Një grup priftërinjsh i ka shkruar një letër kryepeshkopit të Napolit, Crescenzio Sepe, duke i kërkuar të dalë kundër vendimit që stadiumi San Paolo të marrë emrin e Diego Armando Maradonas.
Legjenda e Napolit vdiq javën e shkuar në moshën 60-vjeçare pas një sulmi në zemër.
Kryetari i Napolit, Luigi De Magistris, kishte vendosur menjëherë që stadiumin San Paolo ta emërtojë në bazë të legjendës me numrin 10.
Ky propozim s’ka gjetur pajtim te të gjithë. Sipas “Il Mattino”, një grup priftërinjsh në Napoli i ka shkruar letër kryepeshkopit duke i kërkuar që të refuzojë emrin e kampionit të botës së vitit 1986.
“Stadiumi San Paolo duhet të emërtohet në bazë të të shenjtit që na solli Jezusin”, thuhet në letër. “Me përulësi, ndiejmë përgjegjësi që t’ju shkruajmë. Të gjithë pajtohemi për një gjë: S’duam vetëm një emër. Do të ishte në rregull të ishte emri San Paolo – Maradona, sikurse Milano që e ka San Siro – Meazza”.
Letra është nënshkruar nga don Salvatore Giuliano, don Luigi Merola, don Carmine Amore, don Lello Ponticelli dhe don Armando Sannino.