Një shumë totale prej 53,000euro është paguar nga ana e prindërve për kompensim të librave të dëmtuar gjatë vitit 2017, mirëpo kundrejt kësaj nxënësit mbesin përsëri pa tekste shkollore. Për prindërit rëndësi më të madhe ka kualiteti kundrejt kuantitetit, ndërsa drejtori i shkollës “Penko” në Shkup theksoi se së shpejti pritet furnizimi i të gjithë nxënësve
Remzije BILALLI
Shkup, 26 shtator – Prindërit kanë paguar rreth 53.000 euro për kompensimin e teksteve të dëmtuara shkollore gjatë vitit 2017, tregon llogaria përfundimtare e vitit të kaluar e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), nënshkruar nga ish ministrja e MASH, Renata Deskoska, shkruan gazeta KOHA.
Në qoftë se në Maqedoni ka 11.000 paralele në shkollat fillore dhe 3.500 paralele në shkollat e mesme, gjithsej 14.500 paralele, i bie që mesatarisht një klasë ka bërë dëme prej 3.65 euro për një tekst shkollor. Nga kjo mund të konkludohet se bëhet fjalë për një shumë të vogël në krahasim me çmimin miliona euro që MASH çdo vit ua paguan shtëpive botuese për të prodhuar dhe ofruar libra të rinj për shkollat.
Nga MASH thonë se lista e çmimeve për vitin aktual shkollor për pagesën e një libër të dëmtuar ose të humbur veçmas, bëhet në muajin prill dhe pagesa është 70% e vlerës së tregut.
“Departamenti adekuat përgatit listën e çmimeve për kompensimin e teksteve të dëmtuara në muajin prill ose maj për çdo vit veç e veç. Kjo është për shkak se në atë kohë të vitit përcaktohet nëse një tekst është dëmtuar apo jo, tashmë është herët për të. Nëse shtëpitë botuese tashmë kanë një tekst të rregullt, secili individ mund të blejë një të tillë të ri dhe ta zëvendësojë atë me një të vjetër”, thonë nga MASH-i.
Sipas listës së çmimeve të vjetra të botuar për 2017/2018, pagesa për tekstet e dëmtuara në arsimin fillor, në varësi të lëndëve, lëviz nga 40 në 100 denarë, në shkollat profesionale nga 100 në 200 denarë dhe në gjimnaze prej 200 deri në 400 denarë. Sipas rregullores, pas përfundimit të vitit shkollor, nxënësit deri në fund të muajit qershor të vitit aktual shkollor duhet ta kthejnë komplet setin e teksteve shkollore të pa dëmtuara tek kujdestari i klasës, raporton KOHA.
Kujdestari i klasës duhet të japë të dhëna rreth prindërve të cilët i kanë kthyer tekstet shkollore, me të dhëna si, (titulli i teksteve shkollore, autori), gjendja në të cilën janë kthyer librat (të përdorshme apo të dëmtuara). Të dhënat evidentohen mënyrë elektronike për tekstet që janë kthyer, se cilat mund të përdoren për vitet e ardhshme shkollore dhe për tekstet që janë të dëmtuara dhe cilat nuk mund të përdoren.
Për tekstet e dëmtuar, lëshohet fletëpagesë, e cila paraqitet dëshmi nga prindërit se transaksioni është kryer dhe kanë paguar dëmshpërblimin.
Mirëpo jo të gjithë nxënësit edhe këtë vit shkollor hasën në mungesë të librave, përkundrejt asaj që MASH kishte premtuar furnizimin e plotë të nxënësve me libra. Për Gazetën Koha drejtori i Shkollës Fillore-Petar Zdarvskovski-Penko, Enis Mehmeti deklaroi se shumica e nxënësve janë furnizuar me libra dhe beson se deri ne fund të javës të gjithë nxënësit do të furnizohen me libra.
“Në përgjithësi është në rregull dhe deri në fund të javës presim furnizimin e të gjithë nxënësve me libra, këtë vit është më mirë se vitet tjera. Por duhet që edhe nxënësit të bëjnë kujdes ndaj librave dhe ti ruajnë ato”, tha Mehmeti.
Për prindërit rëndësi të madhe luan edhe cilësia e librit sepse nga aty fëmijët e tyre i marrin njohuritë.
“Rëndësi të madhe përveç sasisë që është problematike, duhet ti kushtohet edhe cilësisë dhe përmbajtjes. Për mua rëndësi më të madhe ka cilësia sepse sasia zëvendësohet por cilësia jo. Është e pa tolerueshme duke pasur partinë tonë në pushtet ti tolerojmë skandalet e tilla” , tha Luran Ahmeti, në cilësinë e prindit. Nga MASH thanë se këtë vit, gjatë negociatave me shtëpitë botuese, është arritur një çmim blerje, që është 40% më i ulët krahasuar me vitet e kaluara. (koha.mk)