Pritet të vazhdojë tradita e fluturimeve të lira

104

Po përgatitet terreni edhe për subvencionimin e katërt me radhë të linjave të fluturimeve të avio-kompanive me buxhet të ulët, për shkak se në fund të vitit 2021 po skadon vendimi qeveritar për ndihmën financiare të miratuar në vitin 2018

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 22 shtator – Qytetarët e Maqedonisë së Veriut pritet që edhe në periudhën e ardhshme të vazhdojnë të shfrytëzojnë fluturime të lira nga aeroportet në Shkup dhe Ohër. Një traditë e krijuar nga qeveria e kaluar, për subvencionimin e udhëtimeve me avion me çmime të lira, pritet që vitin e ardhshëm të shënojë dhjetë vite pas vendosjes së saj në vitin 2012. Ekzekutivi në mbledhjen e javës së kaluar, apo më 14 shtator e shqyrtoi edhe mundësinë për fillimin e procedurës së re për përkrahje financiare të avio-transportuesve vendor dhe të huaj për subvencionimin e biletave, që sjell edhe çmime më të lira. Me fjalë të tjera, tani po përgatitet tereni edhe për subvencionimin e katërt me radhë të linjave të fluturimeve të avio-kompanive me buxhet të ulët, për shkak se në fund të vitit 2021 po skadon vendimi qeveritar për ndihmën financiare të miratuar në vitin 2018.

Marrëveshja aktuale për subvencione me kompaninë “ Vizer”, në fakt nuk shënoi sukses të plotë, për shkak se subvencionimi u ndërpre përkohësisht si rrjedhojë e pandemisë që detyroi më shumë avio-kompani në botë përfshi edhe “Vizer, që të ndërpresin përkohësisht udhëtimet me avion në vitin e kaluar. Udhëtimet në aeroportet vendore rinisën në fillim të muajit korrik pas një ndërprerje prej gati katër muaj. “Vizer” fiton subvencione shtetërore që nga viti 2012, ndërsa vetëm në vitin 2018 ka fituar përkrahje financiare në vlerë prej 1.7 milion euro. Paraprakisht Qeveria miratoi vendim për përkrahje të avio kompanive dhe programin për ndarjen e mjeteve me afat prej fillimit të vitit 2019 deri në fund të vitit 2021, në bazë të vendimit të miratuar në vitin 2018.

Në bazë të marrëveshjeve “Vizer”, fitonte afër pesë milion euro për tre vite me obligim për vendosjen e destinacioneve të reja. Për çdo destinacion të ri nga Shkupi dhe Ohri, kompanisë fituese duhej t’i paguhen kompensime në vlerë prej 40 mijë euro, ndërsa për çdo udhëtar që fluturon nga aeroportet vendore jashtë, avio-kompania fitonte nga 9 euro në vitin e parë dhe nga 8 dhe 7 euro nga Shkupi në vitet tjera si dhe 13 euro nga Ohri në vitin e parë dhe nga 11 dhe 12 euro nga Ohri në dy vitet e tjera. Me dy marrëveshjet e para që janë nënshkruar me kompaninë hungareze, për periudhën 2011-2018 janë paguar 9.5 milion euro, ndërsa avio-transportuesi hungarez vendosi 25 destinacione të reja me çka edhe plotësoi obligimet e marrëveshjes. Ndryshe, si rrjedhojë e pandemisë në tërë botën në vitin e kaluar u shënuar rënie e madhe e transportit ajror. Dy aeroportet vendore në vitin 2020 shënuan rënie të madhe të punës prej gati 70 për qind në raport me vitin 2019, apo u shënuan 782.876 pasagjerë që kanë udhëtuar nga Maqedonia e Veriut në destinacione të ndryshme në Evropë. (koha.mk)