Shkup, 13 prill – Asnjë qytetar i Republikës së Maqedonisë deri më tani nuk është drejtuar deri te Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (DMDHP) me parashtresë apo pyetje për keqpërdorim me të dhënat personale lidhur me skandalin e Fejsbukut dhe Kembrixh Analitik. DMDHP është drejtuar deri te Fejsbuku me kërkesë zyrtare të marrë informacione nëse të dhënat personale të qytetarëve nga Maqedonia janë keqpërdorur në lidhje me këtë rast. Deri më sot, përgjigje nga Fejsbuku në lidhje me këtë çështje nuk ka.
Sekretari i përgjithshëm i Drejtorisë Igor Kuzevski për MIA-n deklaroi se deri tani nuk ka qytetarë të cilët janë drejtuar tek ata, lidhur me keqpërdorimin e të dhënave personale në skandalin me Fejsbukun dhe Kembrixh Analitik, edhe pse deri te ata çdo ditë arrijnë parashtresa nga qytetarët lidhur me rrjetet sociale konkretisht nga Fejsbuku, Instagrami, etj.
“Pa dallim nëse qytetarëve u janë keqpërdorur të dhënat personale ose jo, këshilla e parë është ata të mos ndryshojnë fjalëkalimet e tyre në profilet e tyre të Fejsbukut. Këtë skandal mund ta lidhim me dy qasje, njëri është roli i shtetit në segmentin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe i dyti, që për mua është më i rëndësishëm, është roli i vetë qytetarëve lidhur me privatësinë së tyre. Ata vetë me sjelljen e tyre e bëjnë veten të jenë viktima të krimit kibernetik lidhur me rrjetet sociale”, tha Kuzevski.
Gjithashtu DMDHP thekson se qytetarët duhet t’i përdorin veglat e privatësisë që i ofron rrjeti social Fejsbuk, por edhe se më shumë informacione dhe udhëzime për përdorimin e rrjeteve sociale mund të gjenden në faqen e internetit www.deleteme.mk.
Që nga fillimi i vitit, deri te Drejtoria janë dorëzuar gjithsej 86 parashtresa për Fejsbukun, Instagramin dhe JutJub, prej të cilave 48 janë për profilet e rreme në Fejsbuk ose Instagram, 37 për të hakuar, ndërsa një për video të rreme të postuar në JuTjub.
Kuzevski theksoi se DMDHP, si dhe shumica e organeve për mbrojtjen e të dhënave personale nga vendet e Bashkimit Evropian, me letër zyrtare iu drejtuan ekipit të administratës së Fejsbukut me përgjigje nëse dhe sa qytetarë janë prekur drejtpërdrejt ose tërthorazi me skandalin e Fejsbukut dhe Kembrixh Analatikës.
“Kërkesa u dërgua menjëherë pas shpërthimit të skandalit nëpër rrugë elektronike në adresën zyrtare të e-mailit për komunikim të cilën Drejtoria e ka vendosur me ekipin administrativ të Fejsbukut. Deri në këtë moment, ne nuk kemi marrë asnjë përgjigje, qoftë pozitive apo negative”, tha Kuzevski.
Në rast se DMDHP nuk merr një përgjigje nga Fejsbuku, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë thotë se do të shfrytëzohet mjeti për komunikim të ndërsjellë në nivelin e BE-së në të cilin Maqedonia është përfshirë si vend kandidat për anëtarësim.
“Ne do ta ekspozojmë çështjen apo problemin si të tillë që ne nuk kemi marrë një përgjigje në kohë të arsyeshme. Do të pyesim nëse vendet tjera kanë marrë përgjigje. Në bazë të përvojave, nëse diku është marrë përgjigje, atëherë do të dorëzojmë edhe një kërkesë tjetër. Nëse asnjëra nga vendet nuk do të marrë përgjigje, në atë rast, ndoshta do të dakordohemi bashkërisht si vende dhe si organet për mbrojtjen e të dhënave personale së bashku të drejtohemi”, tha Kuzevski për MIA-n.