Eksperti gjerman, ish-drejtor i Drejtoratit për zgjerim të BE-së, Rajnhard Pribe, sot mbajti ligjëratë para pjesëmarrësve të Shkollës njëjavore të së drejtës natyrore që në organizim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe Ambasadës së SHBA-së në Maqedoni po mbahet në Ohër. Ai para njëzet e pesë magjistrave dhe pesë doktorantëve të studimeve juridike dhe politike që janë pjesë e shkollës mbajti ligjëratë me temë “Demokracia, qeverisja e të drejtës dhe liritë e njeriut – Vlefshmëria e vlerave demokratike për shtetet kandidate për anëtarësim në BE”.
“Kam kënaqësinë që jam këtu në Ohër, të marrë pjesë në Shkollën për të drejtë natyrore dhe mundësinë që t’u transmetoj juristëve të rinj për proceset integruese evropiane dhe vlerat evropiane që janë parakusht për anëtarësim. Pres diskutim të hapur me ta, shpresoj se do të arrijë që në bazë shkencore t’u transmetoj se çka do të thonë integrimet evropiane”, tha ai madje duke refuzuar të japë çfarëdo lloj deklarata lidhur me gjendjen politike në vend. Krahas kësaj Shkolle për të drejtë natyrore, ASHAM-i gjatë shtatorit do të organizojë edhe një shkollë për magjistra dhe doktorantë të studimeve juridike kushtuar gjuhës së urrejtjes, krimit të urrejtjes dhe formave të tjera të reja të krimit.
Pritet që Pribe nga Ohri ditëve të ardhshme të vijë në Shkup në takime me përfaqësues qeveritarë për Prioritetet urgjente reformuese, si dhe për planin aksionar të Qeverisë për zbatim të tyre. Masat nga Plani aksionar për mënjanim të pengesave për integrim të Maqedonisë në BE do të prezantohen edhe para eurokomisarit Johanes Han, i cili të hënë vjen për vizitë në Maqedoni.