Borxhin më të lartë në rajon ndaj bankave për kokë banori e kanë Mali i Zi me afër 2300 euro dhe Kroacia me afër 1700 euro. Në Maqedoninë e Veriut, në total çdo qytetar ka borxh prej afër 1300 euro
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 tetor – Pandemia ka rritur kërkesën për kredi të qytetarëve në të gjitha shtetet e rajonit. Të dhënat statistikore tregojnë se amvisëritë të ballafaquara me rritjen e kostos së jetesës dhe mbulimin e nevojave mujore kanë rritur edhe më tej borxhet ndaj bankave. Borxhin më të lartë në rajon ndaj bankave për kokë banori e kanë Mali i me afër 2300 euro dhe Kroacia me afër 1700 euro. Në Maqedoninë e Veriut, në total çdo qytetar ka borxh prej afër 1300 euro për lloje të ndryshme të kredive dhe minuseve në kartelat kreditore pagesore. Borxhet më të mëdha me afër 756 euro për kokë banori janë ato për kreditë konsumatore, pasojnë me afër 896 milionë euro apo afër 450 euro për kokë banori kreditë banesore, si de borxhet më të vogla kartelat kreditore e kështu me radhë.
Me fjalë të tjera qytetarët kanë një total të borxhit prej afër 2.7 miliardë euro. Nga ana tjetër edhe analizat e ndryshme tregojnë rritje si të kursimeve ashtu edhe kredive në Ballkanin Perëndimor. Në fund të tremujorit të dytë apo në fund të muajit qershor të këtij viti, edhe vendet e Ballkanit Perëndimorë sikurse vendet e Eurozonës, shënuan rritje të aktivitetit kreditues dhe depozitues. Kreditimi shënoi rritje prej 7.1 për qind, që është normë më e lartë e rritjes krahasuar me normën prej 6.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2019, tregojnë analizat e Bankë s Popullore të Kosovës.
“Vendet të cilat shënuan normat më të larta të rritjes ishin Serbia dhe Maqedonia e Veriut (13.4 për qind përkatësisht 8.7 për qind), pastaj Kosova dhe Shqipëria (6.4 për qind përkatësisht 6.2 për qind), ndërsa Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina shënuan normat më të ulëta të rritjes së kreditimit (5.0 për qind përkatësisht 2.6 për qind)“, tregon analiza. Gjithashtu edhe kursimet që në fakt janë burimi kryesor i kreditimit kanë shënuar rritje të mëtutjeshme. Depozitat shënuan rritje akoma më të lartë, duke arritur normën mesatare prej 8.4 për qind në nivel të rajonit në raport me 6.8 për qind rritje në tremujorin e dytë të vitit 2019. Tek depozitat, norma më e lartë e rritjes është shënuar në Serbi dhe Kosovë (17.9 për qind përkatësisht 14.0 për qind), pasuar nga Maqedonia e Veriut (8.1 për qind), Shqipëria (5.4 për qind), Bosnja e Her cegovina (4.7 për qind) dhe Mali i Zi (0.3 për qind).
Nga ana tjetër, nga totali i kredive në Kosovë prej 3 miliardë e 31.9 milion euro, kreditë për ndërmarrjet janë 63.3 për qind ndërsa kreditë për individë/familjare 36.5 për qind, apo afër një miliardë euro, tregojnë të dhënat e Shoqatës së Bankave të Kosovës. Kjo do të thotë se qytetarët e Kosovës kanë borxh ndaj bankave prej afër 900 euro për banor. Në Shqipëri kreditë për individë apo për qytetarët kanë arritur në 12 për qind të Prodhimit të brendshëm bruto që nëse marrin parasysh se PBB e Shqipërisë në vitin 2019 ishte 13.6 miliardë euro, del se vlera e kredive të qytetarëve është afër 1.6 miliardë euro, tregojnë të dhënat e Bankës së Shqipërisë. Borxhi total i qytetarë ve në Mal të Zi ndaj bankave është 1.39 miliardë euro, apo 2.237 euro për banor, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore të Malit të Zi.
Borxhi i qytetarëve të Serbisë ndaj bankave duke llogaritur kreditë, kartelat kreditore etj. është 1532 euro për banor tregojnë përllogaritjet e Shoqatës së Bankave të Serbisë. Totali i borxhit të qytetarëve në Kroaci ndaj bankave është 56 miliardë kuna, apo çdo qytetar në mesatare ka një borxh prej 13 mijë kuna apo afër 1714 euro. (koha.mk)