Fisnik PASHOLLI
Shkup, 25 janar – Kosova dallohet me çmimet më të ulëta të jetesës në rajon. Pas saj pason Maqedonia dhe Shqipëria, shkruan gazeta KOHA. Sipas bazës më të madhe botërore të të dhënave “Numbeo”, që analizon cilësinë e jetesës në qytete të ndryshme nëpër botë, nga kryeqytetet e rajonit, Prishtina ka çmimet më të lira të produkteve ushqimore dhe kosto më të ulët jetese në rajon. Pas saj radhiten Shkupi dhe Tirana. “Ju duhet rreth 90,229.44 denarë apo 200.219.56 lekë në Tiranë për të mbajtur të njëjtin standard të jetës që ju mund të keni me 90.000.00 denarë në Shkup, duke supozuar që paguani qira në të dy qytetet. Nga ana tjetër, do të ju duhet rreth 75,181.09 denarë apo 1,220.79 euro në Prishtinë për të mbajtur të njëjtin standard të jetës që ju mund të keni me 90,000.00 denarë në Shkup. Kjo llogaritje përfshinë Koston e Indeksit të jetesës, plus qiranë për të krahasuar koston e jetesës”, tregojnë përllogaritjet e Numbeos. Sipas shifrave të ueb faqes “Numbeo”, fuqia lokale e blerjes në Tiranë është për 16.6 për qind më e ulët se në Shkup dhe 46 për qind më e lartë se në Prishtinë në raport me Shkupin. Numbeo ka krahasuar harxhimet e përditshme të jetesës si: ushqimi, transporti, komunalet, restorantet etj. Gjatë krahasimit të kostos së jetesës është marrë parasysh edhe fakti se rroga mesatare në Shkup, është 327 euro, në Prishtinë është 400 euro dhe në Tiranë është 37 mijë lekë, apo 16.900 denarë. Si bazë për krahasimin është marrë Shkupi në raport me Tiranën dhe Prishtinën, ndërsa për krahasimin më të lehtë, çmimet e të gjithë harxhimeve janë dhënë në denarë për të tre kryeqendrat fqinje. Sipas shifrave të Numbeos për muajin janar, dreka për dy persona kushton 991 denarë në Tiranë, 1000 denarë në Shkup dhe 923 denarë në Prishtinë. Kapuçino kushton 76 denarë në Shkup, 65 denarë në Tiranë dhe 60 denarë në Prishtinë. Buka prej 500 gram kushton 18 denarë në Prishtinë, 31 denarë në Tiranë dhe 29 denarë në Shkup. Litra e qumështit kushton 55 denarë në Tiranë, 49 denarë në Shkup dhe 49 denarë në Prishtinë. 12 koka vezë në Shkup kushtojnë 82 denarë, në Prishtinë kushtojnë 53 denarë dhe në Tiranë kushtojnë 66 denarë. Një kilogram mish viçi në Tiranë kushton 336 denarë, në Shkup kushton 400 denarë dhe në Prishtinë 388 denarë. Nga ana tjetër, një kuti cigare Malboro në Shkup kushton 141 denarë, në Prishtinë kushton 120 denarë dhe në Tiranë kushton 135 denarë. Një biletë e autobusit urban në Shkup kushton 35 denarë, në Prishtinë kushton 24 denarë dhe në Tiranë kushton 18 denarë.
Shkupi kryeson me pagesat më të larta për komunalet në raport me dy kryeqytetet fqinje. Harxhimet mujore të energjisë elektrike për një banesë prej 85 metrash katrorë, ngrohjes, ujit dhe mbeturinave, në Tiranë kushtojnë 3.7171 denarë në raport me dyfishin e çmimit që paguhet në Shkup prej 7.572 denarë. Pagesat e njëjta në Prishtinë kushtojnë 4.364 denarë. Interneti pa kabllo kushton 906 denarë në Tiranë, 733 denarë në Shkup dhe 458 denarë në Prishtinë.
Në Tiranë starti i taksisë kushton 135 denarë plus 112 denarë për kilometër, në Shkup taksi paguhet 40 denarë plus 25 denarë për kilometër, ndërsa në Prishtinë starti është 92 denarë dhe një kilometër vozitje kushton 30 denarë. Në raport me pagat mesatare, janë mjaft të larta çmimet si të qirave ashtu edhe të metrit katror të banesave për blerje në të tre këto kryeqytete. Qiratë e banesave janë të përafërta në Shkup dhe Tiranë dhe lëvizin prej afro 14-16 mijë denarë për banesë njëdhomëshe në qendër. Nga ana tjetër, banesat me qira tredhomëshe në qendër të Tiranës kushtojnë 34 mijë denarë, ndërsa në Shkup kushtojnë afër 24 mijë denarë. Qiratë e banesave në qendrën e Prishtinës lëvizin prej 15 deri 27 mijë denarë për banesa një dhe tredhomëshe. Një metër katror i banesës për shitblerje kushton 82 mijë denarë në qendër të Tiranës dhe 73 mijë denarë në qendër të Shkupit. Banesat në qendër të Prishtinës shiten me 85 mijë denarë për një metër katrorë. Gjithashtu, gati të gjitha llojet e veshmbathjeve janë më të lira në Kosovë. Një palë atlete Najk në Shkup kushtojnë afër 4000 denarë, në Prishtinë kushtojnë 1860 denarë dhe në Tiranë kushtojnë 3300 denarë. Xhinset Levis 501 ose të ngjashme, në Shkup kushtojnë 2900 denarë në Shkup, 2500 denarë në Tiranë dhe afër 2000 denarë në Prishtinë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.