“The Washington Post” publikoi lajmin se shërbimet e inteligjencës amerikane, kanë interceptuar biseda në të cilat zyrtarët sauditë bisedojnë për planin për të joshur Khashoggin të kthehet në Arabinë Saudite, ku më pas do të arrestohej
ANKARA – Princi i parë i kurorës në Arabinë Saudite, princ Mohammed bin Salman, përballet me akuza se ka planifikuar të sjell në Arabi Saudite dhe pastaj të arrestojë gazetarin e zhdukur disa ditë në parë, Jamala Khashoggi, transmeton Anadolu Agency. Gazetari dhe kolumnisti i “The Washington Post”, u zhduk më 2 tetor, pasi hyri në kompleksin e Konsullatës së Arabisë Saudite në Stamboll. Ai ishte një kritik i njohur i politikave të pushtetit aktual në Arabi Saudite, në veçanti të princit Mohammed.
“The Washington Post” publikoi lajmin se shërbimet e inteligjencës amerikane, kanë interceptuar biseda në të cilat zyrtarët sauditë bisedojnë për planin për të joshur Khashoggin të kthehet në Arabinë Saudite, ku më pas do të arrestohej. Shokët e afërt të gazetarit të zhdukur thonë se bashkëpunëtorë të ngushtë të princit Mohammed, në katër muajt e fundit i kanë ofruar mbrojtje dhe një punë të mirë pas kthimit në vendlindje. Burimet e njëjta thonë se Khashoggi ishte skeptik, për çka njërit nga miqtë e tij të afërm i kishte thënë se me gjasë pushteti i Arabisë Saudite nuk do ta mbronte. “Më tha se nuk i beson fare Rijadit zyrtar”, tha Khaled Saffuri, një aktivist politik amerikan-arab.
Khashoggi ka bashkëpunuar edhe me media të shumta arabe, përfshirë edhe gazetën reformiste “Al-Watan”. Teksti i fundit në “The Washington Post” shkaktoi komente të shumta, por ngriti edhe çështjen nëse administrata amerikane duhej të paralajmëronte Khashoggi rreth informacionit që ka dalë nga përgjimet e zyrtarëve sauditë. Në Turqi tashmë ka nisur një hetim mbi zhdukjen e tij, ndërkohë që gazetari i agjencisë së lajmeve Reuters, njoftoi më parë se Khashoggi është vrarë në konsullatë, pasi kaloi disa ditë si i paraburgosur. Të njëjtin pohim e ka bërë edhe shoqata e mediave turke dhe arabe, të cilat pretendojnë të kenë dëshmi për këtë.
Konsullata e Arabisë Saudite më herët në Twitter mohoi akuzat e tilla. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Turqisë, njoftoi sot se do të ekzaminohet brendësia e kompleksit të konsullatës saudite, për çka dhe kishin marrë një ftesë zyrtare nga autoritetet saudite.