Shkup, 23 shkurt – Organizatat Forum – Qendra për hulumtime strategjike dhe dokumentim nga Shkupi dhe Nisma rinore për dialog dhe bashkëpunim nga Manastiri, sot në Strugë do të mbajnë punëtori në të cilën do t’i prezantojnë aktivitetet e projektit “Aleanca për zhvillim rajonal”. Para pjesëmarrësve të punëtorisë do të prezantohen rezultatet nga hulumtimi bazik për zbatimin e politikës së zhvillimit të barabartë rajonal në Maqedoni, me theks të veçantë për gjendjet në Maqedoninë Jugperëndimore.
Projekti është mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit EIDHR 2014-2015. Në dhjetë vitet e fundit janë miratuar Ligji për zhvillim të barabartë dhe Strategjia për zhvillim rajonal 2009-2019, sipas të cilave, siç informojnë organizuesit e punëtorisë, duhet minimum një për qind e BPV-së së shtetit të investohet në rajonet më pak të zhvilluara dhe të stimulohen rajonet më pak të zhvilluara në mënyrë që të balancohet zhvillimi në tetë raajonet planore në Maqedoni. Ideja e kësaj politike është të pakësohen dallimet edhe në zhvillim në kuadër të vetë rajoneve planore.