Ndërtimi i kanalizimit fekal do të mbrojë edhe ujërat e liqenit të Dibrës, meqë fshati në fjalë deri tani nuk ka patur asnjëherë kanalizim të ujërave të zeza dhe ujërat kanë përfunduar në ujërat e liqenit
Vjollca SADIKU
Dibër, 16 shkurt – Pushteti vendor në Dibër, përveç projekteve në sferën e infrastrukturës që i realizon në qytet, realizon edhe projekte në vendbanimet rurale. Dibra ka filluar me aktivitetet që kanë të bëjnë me realizimin të një projekti shumë domethënës në sferën e mbrojtjes së ambientit jetësor që ka të bëjë me ndërtimin të kanalizimit fekal në fshatin Xhepishtë, i cili ndodhet afër 10 kilometra larg qytetit në aksin rrugor Dibër-Strugë. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka, informoi se tanimë kanë filluar aktivitetet në fazën e parë. Sipas tij, janë siguruar tubacionet dhe kanë filluar gërmimet e para të kanalizimit të ujërave të zeza në fshatin Xhepishtë. Është një projekt që realizohet me përkrahje të Ministrisë të Ambientit Jetësor dhe planifikimit hapësinor të Qeverisë së RMV. “Pas takimeve që patëm me ministrin Naser Nuredini, morëm dritë jeshile për realizimin të këtij projekti që ka një domethënie të madhe jo vetëm për banorët të fshatit dhe ambientit jetësor në fshat, por bëhet fjalë për një projekt me të cilin do të mundësojmë mbrojtje të mjedisit jetësor edhe në rajonin ma të gjerë”, thekson kryetari Duka.
“Një pjesë të projektit do ta financojë edhe pushteti vendor nga buxheti lokal”, thotë Duka. Ndërtimi i kanalizimit fekal do të mbrojë edhe ujërat e liqenit të Dibrës, meqë fshati në fjalë deri tani nuk ka patur asnjëherë kanalizim të ujërave të zeza dhe ujërat kanë përfunduar në ujërat e liqenit. Është një projekt që ka efekte shumë të mëdha në sferën e ekologjisë dhe si i tillë, do të jetë shumë efikas në këtë drejtim, thonë shoqatat ekologjike në komunë.
Fshatarët dhe bashkësia lokale e Xhepishtit e kanë përshëndetur këtë projekt dhe presin definitivisht që fshati i tyre të mos ketë probleme me ujërat e zeza, të cilët deri tani shkaktonin edhe probleme shëndetësore. Komuna Dibër sa u takon përmirësimit të jetës në vendbanimet rurale, ka edhe projekte të tjera ekologjike edhe atë në fshatin Kosovrasti i Poshtëm, Mogorçja, Otishani etj. Projektet lokale janë tejet të nevojshme meqë në disa fshatra, edhe pse jetojmë në shekullin 21, nuk ka kanalizime të ujërave të zeza, ka probleme me infrastrukturën lokale, por edhe me furnizimin e ujit të pijshëm. Komuna po ashtu ka ndërmarrë aktivitete edhe për grumbullimin e mbeturinave nga fshatrat në fjalë, të cilët aktualisht kanë deponi të shumta të egra. Në shoqatat ekologjike lokale thonë se Komuna Dibër duhet të jep përparësi projekteve ekologjike me që mjedisi jetësor është primar si për shëndetin, ashtu edhe për zhvillimin e turizmit me të cilin pretendohet nga komuna të jetë një nga shtyllat kryesore të zhvillimit lokal të Komunës Dibër. (koha.mk)