“Programi i mirëmbajtjes dimërore parasheh ndarjen në disa zona në të gjithë territorin e komunës, përfshirë këtu një pjesë në anën e majtë të lumit dhe pjesa tjetër në të djathtë, si dhe fshatrat e Malësisë dhe qendra e skijimit Kodra e Diellit. Për realizimin e gjithë kësaj pune janë paraparë diku rreth 360 ton kripë industrial dhe 150 metër kub rërë që mendojmë se është sasi e mjaftueshme për këtë dimër”, deklaron Fazliu
Urim HASIPI
Tetovë, 21 nëntor – Pothuajse çdo sezon dimëror i gjen në befasi autoritetet lokale dhe ato shtetërore kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e rrugëve kur bie borë. Në të kaluarën ka ndodhur që shumë rrugë dhe vendbanime të kenë probleme gjatë kohës kur ka reshje të borës me orë të tëra, shkruan gazeta KOHA. Këtë vit, ndonëse reshjet e borës ende nuk kanë filluar me intensitet të shtuar, megjithatë nga Komuna e Tetovës njoftojnë se tashmë janë bërë gati përgatitjet për sezonin dimëror, duke vendosur thuajse gjithë kapacitetet e saja në shërbim të qytetarëve me qëllim që të reshurat e borës të mos jenë pengesë për lëvizje të lirë.
“Programi i mirëmbajtjes dimërore parasheh ndarjen në disa zona në të gjithë territorin e komunës, përfshirë këtu një pjesë në anën e majtë të lumit dhe pjesa tjetër në të djathtë, si dhe fshatrat e Malësisë dhe qendra e skijimit Kodra e Diellit. Për realizimin e gjithë kësaj pune janë paraparë diku rreth 360 ton kripë industrial dhe 150 metër kub rërë që mendojmë se është sasi e mjaftueshme për këtë dimër”, deklaron Armend Fazliu, zëdhënës i Komunës së Tetovës. Si zakonisht, më kritike janë vendbanimet e Malësisë së Tetovës ku edhe ka reshje të borës me sasi më të madhe dhe hasen më shumë vështirësi. Viteve të kaluara, këto vendbanime të Malësisë gjithnjë kanë patur probleme me qarkullimin në kohë dimri, ndërsa nga komuna thonë se edhe këtë vit do të kujdesen që të mos kenë probleme këta fshatra.
“Më kritike, duke u bazuar në vitet e mëparshme, e kemi pjesën e Malësisë së qytetit përfshirë këtu fshatrat Gjermë, Vicë, Bozovcë, Veshallë, Brodec, Shipkovicë dhe Lisec, por që tashmë kemi marrë masa duke mos i lënë anësh këto vendbanime e që mendojmë se edhe këtë vit do ia dalim me sukses të përballojmë dimrin. Ndarja e zonave është bërë me qëllim që kompanitë që realizojnë punën të kenë më të lehtë koordinimin edhe atë një linjë kemi Qendrën e skijimit Kodra e Diellit, përfshirë edhe fshatrat Rasadishtë, Gajre e Lisec, një tjetër linjë e kemi rrugën Tetovë – fshatrat nga Shipkovica deri në Bozovcë, zona tjetër është nga qyteti deri në fshatin Vicë përfshirë këtu fshatrat Llacë dhe Sellcë, ndërsa zona tjetër nga qyteti deri në fshatin Gjermë, duke mos harruar kështu edhe bulevardet kryesore si zonë e posaçme, si dhe rrugët dytësore që janë poashtu prioritet i komunës”, deklaroi Fazliu.
Nga Ndërmarrja Publike Komunale njoftojnë se një pjesë e punëtorëve e kësaj ndërmarrje do të kujdesen për pastrimin e trotuareve në qytetin e Tetovës. “Ndërmarrja jonë, në mirëmbajtjen e qytetit gjatë dimrit do të jetë e angazhuar në pastrimin e trotuareve. Ata punëtorë, të cilët pastrojnë qytetin gjatë vitit, në këtë periudhë do të jenë të angazhuar në mirëmbajtjen e trotuareve”, thonë nga kjo ndërmarrje. Po ashtu, krahas punëtorëve, do të ketë edhe makineri që do të pastrojë borën në pjesën qendrore të Tetovës e angazhuar nga ana e ndërmarrjes. Në ndërkohë, sipas informacioneve – rrugët me prioritet të lartë janë rrugët drejt Spitalit Klinik të Tetovës, policisë, shkollat dhe institucionet tjera me rëndësi të veçantë. Nga komuna apelojnë që qytetarët të kenë kujdes se ku i parkojnë veturat gjatë sezonit të dimrit, sidomos kur ka të reshura të borës dhe kur makineria pastron rrugët që të mos e pengojnë punën gjatë pastrimit të rrugëve në bulevardet kryesore, por edhe në rrugët dytësore. Krahas rrugëve lokale për të cilët përkujdesen autoritetet e komunës, për rrugët regjionale dhe autostradat do të përkujdeset ndërmarrja shtetërore “Rrugët e Maqedonisë”. (koha.mk)