Dje ishte dita e fundit kur Harry dhe Meghan Markle hoqën dorë përfundimisht nga titujt e tyre. Ishte një vendim ky që u mor rreth një muaj më parë, me dëshirën e tyre për të bërë një jetë private në Kanada, larg syrit mediatik. Në shenjë lamtumire ata kanë bërë një postim në Instagram duke u shprehur se pavarësisht largimit, ata do të vazhdojnë të merren me çështje bamirësie.
“Siç mund ta ndiejmë të gjithë, bota në këto momente është jashtëzakonisht e brishtë. Megjithatë, ne kemi besim që çdo qenie njerëzore ka potencialin dhe mundësinë për të bërë një ndryshim siç shihet tani në botë, në shtëpi, në komunitet se së bashku mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Teksa të gjithë po përpiqemi të gjejmë rolin tonë për këtë ndryshim global, ne po përqendrohemi edhe te ky kapitull i ri në jetën tonë për të kuptuar se si mund të kontribuojmë më mirë. Edhe pse nuk do të na shihni këtu, puna jonë vazhdon. Deri atëherë, kujdesuni për veten dhe për njëri-tjetrin”, shkruan çifti.
Ditën e djeshme ata kanë kryer disa nga detyrat e fundit mbretërore dhe zyrtarisht nuk janë më pjesë e familjes. Që prej fillimi kur çifti lajmëroi se do të largohej, kjo gjë nuk u prit aspak mirë nga Mbretëresha Elizabeth pasi ata nuk ishin konsultuar më parë me të apo me anëtarë të tjerë. Gjithashtu edhe çifti tjetër mbretëror Kate Middleton dhe Princi William u ndjenë të lënduar nga ky vendim duke e cilësuar atë shumë të nxituar. Por më pas Mbretëresha Elizabeth në takimin e fundit me Harry-n në fillim të këtij muaji, i ka treguar atij se do të jetë gjithmonë i mirëpritur në mbretëri në rast se ndonjë ditë do të ndryshojë mendje.