Prioritet Festivalet për Fëmijë dhe për të rinj

Këtë vit, festivali i fëmijëve “Bilbilat e Korabit” do të realizojnë edicionin jubilar të 10-të, në të cilin pritet marrin pjesë autorë dhe fëmijë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Po ashtu, një theks të veçantë do ti kushtohet festivalit “Di fest” i muzikës zbavitëse shqiptare, i cili lindi gjatë vitit të kaluar dhe sivjet do të mbajë edicionin e dytë

Vjollca SADIKU

Dibër, 14 janar – Institucioni i vetëm kulturor në Dibër – Qendra për kulturë është mbartëse e të gjithë aktiviteteve kulturore që realizohen në komunë. Në këtë institucion, një vëmendje e veçantë u kushtohet projekteve në interes të kulturës të Dibrës dhe rajonit, sidomos nëpërmjet festivaleve, ekspozitave, promovimeve të librave dhe pasurimit të bibliotekës me tituj të rij.

Ministria për Kulturë për çdo vit përkrah festivalet për fëmijë që tanimë kanë një karakter mbarëkombëtar. Këtë vit, festivali i fëmijëve “Bilbilat e Korabit” do të realizojnë edicionin jubilar të 10-të, në të cilin pritet marrin pjesë autorë dhe fëmijë nga vendi, Kosova dhe Shqipëria. Po ashtu, një theks të veçantë do ti kushtohet festivalit “Di fest” i muzikës zbavitëse shqiptare, i cili lindi gjatë vitit të kaluar dhe sivjet do të mbajë edicionin e dytë. Është një festival ku përsëri do të marrin pjesë autorë dhe të rinj nga trojet shqiptare. Këtë na e deklaroi drejtori Zinçe Mimidinoski, i cili njoftoi edhe projektet të cilët do të realizohen gjatë vitit 2020. Ai thotë se përveç Festivalit të fëmijëve, do të realizohen edhe ekspozita të piktorëve dibran, por edhe ekspozita të karakterit ndërkufitar që do të realizoj Qendra për Kulturë e Dibrës në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë të Peshkopisë.

“Do të realizohen edhe projekte për vazhdimësinë e aktivitete të grupeve folklorike, dy projektet e Artit të Talias, gjegjësisht përgatitja e dy dramave të autorëve dibran, si dhe botime të librave të autorëve dibran”, thotë Mimidinoski. Qendra për Kulturë, duke marrë parasysh se në të funksionon edhe Biblioteka e Qytetit, një vëmendje të veçantë nëpërmjet projekteve i kushton edhe rritjes të fondit të librave. Sipas drejtorit Mimidinoski, nga fondi i përgjithshëm i librave në bibliotekë – më se 70 për qind janë libra në gjuhën shqipe. “Biblioteka është e digjitalizuar dhe përdoret sistemi Kobis, kurse të punësuarit në bibliotekë marrin trajnime të duhura për përdorimin e këtij sistemit”, tregon Mimidinoski, sipas të cilit, së fundmi po rritet edhe numri i lexuesve.

Gjatë këtij viti, në sferën e investimeve – pritet të bëhet sanimi i skenës verore, si dhe hyrjes në hapësirën e bibliotekës. Pjesa dërmuese e këtyre projekteve pritet të financohet nga Ministria e Kulturës meqë pjesa kryesore e projekteve mbështetet në kontinuitet nga kjo ministri, por shpeshherë në interes të projekteve – ndihmojnë edhe donatorët lokal. (koha.mk)