivuesi i mjaltit, Atli Dema, thekson se sivjet pritet një rritje e prodhimtarisë nga 20 deri në 30 për qind – që do të thotë afër 18 ton mjaltë. Po sipas tij, kushtet tejet të volitshme garantojnë një kualitet të lart të mjaltit. Anëtarët e shoqatës shtojnë se deri në fund të këtij muaji pritet faza e parë e prodhimtarisë të mjaltit. Sipas tyre, këto ditë pritet që bletët të shfrytëzojnë edhe lulen e bagremit – akacia, nga e cila poashtu prodhohet një mjaltë kualitativ.
Kur jemi tek bletaria në Dibër dhe rajonin më të gjerë, duhet theksuar se numri i bletarëve nga viti në vit shtohet. Aktualisht në Dibër dhe Qendër Zhupë ka mbi 70 bletarë, të cilët tentojnë në çdo sezon të shtojnë kosheret e bletëve. Mjalti që prodhohet në këto treva ka kualitet të cilin e pëlqejnë ekspertët në këtë fushë. Për këtë shkak, edhe çmimi i mjaltit dibran është mbi 10 euro për kilogram. Edhe pse bëhet fjalë për një çmim pak si të lartë, kualitetit i mjaltit dibran mundëson që shitja e tij të bëhet në kohë. Për mjaltin dibran janë të interesuar jo vetëm banorët lokal, por edhe banorët e shumë qyteteve të tjera të vendit, si edhe nga qytete kufitare të Shqipërisë. Bletarët e këtij rajoni më perëndimor të vendit, përveç mjaltit – prodhojnë edhe prodhime të tjera të bletës siç janë propolisi e tjerë.
Në zhvillimin e bletarisë një vend të veçantë ka edhe subvencionimi. Anëtarët e shoqatës të bletarëve dibran thonë se subvencionet që marrin dibranët stimulojnë rritjen e numrit të koshereve, rritjen e numrit të bletarëve të rinj dhe normalisht – rritjen e prodhimtarisë të mjaltit. Për këtë shkak ata presin që të rritet niveli i subvencioneve me qëllim që të rritet prodhimtaria e mjaltit. Kushtet të cilat i posedon Dibra dhe rajoni janë tejet të volitshme për prodhimtarinë e mjaltit. Vegjetacioni i pasur, si dhe ambienti ekologjik mundësojnë mjaltë të shëndetshëm. Para disa viteve, vetëm një grup i vogël i bletarëve dibran filloi me prodhimtarin e mjaltit organik. Por në këtë drejtim nuk ka ndonjë sukses të theksuar meqë prodhimtaria e mjaltit organik kërkon më shumë kushte më shumë para, si dhe më shumë kohë për tu marrë me bletarinë. Nga ana tjetër, pjesa dërmuese e bletarëve në këtë rajon me bletari merren jo profesionalisht dhe e kanë si aktivitet plotësues. (koha.mk)