Qyteti i Shkupit në bashkëpunim me UNDP-në ka hyrë në fazë avancuese nga realizimi i aktiviteteve për vendosjen e Kadastrës së gjelbër të sipërfaqeve publike në qytet. Synimi bazë i këtij projektit është mbrojtja e mjedisit jetësor, përmirësimi i menaxhimit me gjelbërimin publik, si dhe përforcimin e rezistencës urbane përmes grumbullimit dhe analizës së të dhënave hapësinore për gjelbërim, theksoi në prezantimin e sotëm, kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Për fat të keq, siç tha, vite mbrapa, si pasojë e ekspanzionit ndërtimor edhe në qendër të Shkupit si pasojë e projektit “Shkupi 2014”, gjelbërimi në qytet shpesh herë ka pësuar në llogari të objekteve të reja ndërtimore të cilat kënaqin interesa personale, politike dhe të biznesit, por jo edhe interesat e qytetarëve të cilët kanë të drejtë të pakontestueshme për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm jetësor.
“Kadastra e gjelbër duhet të sigurojë të dhëna të sakta dhe cilësore me ndihmën e të cilave do të mund tërësisht të pengohet prerja e plotë ose dëmtimi i pemëve dhe shkatërrimi i plotë i gjelbërimeve për përdorimin e aktiviteteve të ndryshme ndërtimore, planifikim më të mirë në drejtim të ruajtjes së gjelbërimit të përhershëm, mirëmbajtje më cilësore dhe përparësi tjera me radhë”, tha Shilegov.
Për shkak të ndërlikueshmërisë së punëve, aktivitetet janë realizuar në faza. Deri më tani janë realizuar aktivitetet për incizim gjeodezik të sipërfaqeve të gjelbra dhe pemëve, shkurreve dhe infrastrukturës së parqeve. Është përpunuar edhe GIS aplikacioni për kontroll dhe menaxhim me gjelbërimin publik të territorit të Qytetit të Shkupit.
Në bashkëpunim me komunat e Qytetit të Shkupit, është paraparë edhe plotësim i kadastrës me gjelbërim nën kompetencë të tyre, në shkollat fillore dhe kopshtet. Në fazë më avancuese parashikohet edhe hapja e modulit në të cilin çdo qytetar do të mund ta regjistrojë gjelbërimin nga oborri personal.
“Kadastra e gjelbër, si dhe projektet tjera për mbrojtje dhe avancim të mjedisit jetësor në të cilat është vendosur kjo administratë qytetare janë nga rëndësia vitale për sigurimin e zhvillim të qëndrueshëm urban të qytetit. Qytetarët e Shkupit meritojnë të jetojnë në një kryeqytet modern të gjelbër i cili do t’u garantojë jetë cilësore dhe të shëndetshme. Besoj se me shumë entuziazëm dhe punë të përkushtuar të gjithë së bashku mund ta arrijmë këtë, për të mirën e të gjithëve”, tha Shilegov.