Banorët e lagjeve përreth kanë shprehur shqetësimin e tyre se në këtë rrugë dukshëm janë rritur aksidentet, ndërsa nga ana tjetër – theksojnë se kjo rrugë shfrytëzohet edhe nga automjetet e rënda që edhe më shumë e vështirëson qarkullimin
Urim HASIPI
Tetovë, 23 janar – Që nga viti 2016 ka një vendim të Këshillit të Komunës së Tetovës, që të vazhdohet bulevardi në rrugën Industriale përmes Qendrës Sportive dhe daljes tek kazerma. Ky projekt pritet që këtë vit të fillojë të realizohet e që do të lehtësonte komunikacionin në përgjithësi në qytet, sidomos pjesën në hyrje të Tetovës nga Shkupi, por edhe pjesën qendrore, shkruan gazeta KOHA. Për momentin, sipas të gjitha deklarimeve të deritanishme edhe të ekspertëve, por edhe të zyrtarëve të Policisë, përveç bulevardit të Ilindenit, poashtu i stërngarkuar është edhe bulevardi “Vidoja Smilevski Bato”, që në opinion njihet si bulevardi i rrugës Industriale. Kjo, pasi përmes këtij bulevardi qarkullojnë edhe automjetet në drejtim të Gostivarit.
Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se hapja e këtij bulevardi pritet të përmirësojë kaosin në trafikun urban në qytet. “Banka Botërore miratoi projektin për vazhdimin e bulevardit të rrugës Industriale në gjatësi prej 670 metra, që do të depërtojë përmes Qendrës sportive deri tek Kazerma e Qytetit për të shkarkuar sadopak trafikun e ngarkuar brenda qytetit. Gjithashtu, do të vazhdojmë depërtimin e bulevardit ‘Bllagoja Toska’ për të cilin në fazën e parë jemi në përfundim të procesit të eksproprijimit”, deklaroi Arifi.
Edhe në këtë rrugë kohëve të fundit regjistrohen një numër i konsiderueshëm i aksidenteve të cilët në shumë raste përfundojnë edhe me të lënduar. Kjo është një ndër rrugët të cilët krahas që është e dëmtuar në shumë vende, poashtu është edhe rrugë e shpejtë, ku vozitësit qarkullojnë me shpejtësi më të madhe se sa është e lejuar dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt të shtohet numri i aksidenteve. Kryesisht vozitësit kanë përfunduar në lokale tregtare ose kanë goditur shtyllat elektrike. Gjatë vitit të kaluar, po ashtu është sjellur edhe një vendim në Këshillin e Komunës së Tetovës që në rrugën industriale të ndërtohet rrethrrotullim, respektivisht është sjellë vendim për dhënie prioritet “Projektit për ndërtimin e rrethrrotullimit tek udhëkryqi ndërmjet Bulevardit “V.S. Bato” dhe rrugës “29 Nëntori” në Tetovës.
Pas elaborimit nga ana e sektorëve përkatëse, këshilltarët nënvizuan se rrethrrotullim nevojitet edhe në afërsi të shkollës së mesme ekonomike, gjegjësisht në rrugën për tek kazerma. Nga sektorët përkatës në Tetovë nuk kanë dhënë informacione se kur pritet të fillojnë të realizohen këto dy projekte, respektivisht rrethrrotullimi dhe hapja e bulevardit. Banorët e lagjeve përreth kanë shprehur shqetësimin e tyre se në këtë rrugë dukshëm janë rritur aksidentet, ndërsa nga ana tjetër ata theksojnë se kjo rrugë shfrytëzohet edhe nga automjetet e rënda që edhe më shumë e vështirëson qarkullimin.
Në ndërkohë, ende nuk ka asnjë reagim nga autoritetet lokale dhe ato qendrore për ndërtimin e një gjysmë unaze nga autostrada Tetovë-Shkup për dalje në rrugën Tetovë-Jazhnicë. Ekspertët dhe njohësit e këtyre rrethanave disa herë kanë kërkuar që kjo gjysmë unazë do të ishte shpëtim për kaosin në rrugët e Tetovës, sidomos në qarkullimin e automjeteve të rënda të cilët shfrytëzojnë rrugët e qytetit dhe shkaktojnë ngadalësim të lëvizjes së automjeteve të tjera, por edhe jo rrallë herë kanë shkaktuar aksidente trafiku, sidomos në rrugën për tek kazerma e qytetit. (koha.mk)