Gjithashtu, zbutja e dallimeve në zhvillimin ekonomik rajonal, një formulë e pranueshme edhe nga komunat për ndarjen e mjeteve për zhvillim të barabartë rajonal, rritja e mjeteve për komunat që shpesh ju mungojnë edhe kapacitetet administrative dhe financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore, mbetet sfida e radhës e qeverisë së re
Nga Fisnik PASHOLLI
Në 30 vitet e kaluara, qytetarët kanë pasur pritje të mëdha për përmirësimin e kushteve të jetesës, hapjen e vendeve të punës, rritjen e pagave dhe arritjen e një mirëqenie më të madhe.
Biznesi vazhdon me vite të kërkojë përmirësimin e ambientit të biznesit. Mirëpo në dekadat e fundit, jo rrallë popullata edhe është zhgënjyer nga mos mbajtja e premtimeve për një jetesë më të mirë. Në periudhën e kaluar, me më shumë apo më pak sukses janë realizuar një pjesë e premtimeve zgjedhore , disa kanë mbetur vetëm në letër, të tjerat janë anuluar për shkak të mungesës së vullnetit më të madh politik për zgjidhjen e tyre. Premtimet ndaj elektoratit dhe biznesit shpesh nuk janë plotësuar edhe për shkak të krizave të ndryshme politike në rajon, krizave ekonomike botërore apo për shkak të vonesës së rrugës euroatlantike të vendit. Projektet e ndryshme vonuar dhe kanë ngecur edhe si rrjedhojë e kapaciteteve që kanë lënë për të dëshiruar për menaxhimin e dikastereve të ndryshme, apo për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të një pjese të administratës shtetërore.
Kriza e fundit shëndetësore e pandemisë nuk është aspak e lehtë për ta zgjidhur, tejkaluar dhe zbutur pasojat e saja. Ajo ka shkaktuar telashe dhe probleme të mëdha edhe për qeveritë dhe shoqëritë shumë më të rregulluara dhe avancuara se ne. Kjo krizë shëndetësore dhe ekonomike sipas peshës, vështirësive që po sjell dhe nevojës së zgjidhjes së problemeve në nivel ditor, javor mujor … mund të krahasohet me periudhën e pavarësisë së shtetit, bllokadat ekonomike nga jugu, krizën financiare të 2008 që u pasqyrua edhe në Ballkan dhe me krizat e vitit 1999 dhe 2001. Mirëpo, tani me një ambient ndryshe si shtet anëtar i NATO-s, dhe në prag të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit me BE-në, është koha që fjalët reforma edhe të jetësohen deri në fund. Detyrat janë të shumta, mirëpo kthimi gradual në normalitet apo edhe jetesa në kohë të vështirë të pandemisë nuk do të duhet të jetë arsyetim për realizimin më të madh dhe jo të pjesshëm të atyre detyrave që kërkohen dhe përmenden edhe në raportet e ndryshme të Komisionit Evropian, Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar. Detyra të rënda që na presin edhe si anëtare e re e Aleancës Veriatlantike duke filluar nga reformimi i gjyqësorit, efikasiteti i administratës , rritjes së cilësisë së arsimit , përmirësimit të shërbimeve shëndetësore etj Reforma që shumë më lehtë do të zbatoheshin me një konsensus opozitë-pozitë , për të mirën e të gjithë qytetarëve.
Gjithashtu, zbutja e dallimeve në zhvillimin ekonomik rajonal, një formulë e pranueshme edhe nga komunat për ndarjen e mjeteve për zhvillim të barabartë rajonal, rritja e mjeteve për komunat që shpesh ju mungojnë edhe kapacitetet administrative dhe financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore ,mbetet sfida e radhës e qeverisë së re. (koha.mk)