Freskimi i listave kadrovike për deputetë i jep kuptim edhe mundësisë së një konkurrence të re. Maqedonia po vazhdon me traditën e mbrapshtë Ballkanike të konkurrencës jo të mirëfilltë, partizimit të tepruar etj. Që nga viti 1991 e këndej, vendi ende nuk e ka arsyetuar as pavarësinë e saj. Ky është konstatimi i njohësve të zhvillimeve politike në vend duke folur për jetën aktuale parlamentare dhe pritjet nga përbërja e re në prag të zgjedhjeve të 12 prillit
Destan JONUZI
Shkup, 27 janar – Sipas hulumtimit të fundit të Institutit për Demokraci, 60 për qind e të anketuarve kanë thënë se Qeveria ka kontroll të plotë mbi punën e Parlamentit. Ndërsa 70 për qind se deputetët më shumë mbrojnë interesat e partisë se të qytetarëve. Ish-deputeti Nazmi Maliqi në prononcim për KOHA thotë se jeta shumë partiake nuk është e realizuar me një konkurrencë jo të mirëfilltë kadrovike. “Është një hendikep i madh. Pa llogaridhënie të jesh aktiv në zbatimin e politikave. Nuk kemi ne asnjë deputet të vetëm të ketë dhënë llogari para votuesve të vet se çfarë ka bë në mandatin tij ose çfarë kanë qenë përparësitë apo të metat. Papërgjegjësitë e tyre dhe koalicionet i kanë bërë më tepër për interesat e tyre personale, biznesi etj, sesa në kuptim të interesave të përgjithshme. Freskimi i listave kadrovike për deputet i jep kuptim edhe mundësisë së një konkurrence të re”, deklaroi Maliqi. Sipas tij, Maqedonia po vazhdon me traditën e mbrapshtë Ballkanike të konkurrencës jo të mirëfilltë, partizimit të tepruar, ngushtimit të rretheve oligarkie të udhëheqjes etj. “Po mbetemi peng të keqkuptimeve të vlerave të demokracisë që i japin kuptim edhe stabilitetit dhe mirëqenies njerëzore”, shprehet Maliqi.
Ndërkaq, analisti Eroll Rizaov vlerëson se që nga viti 1991 e këndej, nga pavarësia e vendit, përveç disa rezultateve të arritura deri më tani në pjesën e demokracisë parlamentare, vendi ende nuk e ka arsyetuar mëvetësinë. “Ende nuk kemi vendosur edhe pas 30 viteve, demokraci të vërtet parlamentare, ku do të shihnim ndarjen e pushteteve ashtu siç e kërkon demokracia parlamentare, pushtet ligjvënës, ekzekutiv, gjyqësor dhe kompetencat e Presidentit. I gjithë partizimi krijon një sistem të demokracisë formale në Maqedoni. Aq shumë jemi partizuar dhe kriminalizuar sa që është shumë vështirë që të kemi ne një shtet solid parlamentar ashtu siç kërkojnë normat dhe ligjet evropiane”, deklaroi për KOHA, Rizaov.
Ai thekson se nëse vendi merr datë për fillimin e bisedimeve me Bashkimit Evropian (BE), nën presion të bashkësisë ndërkombëtare gjegjësisht të Brukselit mund diçka të bëhet në vitet e ardhshme, dhe vendi të fitojë demokracinë parlamentare. “Për momentin në këtë nuk besojë. Për momentin në Maqedoni mbisundon parlamentarlizimi për shpëtimin e kriminelëve”, nënvizon Rizaov.
Sipas analizës së projektit “ACTION SEE” të publikuar në muajin nëntor të vitit 2019 që ka të bëjë me shkallën e sinqeritetit, llogaridhënies dhe transparencës së punës së parlamenteve në rajon dhe në Maqedoni, rritja e përmbushjes së indikatorëve për interaksion të Parlamentit me qytetarët prej 61% në 64% nuk është e dukshme, për shkak se propozimet mbeten të pa ndryshuara. Edhe sipas raportit “Deputeti Im” për gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 situata nuk është për “lule”. Aty ka emra deputetësh që për asnjëherë të vetme nuk e ka marrë fjalën, por ka qenë prezent në seanca për arsyetuar mëditjet ose plotësuar numrat në seancat plenare dhe të komisioneve.(koha.mk)