Prindër, mos ua shponi veshët fëmijëve të vegjël!

Vendosja e vëthëve duhet të jetë zgjedhja dhe vendimi i fëmijës, të cilët duhet të jenë të rritur mjaftueshëm për të kërkuar dhe kuptuar procesin – duke përfshirë edhe kujdesin që duhet treguar në këtë rast.

Kur flasim për vendosjen e vëthëve tek fëmijët ka shumë debate, të cilat fokusohen në moshën se kur kjo duhet të ndodhë.

Artistë apo njerëz të njohur të artit ua kanë shpuar veshët fëmijëve të tyre në moshë të vogël dhe kjo bën që herë pas herë të rikthehen debatet për këtë çështje.

Ligji nuk parashikon ndalimin e prindërve për kryerjen e këtij veprimi deri në një moshë të caktuar. Pavarësisht kënaqësisë së prindërit, fëmija ndjen dhimbje dhe nuk është i aftë të kujdeset për veshët në një moshë të vogël. Përse vendosja e vëthëve duhet të jetë kaq e rëndësishme?

Sipas një studimi të vitit 2013, shtatë është mosha mesatare për vajzat për të shpuar veshët, por disa prindër janë të mendimit se fëmijës i duhen shpuar veshët para se të ecë apo të flasë. Kjo është një çështje në të cilët prindërit nuk janë në të njëjtën mendje.

Argumentet kundër përqendrohem te fëmijët e vegjël të cilët janë më pak të vetëdijshëm për dhimbjen dhe nuk ka ndonjë vlerë ky veprim: ndërsa të tjerë thonë se kjo duhet të jetë zgjedhja e fëmijës, dhe ata duhet të jenë të rritur të mjaftueshëm për të kërkuar dhe kuptuar procesin – duke përfshirë atë se si të kujdesen vetë për vëthët e veshët.

Përse nuk duhet t’ua shponi veshët fëmijëve?

Në vitin 2015, një peticion deklaroi se procesi duhet të bëhet i paligjshëm, duke e konsideruar atë si ‘fizikisht të dëmtuar’ dhe ‘një formë të mizorisë së fëmijëve’.

Një peticion britanik për të ndaluar prindërit që t’u shpojnë veshët fëmijëve, për t’u vënë vëthë, ka mbledhur më shumë se 36,000 firma dhe ka ngjallur një valë komentesh nga prindër në të gjithë globin.

Lëvizja nisur nga Susan Ingram, i kërkon ministrit britanik të shtetit për fëmijët dhe familjet, të vendosë kushtin e një minimumi moshe për pirsing në vesh dhe ta bëjë të paligjshme këtë praktikë, për prindërit e foshnjave dhe fëmijëve të vegjël.

“Është një formë keqtrajtimi për fëmijët. Atyre iu shkaktohet dhembje e fortë dhe frikë pa qenë e nevojshme. Kënaqet vetëm vaniteti i prindërve. Meqë format e tjera të dëmtimit fizik të fëmijëve janë të paligjshme, kjo nuk duhet të jetë ndryshe”, përshkruan Ingram në peticion.

Mbështetësit kanë lënë komente duke e quajtur shpimin e veshëve abuziv, vanitoz dhe të panevojshëm. “Është abuzim i pastër me fëmijët. Nëse dikush do e përdorte atë pajisje në një pjesë tjetër të trupit të fëmijëve, do arrestohej dhe gjykohej…”, shkruan njëri.

Ka dhe nga ata që e quajnë kundërshtimin e hapjes së vrimave të veshëve për vëthë te fëmijët, qesharak. Në Amerikën e Jugut të gjitha vajzave iu shpohen veshët sapo lindin.

Po a është shpimi i veshëve i dëmshëm për një fëmijë? Sipas Akademisë Amerikane të Pediatrëve AAP, nëse pirsing bëhet në një mjedis steril dhe tregohet kujdes, ka pak rrezik.

Megjithatë, AAP rekomandon të pritet deri sa fëmija të jetë i rritur mjaftueshëm për t’i kërkuar vetë vëthët dhe të ketë mundësi të kujdeset vetë për veshët.