Me investimin e ambasadës së Zvicrës duhet që të bëhet adaptimi i deponisë, asfaltimi i rrugës, tamponimi, pra të gjitha investimet kanë të bëjnë me krijimin e kushteve që deponia në Rusino më pas të jetë konform standardeve për të mbrojtur ambientin, pohon Taravari
Urim HASIPI
Gostivar, 27 mars – Shumë shpejt pritet që të fillojë asfaltimi i rrugës që shpie për në deponinë Rusino në Gostivar. Kjo edhe ka qenë një nga kërkesat e banorëve të kësaj zone, të cilët vite me radhë kanë kundërshtuar hedhjen e mbeturinave në këtë deponi nga komunat e rajonit të Pollogut. Banorët që jetojnë përreth kësaj deponie, kishin parashtruar 12 kërkesa për komunat dhe qeverinë, në të kundërtën nuk do të lejonin hedhjen e mbeturinave, për shkak të impaktit negativ ndaj tokës bujqësore, por edhe ambientit në përgjithësi, shkruan gazeta KOHA.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari është shprehur se tashmë 7 nga kërkesat e banorëve janë plotësuar. “Disa vjet, aty banorët kishin ndaluar hedhjen e mbeturinave. Disa vjet, nuk ndodhte asgjë, sepse pikërisht banorët kishin disa kërkesa. Tashmë prej 12 kërkesave, shtatë janë realizuar, dhe është gati për të nisur asfaltimi i rrugës. Nuk e di cila kompani e ka fituar tenderin, por e di se asfaltimi duhet shumë shpejt të fillojë, pra kërkesat e banorëve po plotësohen”, deklaroi Taravari. Ai është shprehur se pas 15 vitesh të ekzistimit të këtij problemi, tash më seriozisht është duke u punuar në këtë drejtim. Në ndërkohë, pas zgjedhjeve pritet që të fillojnë edhe punët tjera në deponi që e njëjta të plotësojë kriteret dhe standardet ekologjike.
“Mendoj se pas zgjedhjeve presidenciale do të fillojë adaptimi i deponisë Rusino. Mos të harrojmë që me këtë projekt të zviceranëve nuk e zgjedhim komplet problemin, por vetëm e adaptojmë, e sigurojmë vendin si uji, ajri, toka do të jenë të pastra dhe se nuk do të kenë impakt apo influence negative prej mbeturinave që hidhen në deponi”, njoftoi ai. Në ndërkohë, Taravari ka thënë se komunat e Pollogut duhet që të përgatisin kushtet rreth dhe në deponi, kurse ingerencat më pas i ka qeveria dhe ministria e ekologjisë.
“Ju e dini se tashmë kompetencat për 5 deponitë rajonale i ka marrë qeveria, dhe qeveria duhet të vendosë se si do t’i menaxhojë mbeturinat në të gjitha rajonet. Ne, si Komunë e Gostivarit jemi duke ndihmuar, kurse kujt do t`ia japin atë biznes nuk është çështje e komunave”, tha Taravari. “Me investimin e ambasadës së Zvicrës, duhet që të bëhet adaptimi i deponisë, asfaltimi i rrugës, tamponimi, pra të gjitha investimet kanë të bëjnë me krijimin e kushteve që deponia në Rusino më pas të jetë konform standardeve për të mbrojtur ambientin”, pohon Taravari.
Projekti ka dy faza, faza e parë ka të bëjë me studimin e fizibilitetit për sa i përket trajtimit të mbetjeve dhe masave afatshkurta, sidomos linjat e drenazheve të ujërave të zeza që dalin nga deponia dhe u shkaktojnë dëme dhe problem qytetarëve. Ky projekt kapë vlerën e 7.8 milionë frangave zvicerane, kurse për rregullimin e rrugës janë ndarë 25 milionë denarë nga ana e Byrosë për Zhvillim Rural. Më 27 nëntor të vitit 2017, në Tetovë në Kodrën e Diellit është nënshkruan një memorandum bashkëpunimi mes gjitha komunave që i përkatësin rajonit të Pollogut dhe gjithsej janë nëntë komuna që me ndihmën e ambasadës së Zvicrës dhe me një kredi që duhet të merret nga KWA Bankës Gjermane, të fillojnë punimet që e njëjta të adaptohet në deponi rajonale.
Mbeturinat nga rajoni i Pollogut vazhdojnë të mos transportohen në deponinë Rusino të Gostivarit. Të njëjtat transportohen për në deponinë Drislla, që është shumëfish më e shtrenjtë për shkak të distancës. Komuna e Tetovës në vitin 2014 anuloi procedurën për zgjedhje të koncesionerit për menaxhim me deponinë rajonale në Rusino. Procedura u anuluar për shkak të lëshimeve gjatë procedurës së zgjedhjes së koncesionerit. (koha.mk)