Prezantohet Wi-Fi 6, ja se çfarë ofron

Wi-Fi Alliance ka njoftuar se programi Wi-Fi Certified 6 tani është në dispozicion për pajisjet e bazuara në IEEE 802.11ax. Njoftimi i aleancës e ofron një pasqyrë më të mirë se çfarë mund të presin përdoruesit nga mbështetja Wi-Fi 6, raporton DigitalTrends.

“Wi-Fi Certified 6 e mbështet një gamë më të gjerë pajisjesh dhe aplikacionesh, nga ato që kërkojnë performancë më të fuqishme në mjediset kërkuese të biznesit e deri tek ato që kërkojnë konsum dhe latencë të ulët në shtëpitë e mençura dhe skenarët IoT. Wi-Fi Certified 6 ofron afro katër herë kapacitetin që e ka Wi-Fi 5 dhe e paraqet një përparim evolucionar për aftësinë e rrjetit Wi-Fi për të ofruar infrastrukturë me performancë të lartë dhe lidhje të optimizuar për të gjitha pajisjet njëkohësisht – kjo mundëson përmirësime të konsiderueshme në mjediset e lidhura Wi-Fi”.

Pritet që Wi-Fi 6 do të ofrojë mbështetje për rrjetet mobile, si dhe ta ofrojë një varg shërbimesh të avancuara 5G, shkruan KOHA Ditore. Kur bëhet fjalë për sigurinë, Wi-Fi Alliance thekson se certifikimi për Wi-Fi 6 e kërkon gjeneratën më të re të sigurisë Wi-Fi – Wi-Fi Certified WPA3. Për përdoruesit individualë, kjo do ta nënkuptojë përdorimin e versionit WPA3 të emërtuar WPA3-Personal. Përveç sigurisë së përmirësuar, Wi-Fi 6 do ta ofrojë një gamë më të gjerë, si dhe konsum të zvogëluar të baterisë.