Ekspertët ekonomik sugjerojnë që shteti të analizojë dhe të nxjerrë mësime edhe nga zhvillimi ekonomik i Sllovenisë dhe shteteve si Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria, ku pjesëmarrja e industrisë përpunuese është mbi 20 për qind në raport me 12 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto në rastin e Maqedonisë
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 12 shkurt – Maqedonisë së Veriut i mungojnë afro 30 vite pajtim i tërësishëm në nivel shteti apo nga të gjithë aktorët e jetës politike dhe ekonomike për zhvillimin e industrisë që sjell edhe zhvillimin e gjithmbarshëm ekonomik. Këtë e dëshmojnë edhe përvojat e tigrave aziatik që me zhvillimin e industrisë kanë arritur mirëqenie dhe përparim. “Si shtet tashmë 28 vite nuk kemi arritur një konsensus në nivel shtetëror për zhvillimin ekonomik që mund të bëhet vetëm me zhvillimin e industrisë dhe jo përmes konsumit që sjell vetëm efekte afat shkurtra”, thotë profesori universitar, Darko Llazarov. Sipas tij, vendit nuk i mungon potenciali për eksport që vlen sidomos për industrinë e përpunimit të ushqimit, por kjo kërkon sipas tij që shteti dorë për dore duhet të punojë me afaristët dhe kapacitetet prodhuese. Me fjalë të tjera rritja e eksportit është një proces i gjatë , i ndërlikuar dhe i shtrenjtë për të cilin nevojitet që shteti të investojë edhe në rrjetin e promotorëve që do të gjejnë tregje të reja dhe do të tregojnë se ku ka mundësi për eksport më të madh. Kompanitë që kanë eksport prej një, dy apo tre milion euro vetë e kanë të pamundura pa ndihmën e shteti që më shumë të rrisin eksportin e tyre shton ai.
“Përvoja nga e kaluara po tregon se shpesh debatohet apo diskutohet për në mënyrë ceremenoniale për zhvillimin ekonomik, mirëpo kjo çështje më vonë ngec në implementimin e saj në praktikë”, shton më tej Lllazarov. Sipas tij, përgjegjës për këtë pjesërisht është edhe shpirti sipërmarrës i popullatës. Në ndërkohë, analizat e Odës Ekonomike të Maqedonisë tregojnë se vitin e kaluar janë eksportuar 210 milionë euro të prodhimeve primare bujqësore dhe 410 milionë euro të industrisë së ushqimit, ku me nga 145 milionë euro dhe 70 milionë euro dominon duhani dhe vera. Së bashku, eksporti bujqësor dhe i ushqimit arrin në 610 milionë euro apo dhjetë për qind të totalit të eksportit.
Sipas profesorit Llazarov, prioritet i kreatorëve të politikës duhet të jetë industria përpunuese dhe rritja e eksportit sidomos në industrinë e ushqimit ku në vitet e kaluara po rritet eksporti i pemë perimeve të freskëta, ndërsa nuk kemi rritje më të madhe të fabrikave të ushqimit me vlerë të shtuar dhe të prodhimeve të finalizuara. Njëherësh analizat e Odës Ekonomike tregojnë se ky sektor së bashku ka 323 kompani të orientuara në eksport dhe 122 prodhime që eksportohen me vlerë më të madhe prej 200 mijë euro, prej të cilave 89 prodhime bujqësore dhe të ushqimit kanë përparësi krahasuese për tu shitur jashtë. Andaj analiza për identifikimin e mundësive zhvillimore në vend, potencon se kjo industri posedon potencial të madh për diversifikim apo shpërndarje të eksportit përmes rritjes së numrit të prodhimeve të reja eksportuese dhe kompanive eksportuese. Mirëpo rritja e eksportit kërkon edhe bashkimin e kompanive për dalje të përbashkët në tregjet e huaja si dhe nxitjen e aktiviteteve eksportuese.
Nga ana tjetër kryetari i Shoqatës së Bujqësisë dhe Ushqimit pranë Odës Ekonomike të Maqedonisë, Gjorgji Petrushev, thotë se vendi gjendet para sfidave të mëdha në këtë industri. “Subvencionet në vitet e kaluara kanë qenë të orientuara ndaj prodhimit për eksport dhe industrinë përpunuese, mirëpo sasitë e prodhuara as përafërsisht nuk kënaqin nevojat e fabrikave e aq më pak për eksport .Andaj nevojitet të stimulohet dhe të shpërblehet cilësia e prodhimtarisë primare bujqësore, si dhe jo vetëm të mbahet por edhe të rritet numri i fermerëve “, thekson Petrushev.
Sipas tij nevojitet një angazhim më madh në përmirësimin e cilësisë së kafshëve që do të jenë më ekonomike dhe më produktive, mbështetjes së prodhuesve të qumështit më cilësor me më shumë subvencione, rritje e prodhimtarisë organike, përdorimi i farave dhe sorteve më të mira në prodhimtarinë lavërtare, përgjigje ndaj ndryshimeve klimatike, përmirësimi i kushteve së jetesës në vendbanimet rurale , mbrojtja më e madhe e prodhimeve të mbrojtura gjeografike ku edhe industria e avancuar e verës nuk ka përfunduar tërësisht këtë proces. Ndryshe, ekspertët ekonomik sugjerojnë që shteti të analizojë dhe të nxjerrë mësime edhe nga zhvillimi ekonomik i Sllovenisë dhe shteteve si Çekia, Sllovakia, Polonia, Hungaria, ku pjesëmarrja e industrisë përpunuese është mbi 20 për qind në raport me 12 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto në rastin e Maqedonisë. Këto të dhëna udhëzojnë se ekonomia vendore ka nivel të ulët të industrializimit që është një nga kufizimet apo pengesat kryesore për sigurimin e shkallëve të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike. (koha.mk)