Ekonomistët thonë se ulja e kamatës referente të bonove të thesarit paraqet sinjal për bankat që të ofrojnë më shumë kredi, por megjithatë presin të ketë korrigjim mjaft të butë të normave të interesit për kreditë e qytetarëve apo edhe bizneseve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 19 gusht – Banka Popullore e Maqedonisë e zvogëloi shkallën referente të kamatës për 0.25 për qind, prej 3 në 2.75 për qind. Lirimi i politikës monetare vjen si rrjedhojë e kushteve të volitshme në tregun e këmbimit të valutës, pritjeve pozitive të kompanive, lëvizjeve të volitshme të kursimeve e kështu me radhë thonë nga BPRM, shkruan gazeta KOHA. Me uljen e shkallës referente të kamatës së BPRM që shërben si orientir për lëvizjen e kamatave të kredive, qytetarët por edhe firmat janë në pritje e sipër, se sa bankat komerciale do të ndjekin shembullin e bankës qendrore dhe do të zvogëlojnë më tej kamatat.
Ekonomistët thonë se ulja e kamatës referente të Bonove të thesarit nënkupton zbutje të politikës monetare , dhe paraqet sinjal për bankat që të ofrojnë më shumë kredi , por megjithatë presin që të kemi korrigjim mjaft të butë të normave të interesit për kreditë e qytetarëve apo edhe bizneseve.
“Nuk mund të presim ndonjë ulje të madhe të normave të interesit, përkundër uljes së fundit së shkallës referente të bankës qendrore. Njëherazi duhet theksuar se në vitet e fundit kemi një trend të vazhdueshëm të uljes së kamatave të kursimeve dhe kredive që ka mundësi të vazhdojë edhe në të ardhmen”, thotë profesori universitar Marjan Petreski.
Nga ana tjetër bankierët thonë se pas kalkulimeve të bankave mund të pritet edhe ulje e caktuar e kamatave.
“Mund të pritet që të zvogëlojmë shkallët e kamatave si rrjedhojë e uljes së fundit së shkallës referente për 0.25 për qind nga ana e Bankës Qendrore .Pritet që të bëhen kalkulime të caktuara për uljen e shkallës të kamatës së kredive dhe ndoshta edhe të kursimeve”, thotë një nga drejtorët e Bankës Komerciale, Maja Shterieva.
Ekonomistët vlerësojnë se shkallët e kamatave varen prej ofertës dhe kërkesës së të hollave në tregun financiar, investimeve më të madhe private apo shtetërore si dhe situatës stabile politike në një shtet. Gjithashtu, shtetet e rajonit nuk prodhojnë “para”, apo kanë nivel shumë të ulët të prodhimeve dhe shërbimeve për shitje jashtë , kanë minus në këmbimin tregtar andaj edhe nuk mund të ulin më shumë kamatat.
Në ndërkohë, sipas statistikës së Bankës Popullore të Maqedonisë, në muajin qershor në mesatare shkalla e kamatës e totalit të kredive për amvisëritë në muajin qershor ishte 6.25 për qind që paraqet një ulje të vogël në raport me 6.51 për qind sa ishte qershor të vitit të kaluar. Shkalla e kamatës për totalin e miratuar të kredive për sektorin korporativ apo për bizneset në muajin qershor të këtij vit ishte 4.92 për qind duke u zvogëluar nga 5.49 për qind në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Njëherazi kamata mesatare e kursimeve të amvisërive në qershor ishte 1.43 për qind në raport me 1.50 për qind në muajin qershor të vitit të kaluar.
Analizat e kostos së kamatave në shtetet e BE-së dhe shtetet e rajonit tregojnë se banorët e Ballkanit paguajnë për disa herë kamata më të shtrenjta se banorët e shteteve evropiane.
Përdorimi i valutës së përbashkët euro ndikon në stabilitetin e sektorit financiar dhe nivelin e ulët të normave të interesit në Eurozonë. Gjithashtu, shtetet jashtë zonës së euros akoma i nënshtrohen kostos së rrezikut kreditor. Shkallët e kamatave në shtetet evropian që përdorin euro janë të ulëta edhe si rrjedhojë e ambientit të fuqishëm dhe efikas institucional që e imponon eurozona. (koha.mk)