Prishtinë/Tiranë, 10 janar – Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) ndajnë me publikun: Raportin e Hulumtimit ‘Shqipëri – Kosovë, Dekonstruktimi i idesë së bashkimit – Perceptimet e qytetarëve për bashkëpunimin mes dy vendeve.
Hulumtimi i jep përgjigje disa prej çështjeve me interes në Kosovë dhe në Shqipëri si p.sh.: distanca sociale, imazhi për fqinjët, integrimi evropian, bashkëpunimi rajonal, perceptimi dhe stereotipet ndaj njëri-tjetrit, qëndrimi ndaj bashkëpunimit zyrtar të dy vendeve si dhe qëndrimi ndaj bashkimit eventual kombëtar.
Ky anketim nuk është qëllimi përfundimtar i kësaj nisme të përbashkët të dy fondacioneve (KFOS dhe OSFA), por është hapi i parë në serinë e disa aktiviteteve dhe përpjekjeve të cilat synojnë të analizojnë dhe nxisin debatin për thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës e Shqipërisë dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal.
Studimi u përgatit nga Z. Blendi Ceka nga Shqipëria dhe Z. Agron Demi nga Kosova që ishin udhëheqësit e hulumtimit dhe autorët e studimit për të dy vendet.
Një video e shkurtër e animuar mbi prezantimin e gjetjeve në mënyrë të përmbledhur mund të shikohet duke klikuar KËTU.
Një përmbledhje me gjetjet kryesore të studimit mund të aksesohet në gjuhën shqipe KËTU, ndërsa në gjuhën angleze KËTU.
Për më shumë informacion mbi raportin e plotë dhe të detajuar në gjuhën shqipe mund të klikoni KËTU, ndërsa në gjuhën angleze KËTU.
Përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile të angazhuar nga Kosova dhe Shqipëria janë duke punuar mbi hulumtime të thelluara që po kryhen në fushat e arsimit, marrëdhënieve diplomatike e bashkëpunimit strategjik, dhe bashkëpunimi ekonomik me qëllim zhvillimin e politikave të përbashkëta dhe nxitjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në këto fusha.
Për të mësuar më shumë dhe specifikisht për secilën fushë të hulumtuar mund të konsultoni prezantimet me gjetjet paraprake nga tre projektet:
- ‘Përmirësimin e bashkëpunimit Shqipëri – Kosovë në sektorin e arsimit’ – përgatitur nga Qendra Shqiptare për Asistencën Arsimore, Qendra për Arsimin e Kosovës dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim.
- ‘Shqipëria dhe Kosova: Cila është e ardhmja? Dekonstruktimi i idesë së bashkimit’ – përgatitur nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare dhe Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave.
- ‘Bashkëpunimi tregtar midis Shqipërisë dhe Kosovës’ – përgatitur nga Qendra Shqiptare për Konkurrueshmërinë dhe Tregtinë Ndërkombëtare, Instituti GAP dhe Instituti për Hulumtime Zhvillimore Riinvest.
Në kohën kur perceptimet zëvendësojnë realitetin dhe qëndrimet ndaj çështjeve madhore siç është bashkimi kombëtar apo marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë, janë mbuluar nga një cipë e hollë e gabueshme e stereotipeve, të dy Fondacionet sjellin për opinionin publik një matje shkencore të kryer përmes një hulumtimi të shtrirë në të dyja vendet.