Ndryshe nga propozimi i Komisionit për sëmundje gjitëse dhe propozimi i MASH-it, prindërit akuzojnë se institucionet nuk po marrin parasysh rrezikun e fëmijëve më të vegjël me mësimin me prezencë fizike në klasa. “Nxënësit më të vegjël nuk do të mund të respektojnë masat për mbrojtje nga protokollet e rekomanduara. Është e pamundur të sigurohet distancë fizike mes tyre dhe maska që do ta mbajnë gjatë gjithë kohës…”
Zenel MIFTARI
Shkup, 15 gusht – Komisioni i Sëmundjeve Ngjitëse në takimin me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, ka propozuar që nxënësit e klasës së parë e deri në të tretën të fillojnë vitin e ri shkollor me prezencë fizike. Propozimi është viti shkollor të fillojë onlajn, me dy përjashtime – i pari është për nxënësit e klasës së parë deri në të tretë, për të cilët propozohet mësimin ta ndjekin me prani fizike, duke e marrë parasysh aspektin socioemocionues dhe moshën e tyre, ndërsa përjashtimi i dytë janë shkollat me numër të vogël të nxënësve në paralele – mësimin ta organizojnë me prani në klasa nëse atë e lejon gjendja epidemiologjike.
Komisioni nga MASH-i ka kërkuar gjithashtu t’i riaftësojë protokollet për modelet e mësimit në bazë të propozimit dhe të dorëzojë të dhëna se sa shkolla janë me numër më të vogël të nxënësve, të cilat mund të organizojnë mësim me prani fizike, në cilat komuna gjenden, kushtet e tyre hapësinore etj. Grupet e punës në MASH tashmë janë në komunikim me Shtabin dhe kur protokollet do të harmonizohen me propozimin e Komisionit, ai do të vendoset në rend dite në mbledhje të Qeverisë. Kjo, siç merre vesh gazeta KOHA, me siguri javën e ardhshme. Ministri Arbër Ademi, i cili është në qëndrimin se shkollat duhet të hapen gjithkund ku gjendja e virusit është stabile, konsideron se propozimi i Komisionit për Sëmundje Infektive është kompromis në dy pikëpamje të ndryshme – qëndrimi i MASH-it për praninë fizike dhe qëndrimi i autoriteteve shëndetësore – mësim nga distanca. Sipas tij, propozimi i Komisionit është drejtim i mirë për gjetjen e modelit më adekuat për mësim.
Tre modelet që i përmban plani i MASH-it janë: mësim me prani fizike me masa për mbrojtje – maska dhe distancë prej të paktën 1,5 metra mes nxënësve në klasa, mësim nga distanca ose onlajn dhe mësim i kombinuar – para se gjithash për shkollat me numër të madh të nxënësve. Modeli i kombinuar parashikon nxënësit të ndahen në grupe më të vogla – njëri grup i cili mund ta ndjek mësimin me prani fizike një javë, ndërsa në të njëjtën kohë grupi tjetër i nxënësve, si dhe të sëmurët kronik, mund ta ndjekin onlajn orën. Nëse është e pamundur në kohë reale, atëherë mësimet e ditës do të incizohen dhe do të shpërndahen me atë grup të nxënësve përmes platformës për mësim. Propozim-protokollet e përgatitura kanë udhëzime konkrete për kushte dhe situata të ndryshme, për numrin e nxënësve në paralele, shkurtim të orëve të mësimit (propozimi është prej 40 në 30 minuta në shkollat fillore, përkatësisht prej 45 në 35 minuta në shkollat e mesme) etj.
Në ndërkohë, eksperti për arsim dhe profesori universitar, Xheladin Murati, për gazetën KOHA, është shprehur se hapja e shkollave është problem serioz për të gjithë institucionet përgjegjëse. “Shkollat duhet të hapen, por për qëllim që të mbyllen më vonë, sepse arsimi me prani fizike është metoda më e mirë. Përmes arsimit fizik, nxënësit aftësohen dhe edukohen në fusha të ndryshme. Ndërkaq në mësimin online mungon edukimi, shoqërimi dhe shumë metoda tjera që e kompletojnë sistemin arsimor”, ka thënë ai, ndërsa ka shtuar se në të gjithë territorin e vendit duhet të mbahet mësimi fizik dhe për të gjithë gjeneratat.
Sipas tij, në ato shkolla ku ka më pak nxënës, të merret vendim që mësimi të zhvillohet në kushte normale, ndërsa në ato shkolla ku ka më shumë nxënës, të bëhet ndarja e tyre në dy grupe dhe të shkurtohen orët mësimore dhe pushimi, me qëllim që të mos humbasin nxënësit. Ndërkohë, prindërit mendojnë ndryshe nga vendimi i Komisionit dhe mendimi i profesioneve universitar. Emrah Xhemaili, prind i dy fëmijëve, për gazetën KOHA, ka deklaruar se nëse arsye e këtij vendimi është që fëmijët prej klasës së parë deri të tretën nuk munden t’i kuptojnë ligjërimet nga mësimi online, atëherë pse nuk u mor ky vendim që nga muaji mars. “Mendoj që vendimi i Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, nuk është i drejt. Procesi mësimor në kushtet e krijuara nga pandemia e virusit korona duhet të zhvillohet i tëri në platformat digjitale, me qëllim që të mbrohen nxënësit dhe qytetarët nga përhapja në masa të madha të virusit korona. Një numër i madh i shkollave nuk i përmbushin kushtet për të mbajtur mësim në rrethanat e krijuara nga pandemia e virusit korona”, thotë Xhemaili.
Prindërit gjithashtu kanë filluar edhe një peticion online për të kërkuar mësim online, ndërsa thonë se nuk do t’i lëshojnë fëmijët në shkollë për shkak se shëndeti i fëmijëve është prioritet. “Nxënësit më të vegjël nuk do të mund të respektojnë masat për mbrojtje nga protokollet e rekomanduara. Është e pamundur të sigurohet distancë fizike mes tyre dhe maska që do ta mbajnë gjatë gjithë kohës të mbetet e pa infektuar. Pikërisht shëndeti i fëmijëve të klasave më të ulëta nuk duhet të vihet në test. Ky vendim është i papranueshëm”, shprehen prindërit që kanë filluar peticionin për mësim online. Ndryshe, nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse informuan se në javën e ardhshme do të diskutohet për kopshtet.
PO HARROHEN FËMIJËT ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Komiteti i Helsinkit u bën thirrje autoriteteve që urgjentisht të krijojnë kushte për arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, të cilët në kushte pandemike përballen me sfida të mëdha në mësimdhënie, sepse platformat e mësimit në distancë në vendin tonë, të cilët kanë zëvendësuar arsimin e rregullt, përjashtojnë pjesën më të madhe të këtyre fëmijëve. Komiteti i Helsinki apelon për rrezikun e përjashtimit të shtuar të fëmijëve me aftësi të kufizuara në procesin arsimor si rezultat i krizës. Vlerësohet se fëmijët me aftësi të kufizuara do të përfitojnë më së paku nga aplikimi i zgjidhjeve alternative të mësimit në distancë, gjë që shoqërohet nga mungesë të mbështetjes në shtëpi, paarritshmëria e Internetit, mungesa e programeve të arritshme dhe materialeve mësimore.
“Me Ligjin e ri për arsimin fillor, i cili u miratua pikërisht një vit më parë dhe filloi të zbatohet në vitin akademik 2019/2020, arsimi fillor ishte i organizuar në mënyrë institucionale, të stafit dhe përmbajtjes për të mundësuar përfshirjen e të gjithë fëmijëve në arsimin e rregullt. Sidoqoftë, viti i ri shkollor fillon në dy javë, dhe akoma nuk janë miratuar të gjitha aktet nënligjore që duhej të siguronin zbatimin e duhur të Ligjit dhe përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në procesin arsimor në çdo aspekt. Për më tepër, gjendja e pandemisë vetëm theksoi mangësitë e shumta në zbatimin e Ligjit, për të cilat Komiteti i Helsinkit paralajmëroi në disa raste. Duke marrë parasysh që ende nuk është publikuar një shpallje për zgjedhjen e asistentëve arsimorë, një e drejtë që gjatë vitit të kaluar shkollor mund të përdoret vetëm nga një numër i vogël i fëmijëve nga të gjithë ata në nevojë, ka indikacione që me fillimin e vitit të ri shkollor, fëmijë me aftësia e kufizuar nuk do të jetë në gjendje ta ushtrojë këtë të drejtë”, thonë nga Komiteti i Helsinkit. (koha.mk)