Sipas analizave të prezantuara, në Tetovë qarkullojnë rreth 50 mijë automjete në ditë dhe kjo ndikon në mënyrë shtesë në ndotjen. Në tetor të vitit 2019 pritet të përfundojë edhe projekti themelor për 25 kilometra rrjet sekondar brenda qytetit, realizimi praktik dhe ndërtimi i të cilit parashihet të fillojë në vitin 2020
Urim HASIPI
Tetovë, 14 prill – Ka kaluar me shumicë votash në Këshillin e Komunës së Tetovës projekti ideor për rrjetin distribues për gazifikimin në Komunën e Tetovës. Projektin ideor e ka fituar kompania FILBIS nga Shkupi. Nga Komuna e Tetovës theksuan se Komuna do të shqyrtojë variantin më të mirë për të filluar realizimin në praktikë të këtij projekti, por ende nuk kanë dhënë sqarim se në çfarë mënyrë do të bëhet financimi, përmes partneritetit publiko-privat apo dhënies me koncesion.
“Komuna do të bëjë vlerësime dhe analiza me qëllim që të shihet se cila formë do të jetë më e favorshme për realizimin në praktik të gazifikimit. Cila formë të jetë, sërish do të votohet në këshill, por ajo që është kryesore është se shpresojmë që sa më shpejtë të fillojnë punët dhe të kryhet me sukses ky projekt në tërë qytetin e Tetovës”, tha Arsim Nuredini, nga sektori për tokë ndërtimore në Komunën e Tetovës. Përfaqësues të kësaj kompanie në prezantimin para këshilltarëve theksuan se qëllimi i projektit për Komunën e Tetovës është rritja e konkurrencës në ekonominë lokale nëpërmjet mundësisë së qasjes së të gjithë shfrytëzuesve në lëndën djegëse më të lirë, pra gazin natyror, njëkohësisht me përmirësimin e kualitetit të jetesës së popullatës lokale. Projekti përfshinë furnizimin me gaz natyror të Komunës së Tetovës nëpërmjet zhvillimit të sistemit distribues gazësjellës, definim i zhvillimit afatgjatë më adekuat të sektorit energjetik me qëllim të sigurojë furnizim të sigurt dhe kualitativ të konsumatorëve me gaz natyror si lëndë djegëse. Në prezantimin e projektit ideor, para këshilltarëve u theksua se ndotja e mjedisit jetësor është një nga problemet kryesore në këtë komunë. Sipas analizave të prezantuara, në Tetovë qarkullojnë rreth 50 mijë automjete në ditë, dhe kjo ndikon në mënyrë shtesë në ndotjen.
“Projekti ideor do t’i përfshijë të gjitha trasetë prej rrjetës primare dhe sekondare distributive gazsjellëse, ndërsa të gjitha detajet, të nevojshme për realizim, do të jenë të përfshira në projektin themelor për gazifikim. Nëpërmjet sistemeve distribuese për gaz natyrorë do të plotësohen nevojat për ngrohje, ujë të nxehtë sanitar dhe përgatitje për ushqim. Zona e lartë e banimit në qytet nuk parashihet për gazifikim direkt. E njëjta vlen edhe për objektet ekzistuese të banimit kolektiv të cilët kanë instalime të brendshme për ngrohje dhe gatim, si dhe për ndërtesat më të larta se shtatë kate. Nënkuptohet se në rrjetin distribues të vendosur në këtë mënyrë, janë lënë mundësi për vendosjen e numrit të caktuar të stacioneve për përgatitje dhe rimbushjen me gaz të komprimuar natyror dhe mjete motorike, me çka edhe këtij sektori i mundësohet të shfrytëzojë lëndë djegëse të lirë dhe ekologjike”, thuhet mes tjerash në projektin ideor për gazifikimin e Tetovës. Analizat e punuara në studimin e fizibilitetit tregojnë se sistemet distribuese për gaz natyror janë konkurrente në raport me mënyrat ekzistuese të furnizimit me energji për ngrohje të objekteve.
“Nëse një objekt i kyçur në sistemin e ngrohjes, me kyçje të sistemit distribues për gaz natyror, shpenzimet vjetore do të ulen për 24 për qind nëse objekti është për banim individual apo kolektiv, ose për 30 për qind nëse objekti është komercial, shërbyes apo industrial. Në objektet të cilat nxehen me energji elektrike, shpenzimet vjetore do të zvogëlohen për 35 për qind nëse janë objekte banimi, ose për 44 për qind nëse janë objekte industriale. Në objektet të cilat nxehen me burime lokale të nxehtësisë, ndërsa si lëndë djegëse shfrytëzojnë vaj extra të lehtë për djegie, ulja e shpenzimeve vjetore do të jetë 54 për qind për objekte banimi dhe 16 për qind për objekte industriale”, qëndron më tej në këtë projekt. Në tetor të vitit 2019 pritet të përfundojë edhe projekti themelor për 25 kilometra rrjet sekondar brenda qytetit, realizimi praktik dhe ndërtimi i të cilit parashihet të fillojë në vitin 2020. (koha.mk)